Lidhja Demokratike e Kosovës s’e ka thënë asnjë fjalë lidhur me vendimin e djeshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që i dha të drejtë ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD. A e do Isa Mustafa – Nismën e Fatmir Limajt në Qeveri?

“Kam simpati për Limajn, e vlerësoj si të dijshëm për politikë. Nëse Nisma i merr votat, unë uroj që ta merr. Janë vota tyre, nuk janë tonat. Mbetet çështje e hapur me VV-në a do ta kemi Nismën. Për mua nuk do të kishte problem që ta kemi Nismën në qeveri, por varet edhe nga VV si parti e parë”, pati thënë Mustafa më 17 tetor 2019, shkruan Insajderi.
Duket se “simpatia” e Mustafës për politikën e Limajt do të bëhet realitet, pasi i njëjti s’e ka thanë asnjë fjalë për vendimin e djeshëm të PZAP-së. Për këtë çështje nuk kanë folur as zyrtarët e lartë të LDK-së.
Ndryshe nga partneri i mundshëm i koalicionit, Vetëvendosje këtë vendim e ka çuar menjëherë në Supreme.
Nga ky vendim pësojnë Lëvizja Vetëvendosje e cila nga 32 deputetë sa kishte pas rezultateve të para, me vendimin e ri, do të ketë 29, LDK do të ketë 28 nga 29 sa kishte dhe PDK do të ketë 24 deputetë nga 25 sa kishte.
Rrjedhimisht i bie se Vetëvendosje si parti e parë dhe LDK – nuk do të mund ta krijojnë Qeverinë pa Nismën e Fatmir Limajt, shkruan Insajderi.
Mbetët të shihet se cilat do të jenë veprimet e ardhshme të VV-së dhe LDK-së rreth kësaj çështjeje – nëse vendimi i PZAP-së vazhdon të mbetët në fuqi./Insajderi.com