“Hiroshima Mon Amour”, historia e një filmi

“Hiroshima Mon Amour”, historia e një filmi

– Ti nuk ke parë asgjë nga Hiroshima! Asgjë!…

Ndërsa ajo i përgjigjej:

– Unë kam parë gjithçka. Dhe spitalin e pashë. Si mund të mos e shikoja?…

– Në çfarë filmi interpretoni?

– Në një film për Paqen. Ç’mund të xhirohet tjetër në Hiroshima veçse një film për Paqen?… Ne fillim ne takoheshim në hambare dhe nëpër rrënoja, më pas nëpër dhoma e kudo. Pastaj ai u vra. Dashuria ime që u vra ishte një armik i Francës…”

Ishte një film që hapej me këpurdhën e bombës atomike të hedhur në Hiroshima, mbi të cilin fillonte dialogu i një gruaje franceze dhe i një burri japonez, shtrirë në krevatin e një hoteli. Ishte piktakimi im i parë me letërsinë e Marguerite Duras, (Dyras), përmes skenarit të filmit të njohur Hiroshima dashuria ime.

Atëherë, ky film ishte ndaluar të shfaqej në Shqipëri, por një numër i revistës L’Avant scène du cinema, që vinte atë kohë në Kinostudio bashkë me Cahiers du Cinéma dhe Anthologie du cinéma, e kishte botuar atë të ilustruar me një mori skenash nga filmi dhe aktorët e tij. Një histori pacifiste dhe kundër luftës, por që bashkonte fatet njerëzore në pika të ndryshme të globit. Një grua franceze që vinte të luante një film në Hiroshima dhe që në rininë e saj kishte dashuruar një ushtar gjerman në qytetin e saj të lindjes. Në të njëjtën kohë vendosej paralelizmi me tragjedinë e madhe të luftës që kishte ndodhur në Hiroshima. Një klithmë kundër luftës, kur Shqipëria jetonte si “në rrethim” nga mijra bunkerë të paranojës totalitare, shkruan Gazeta Shqip.

Edhe pse me një frëngjishte të varfër unë e përktheva atë skenar në ca faqe të holla rozë, skenar që do të shëtiste në duart e kineastëve të rinj, të etur për të njohur filmat modernë e pacifistë dhe kundër luftës. Kundër luftës, në një vend që jetonte me luftën, alarmet, bunkerët, stërvitjet ushtarake, me idenë dhe paranojën e rrethimit… Të flisje për Hiroshimën ishte e ndaluar! Përse ti flet për Hiroshimën? Çdo të thotë Hiroshima për ty kur ne i kemi imperialistët e revizionistët në grykë të topit?… Por ne kishim rënë në magjinë e kinemasë dhe kishim filluar të zgjoheshim, të kuptonim, të ndjenim dhe të flaknim atë topitje të trurit që kishte pushtuar pothuaj të gjithë… Hiroshima ishte një tragjedi e madhe!

Image result for hiroshima mon amour

– «Atë ditë, – shkruante Dyras në skenarin e saj, – ne do të takoheshim në breg të lumit të Loire-s. Do të ikja me të. Kur mbërrita në mesditë, ai ishte atje. S’kishte vdekur akoma. Dikush e kishte qëlluar nga një kopësht. Gjithë ditën qëndrova mbi trupin e tij. Po kështu dhe natën. Të nesërmen erdhën dhe e morën me një kamion. Atë natë, Nevers u çlirua… Ishte dashuria ime e parë… Pastaj një tjetër ditë klitha. Më futën në një bodrum…»

Image result for hiroshima mon amour

Ky skenar, për ne të rinjtë e asaj kohe ishte vërtet tronditës dhe krejt i kundërt nga ato që shikonim në kinematografinë e Lindjes. Madje bashkë me mikun tim skenarist Nexhati Tafa dukej se ajo mënyrë shkrimi influencoi drejtpërdrejt në shkrimet tona duke përdorur retiçencë, vazhdimisht tri pika, në fraza të shkurtra, apo thjesht “përplasje” imazhesh, por në fjalë. Më pas, një tjetër libër i ardhur nga një studente shqiptare në Francë më hapi një dritare të dytë mbi këtë shkrimtare: ishte romani Moderato cantabile, i cili dhe ai do të gjente ekranin e kinemasë. E megjithatë, Dyras më ishte ende një enigmë?

Image result for hiroshima mon amour

Cila ishte kjo shkrimtare kaq e ndjeshme, e dhimbshme, lakonike, me një gjuhë që depërtonte thellë në humnerën e shpirtit njerëzor dhe shpesh të trondiste? Nga vinte dhe cila ishte bota e saj?… Shumë vite më vonë lexova librin e saj Dhimbja, La Douleur, dhe kuptova vërtetshkatërrimin e madh që kishte lënë në psikikën e saj lufta, lufta ku ajo ishte një pjestare e Rezistencës franceze dhe që kishte përjetuar përndjekjen, Gestapo-n, dhe dhimbjen e madhe kur nga kampi i përqëndrimit do të kthehej më së fundi në Francën e lirë burri i saj, Robert Antelme: “Vallë ishte ai?” – do të shkruante ajo në librin e saj: “Dëgjova thirrje që vinin nga shkallët, këmbë që ngjiteshin, kërkëllitja e portave. Ishin ata që vinin nga Gjermania… E mbanin nga krahët. U ndalën në katin e parë. Ai kishte ngritur sytë… Nuk di se ç’ndodhi. Duhet të më ketë njohur dhe të më ketë buzëqeshur. Klitha se nuk mund ta shihja ashtu. Gjithë vitet e luftës më shfaqeshin përmes atyre klithjeve të mia. Gjashtë vjet pa klithur. U gjeta tek fqinjët. Ata më detyronin të pija rum, ma derdhnin në gojë. Përmes thirrjeve. Nuk e di se kur u gjeta përpara tij…”