Agjencia e Privatizimit e kishte promovuar si lokal atraktiv për afarizëm një objekt në pronësi shoqërore, i cili gjendet në lagjen Taukbashqe. Kur e kishte nxjerrë në shitje i kishte njoftuar konkurrentët se prona shfrytëzohet ilegalisht nga “Inter Eminex”. Rregullat parashohin diskualifikimin e uzurpatorëve nga gara. AKP-ja vendosi që pikërisht uzurpatorin ta shpallte fitues në tender.
Lista blerësve të ndërmarrjeve shoqërore që kanë qenë të uzurpuara, e publikuar më 4 mars nga Agjencia e Privatizimit, tregon për një skandal të këtij institucioni.
Janë gjithsejtë 368 ndërmarrje që përmenden në listë. Në anën e majtë gjenden emrat e blerësve ndërsa në anën e djathtë emrat e uzurpatorëve deri në ditën e privatizimit.
Por një prej tyre është me e veçante. Në të dy anët-edhe si blerës edhe si uzurpator- figuron emri i kompanisë “Inter Eminex”. Pronarë të kësaj kompanie janë biznesmenët Emin, Izet, Mehmet dhe Xhevdet Limani.
Përkundër që rregullat e privatizimit nuk lejojnë, Agjencia e Privatizimit ia ka shitur asetet dhe tokën e ndërmarrjes shoqërore “Urata”, pikërisht kompanisë që e ka uzurpuar për 19 vite rresht. Kjo njësi e ish-ndërmarrjës “Urata”, gjendet në lagjen Taukbashqe, rrugës për Gërmi.
“Intereminex”, e bleu atë më 30 korrik të vitit 2014. Oferta e kësaj kompanie, bazuar në të dhënat e AKP-së, peshonte 590 mijë euro. Lokali ka hapësirë prej 430 metrash katrorë ndërsa toka ka hapësirë prej 240 metrash katrorë.
Ky veprim i AKP-së bie në kundërshtim me Rregullat e Privatizimit, një dokument i hartuar nga vetë kjo agjenci.Neni 4 i këtyre rregullave është i emërtuar “Ofertuesit me ndalesë ofertimi”. Aty tregohet se cilat janë kategoritë e personave juridik e fizik që diskualifikohen automatikisht nga gara e privatizimit.
Ky nen tregon se ndalohen të ofertojnë “Personat fizik apo juridik të cilët kanë uzurpuar paluajtshmërinë në pronësi shoqërore, ndaj të cilëve Agjencia apo NSH-ja ka iniciuar procedurë gjyqësore për lirimin e pronës dhe kompensimin e dëmeve”. Po ashtu në këtë nën shënohet se kanë ndalesë ofertimi “personat juridik e fizik që kanë borxh ose gjobë të pashlyer ndaj Agjencisë ose ndonjë ndërmarrje që administrohet nga Agjencia”.
Veton Hajdini, kryesues i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në AKP, tregon për procedurën e shitjes së kësaj njësie të ndërmarrjes shoqërore “Urata”. Thotë se AKP-ja kishte nxjerrë në shitje këtë njësi më 27 korrik të vitit 2012, përkatësisht në Valën e 15-të. Tek njoftimi i bërë publik me këtë datë jepet përshkrimi i kësaj njësie dhe tregohet për shfrytëzuesit aktual. Tek pjesa shfrytëzuesit shënohet se “Nuk ka marrëveshje momentale për qira por është një shfrytëzues ilegal”. Kurse tek përshkrimi shënohet se lokali është shumë atraktiv për zhvillimin e biznesit.
“Ky tender iu ofron mundësi blerësit të mundshëm të blejë një njësi të vetme të përbëre nga një ndërtesë me një sipërfaqe prej përafërsisht 430 m² duke përfshirë sipërfaqen totale të tokës prej përafërsisht 240 m² që gjendet në lagjen Tauk Bashqe në Prishtinë. Lokali është shumë atraktiv për aktivitete afariste”, thuhet në njoftimin e atëhershëm të AKP-së.
Hajdini thotë sqarime më të detajuara ishin dhënë në “Memorandumin e Informimit”. Ky dokument nuk është publik. Iu jepet vetëm konkurrentëve.
“Në dokumentin e shitjes “Memorandumi i Informimit” në seksionin “Shfrytëzuesi aktual” shkruan si ne vijim: Prona afariste në fjalë, është duke u shfrytëzuar nga subjekti privat “N.T.P. Inter-Eminex” që nga viti 1995”, ka deklaruar Hajdini për Insajderin.
Agjencia e Privatizimit është pyetur se pse ia shiti këtë pronë shoqërore kompanisë private që e kishte uzurpuar që prej vitit 1995. Hajdini deklaroi se AKP-ja i ka kërkuar këtij biznesi pagesën e të gjitha qirave të prapambetura para se ti përgatitej kontrata e shitblerjes së asetit. Ai konfirmoi se AKP-ja e ka kërkuar këtë nga kompania private tek pas shpalljes fituese në tenderë.
“Pala në fjalë kishte paguar të gjitha qiratë e prapambetura për asetin në fjalë në llogarinë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës”, ka deklaruar Hajdini.
Insajderi i ka dërguar pyetje në e-mailin zyrtar të kompanisë “Inter Eminex”. Ka kërkuar një koment nga pronarët lidhur me blerjen e aseteve dhe tokës së kësaj ndërmarrje shoqërore. Ende nuk ka marrë përgjigje. Aktualisht lokali i blerë nga kjo kompani nuk është duke u shfrytëzuar. Është vendosur njoftimi që lokali jepet me qira. (Insajderi)