Në pjesën e dytë të shkrimit për tjetërsim të tokave të shtetit, Insajderi sjell detaje se si toka që ka vlerë mbi 20 milion euro, ka përfunduar në pronësi private për më pak se 2.8 milion euro. Prokuroria pretendon se me këto shitje u pastruan para. Mes të akuzuarve janë edhe njerëz të lidhur me PDK-në në pushtet.
Bejtush Zhugolli, Arton Vila dhe Albion Mulaku, janë pjesë e grupit të Mehmet Prishtinës, të akuzuar për shpëlarje parash. Ata janë blerës të tokave të shtetit në Çagllavicë.
Të tre janë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës.
Biznesmeni Bejtush Zhugolli, është njëri prej financuesve të PDK-së. Arton Vila ka qenë shofer i deputetit Azem Syla. Ndërkaq, Albion Mulaku është djali i kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulakut.
Ata akuzohen se kanë futur në treg para që nuk u dihet prejardhja si pjesë e “grupit kriminal”. Megjithatë, që të gjithë kanë mohuar akuzat, duke u arsyetuar se kanë marrë hua për blerje tokash.
Zhugolli akuzohet se më 17 shtator 2012, e ka ditur se prejardhja e tokës buron nga veprat penale. Ai akuzohet nga Prokuroria se i ka ndihmuar Dukagjin Emerllahut dhe Mehmet Prishtinës për të pastruar paratë e pista.
Ai ka blerë dy herë tokë nga Emerllahu. Herën e parë, më 6 korrik të vitit 2010, ka blerë katër hektarë. Ka paguar vetëm 6.25 euro metrin katrorë. Herën e dytë, më 17 shtator 2012, ka blerë dy ngastra dhe ka paguar 7.14 euro për metër katrorë.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se Zhugolli ka kryer veprën penale të pastrimit të parave.
Në raportet financiare të financimit të partive politike, Zhugolli figuron zyrtarisht si donator i PDK-së.
Ndërsa Arton Vila prej shumë vjetësh është shofer dhe njeriu më i afërt i deputetit Azem Syla. Ai ka blerë tokë nga Dukagjin Emerllahu më 5 shkurt 2013 me një çmim, sipas Prokurorisë, artificialisht të ulët prej 10 eurove për metër katrore.
Vila ka shpjeguar se ka pasur kontratë pune me PDK-në, derisa gjendja e tij shëndetësore ishte keqësuar.
Albion Mulaku, ka blerë tokë nga Dukagjin Emerllahu me një çmim prej dhjetë eurosh për metër katrorë, në vitin 2012.
Më 13 nëntor 2012, po ashtu, ka blerë ngastra dy ngastra tjera me çmim prej dhjetë eurosh për metër katrorë.
Të tre janë pjesë e një grupi blerësish të mbi 36 hektarëve tokë të shtetit që pretendohet se është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria pretendon se këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime artificiale.
“Vlera e përgjithshme në treg e 45 parcelave, ishte në mes të 18 dhe 21.6 milionë euro. Të ardhurat që janë pranuar nga të pandehurit nga shitja e tokës është rreth 2.8 milion euro”, thuhet në ekspertizën financiare të kryer nga një ekspertë i angazhuar nga Prokuroria.
Në krye të të akuzuarve është ish-gjyqtarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Naxharije Hoti, ndjekur nga biznesmeni Mehmet Prishtina e Dukagjin Emerllahu.
I akuzuar është edhe Reshat Fetahu, shef i departamentit ligjor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Gani Ademi – këshilltar ligjor në Departamentin ligjor në AKP, Avni Maxhuni -avokat, Isak Ademi – noter, Shqipe Maxhuni, Dalip Ibrahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Lirim Zeka, Agim Jerliu, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami dhe Bajram Gashani.
Sipas aktakuzës, Dukagjin Emerllahu kishte paditur AKP-në duke kërkuar pronësinë për 11 hektar tokë që i kishte marrë me qira nga ndërmarrja KBI – Kosova export. Dhoma e Posaçme ia kishte hedhur poshtë padinë dhe pretendimin e pronësisë. Emerllahu e kishte bërë padinë në Gjykatën Komunale.
Gjyqtarja Naxharije Hoti, në kundërshtim me ligjin ia kishte njohur pronësinë për 36 hektarë, e jo 11 sa pretendonte ai.
Prokuroria aktakuzën thotë se e ka mbështetur në shumë prova. Mes tyre edhe në një ekspertizë financiare, e qershorit të vitit 2015. Ajo, sipas Prokurorisë ka vërtetuar dyshimet se transaksionet në mes të të pandehurve kryesor, Mehmet Prishtinës dhe Dukagjin Emerllahut dhe palëve të treta mund të konsiderohen shitje mashtruese dhe për këtë arsye ato përbëjnë veprën penale të pastrimit të parave.
“Ngastrat janë blerë dhe shitur për çmime që janë qartazi nën vlerën e tregut dhe këta shitës dhe blerës nuk posedojnë kapacitetin ekonomik për të ndërmarrë transaksione të tilla”, thuhet në ekspertizë.
Prokuroria konteston huamarrjet ndërmjet dy të akuzuarve kryesor.
“Huamarrjet dhe huadhëniet që pretendohet se janë bërë në mes të Mehmet Prishtinës dhe Dukagjin Emerllahut janë fiktive”, pretendohet në aktakuzë.
“Së pari nga pikëpamja financiare është absurde se të dy të pandehurit në të njëjtën kohë kanë marrë dhe kanë dhënë para hua njëri-tjetrit. Këto huamarrje-huadhënie janë bërë vetëm për të mbuluar shitjet mashtruese të tokave”.
Prokuroria pretendon se burimi i fondeve të të pandehurve për të blerë tokat dhe origjina e parave në llogaritë bankare është i panjohur.
Të pandehurit kryesorë thuhet se kanë depozituar dhe tërhequr sasi të konsiderueshme të parave, por burimi i këtyre fondeve dhe destinimi i tyre nuk është mundur të verifikohet.
“Për më tepër eksperti ka konstatuar se të pandehurit kryesorë Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emerllahu nuk kanë pranuar para nga ndonjë burim tjetër i ligjshëm. Në veçanti Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emerllahu nuk kanë pranuar asnjë transferim të parave nga kompanitë për të cilat ata janë përdorues të autorizuar, as nuk kanë depozituar para të gatshme dhe as nuk kanë tërhequr asnjë nga fondet nga llogaritë bankare të kompanisë”.
Të akuzuarit kanë mohuar se kanë kryer veprat penale.
Arton Vila ka thënë se paratë për blerjen e truallit i ka marrë borxh. Ka thënë se ndonëse nuk punon më për PDK-në, partia i ka dhënë pagë mujore prej 582 eurosh.
Vila ka thënë se ka bërë pagesën nëpërmjet bankës bazuar në këshillën e noterit. Ai ka deklaruar se paratë i kanë ardhur nga disa burime: 9000 euro nga babai, 7 mijë nga Naser Rexhepi dhe 7 mijë tjera nga Ismer Mustafa. Vila ka thënë se i ka shlyer disa prej borxheve, por jo të gjitha.
Ka thënë se pos që i ka gjetur një blerës, nuk ka pasur biznes më me të.
Kur i është prezantuar një transaksion bankar për Dukagjin Emerllahun, Vila ka thënë se i kishte marrë hua nga shokët, Faik Kastrati, Naser Rexhepi dhe Ismer Mustafa. Shuma ishte nëntë mijë euro.
Mehmet Prishtina ka thënë se me Dukagjin Emerllahun është takuar në 2010. Është arsyetuar se nuk e ka ditur se ai ishte në proces gjyqësor për atë tokë.
Ka mohuar të gjitha akuzat. Ka thënë se me Serpil Aliun – zyrtare në AKP, ishin takuar më 9 nëntor 2009 në ditëlindjen e saj dhe më pas kishin pasur raporte të mira. Ai ka mohuar se kishte kërkuar ndonjëherë nga Serpil Aliu që të vulos dhe nënshkruaj ndonjë dokument që duhet të dorëzohej në AKP.
Prishtina ka deklaruar se e njihte Reshat Fetahun dhe se e vizitoi në spitalin Sistina në Shkup, por ka mohuar se i ka paguar operacionin.
Prishtina ka thënë se kurrë nuk ka shkuar në Ulqin për t’u takuar me zyrtarin tjetër të AKP-së, Gani Ademin dhe se ai kurrë nuk e voziti atë nga Ulqini në Prishtinë. Prishtina ka deklaruar se u takua me Gani Ademin vetëm në zyrën e Reshat Fetahut – drejtor i Departamentit ligjor në AKP, kur kishte shkuar për të bërë pyetje në lidhje me një tenderë për kompaninë Trepça.
Ai ka thënë se ka blerë 5.5 hektarë tokë prej Dukagjin Emerllahut të cilat i kishte realizuar përmes dy kontratave.
Dukagjin Emerllahu është mbrojtur në heshtje.
Bejtush Zhugolli, ndërkaq ka thënë se është garantuar nga avokati Shefki Syla se gjithçka ishte në rregull me tokën përpara se ta blinte atë. Ka thënë se ka paguar 240-250 mijë euro me këste. Për pjesën e parë ka thënë se mori hua nga Dalip Ibrahimi.
Një transaksion tjetër, ka thënë se i ka ardhur nga vëllai Ilmiu, pronar i kompanisë ACDC në vlerë prej 152 mijë eurosh. Ato ia ka dhënë Dukagjin Emerllahut.
Ka thënë se këtë tokë e ka blerë për të bërë biznes, për ta shitur më shtrenjtë.
Albion Maloku, djali i kryetarit të Vushtrrisë, ka thënë se para se të blinte tokën prej Dukagjin Emerllahut, kishte kontrolluar në Kadastër dhe i kishin thënë se gjithçka ishte në rregull.
Ai kishte blerë fillimisht tokë për një mijë euro arin. Këtë tokë ka thënë se e kishte ndarë në parcela të vogla dhe e kishte shitur një pjesë të tokës në vlerë 600 mijë euro. Me paratë e kësaj shitje kishte blerë edhe parcela tjera me të njëjtin çmim.
Gjyqtarja që vendosi në mënyrë të paligjshme që pronën e shtetit t’ia japë Dukagjin Emerllahut, është e dënuar në një rast tjetër së bashku me një grup gjyqtarësh, përfshirë ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka./Insajderi.com