Raporti i auditimit për Klinën tregon se një festival dhe një klub futbolli, që drejtoheshin nga Sokol Bashota, kishin përfituar dhjetëra mijëra euro nga komuna.
Prokuroia Speciale ka njoftuar se është lëshuar urdhëresë për bastisje të shtëpive apo banesave të kryetarit të Komunës së Klinës, shoferit të tij dhe menaxherit të prokurimit të kësaj komune, te cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”.
Njoftimi përmend se dyshimet e prokurorisë daj kreut të Klinës lidhen me të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Insajderi raporton se raporti i auditorëve, i publikuar vitin e kaluar, pati konkluduar se dy veprime të kryetarit Bashota përbënin konflikt interesi.
Auditorët patën gjetur se komuna e Klinës ka ndarë 20 mijë euro për organizimin e festivalit tradicional “I këndojm lirisë”, që mbahet më 6,7,8 qershor.
Kryetari Bashota ishte edhe drejtues i këtij festivali.
“Më tej, mjetet janë derdhur, në llogarinë e Festivalit, dhe Kryetari autorizoi vozitësin e tij për tërheqjen e parave për mbulimin e shpenzimeve të festivalit. Kështu, pothuajse të gjitha faturat e pranuara për shpenzimet janë paguar me para të gatshme. Asnjë procedurë prokurimi nuk ishte zbatuar”, thuhet në raportin e auditimit, raporton Insajderi.com. Raporti nuk e përmend me emër vozitën e kryetarit Bashota.
Këto ishin shkeljet e kryera nga kryetari Bashota, bazuar në raportin e auditimit:
-Dy nga faturat në vlerë gjithsej 646€ janë paguar dyfish, si përmes sistemit të pagesave të Thesarit ashtu edhe me para në dorë;
-Për drekën në vlerë 3,908€ nuk kishte faturë fare. Shuma ishte mbuluar vetëm me dokument të përgatitur nga Komuna, e nënshkruar nga Kryetari, Drejtoresha e Kulturës si dhe vozitësi i Kryetarit;
-Gjithsej 660 litra (922€) derivate janë mbuluar nga këto mjete, për veturat private të pjesëmarrësve të ndryshëm në festival dhe për zyrtarët komunal, Asnjë aprovim paraprak nuk ekzistonte;
-Pagesa bërë ndaj jurisë së festivalit, gazetarëve dhe shpërblime tjera gjithsej mbi 2,000€, nuk janë të mbështetura me dëshmi relevante;
-Për pajisjet dhe materialet e blera, nuk ka raport pranimi, regjistrimi dhe nuk dihet ku ndodhen të njëjtat;
-Shumica e faturave datonin disa javë apo edhe muaj pas festivalit;
-Mbi 7,000€ janë mbuluar (shpenzuar) për ushqim, pije dhe dreka;
Auditorët, bazuar në këto të gjetura, kishin kërkuar nga Bashota që në të ardhmen të ndërpresë një praktikë të tillë të organizimit të festivaleve.
“Kryetari duhet të ndërpres praktikat e tilla të organizimit të festivalit, si dhe të mënjanoj konfliktin e interesit (të qenit drejtues i këtyre ngjarjeve). Një shqyrtim rigoroz i tërë procedurave të zbatuara lidhur me këtë rast, duhet të bëhet nga një komision i pavarur dhe të nxirren konkluzionet e duhura. Për faturat dyfish të paguara si dhe për pjesën e pa arsyetuar të shpenzimeve, paratë duhet t‟i kthehen Buxhetit të Kosovës”, thuhet në raportin e auditimit.
Keqpërdorimet në klubin “Dukagjini”
Rasti tjetër që përbente konflikt interesi, sipas raportit të auditimit, ishte fakti që Bashota kishte subvencionuar klubin futbollistik “Dukagjini”.
Bashota mbante pozitën e kryetarit të këtij klubi.
“Komuna e Klinës vazhdimisht subvencionon klubin futbollistik Dukagjini përmes vendimeve të Kryetarit, i cili njëherit është edhe Kryetar i klubit. Kjo përmban elemente të konfliktit të interesit”, thuhet në raportin e auditimit.
Raporti i auditimit tregon se ky klub, gjatë vitit 2014, është subvencionuar në vlerë prej 48 mijë e 485 euro.
Kjo shumë është sa 52 për qind e vlerës së tërësishme të subvencioneve që ndan komuna e Klinës përgjatë një viti.
Po ashtu kishte pasur parregullsi edhe për sa i përket arsyetimeve të shpenzimit të parave.
“ Kemi vërejtur se të gjitha pagesat (ndaj lojtarëve, gjyqtarëve dhe federatës së futbollit) janë bërë me para në dorë. Qasje tek këto fonde për tërheqje dhe pagesa, ka sekretari i klubit i cili njëherit është edhe zyrtar në Drejtorinë e Kulturës në Klinë”, thuhet në raportin e auditimit.
Edhe në këtë rast auditorët i kishin rekomanduar Bashotës që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të klubit “Dukagjini”.
“Prania e konfliktit të interesit në procesin e subvencionimit të klubit rrezikon ndarje subjektive të mjeteve, trajtim selektiv të klubeve dhe aktiviteteve sportive si dhe kjo mënyrë e bërjes së pagesave kesh nga klubi, rrezikon keqpërdorim të mjeteve”, thuhet në raportin e auditimit. /Insajderi.com