Njomza Salihi
Që nga viti 2015 kur edhe janë punësuar në MAPL – 18 zyrtarë serbë marrin paga nga shteti duke mos shkuar thuajse fare në punë – rrjedhimisht të njëjtit e kanë dëmtuar buxhetin për më shumë se 200 mijë euro.
Një marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte nënshkruar në vitin 2013, në Bruksel.
Atë kohë, ish-kryeminstri Hashim Thaçi dhe ish-homolgu i tij serb, Ivica Daçiq, pas negociatave të gjata patën vendosur inicialet e tyre në “letrën e bardhë” që mendohej se do të zgjidhte shumë çështje ndërmjet dy popujve.
Që nga atëherë – jo që s’ka pasur zgjidhje – por kjo marrëveshje dhe plot të tjera të nënshkruara gjatë këtyre shtatë vjetëve, pala kosovare i ka respektuar thuasje në përpikmëri, derisa krejt të kundërtën e kanë bërë serbët, shkruan Gazeta Insajderi.
Disa nga këta të fundit, që rrjedhimisht janë banorë të Kosovës, por të dirigjuar nga shteti serb, ishin punësuar më 2015 në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Vendimi për punësimin e tyre ishte bazuar në marrëveshjen e Brukselit, pasi e njëjta parashihte shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” e cila kishte funksionuar në komunat veriore të Kosovës.
18 nga serbët që ishin pjesë e këtij “formacioni” – shteti i Kosovës i pati sistemuar në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal.
Shteti i paguan, punëtorët serbë nuk punojnë
Gazeta Insajderi ka zbuluar se Bojan Raskoviq, Novak Stepanoviq, Sllobodan Radiq, Nenad Blagojeviq, për një kohë s’kanë dalë fare në vendin e tyre të punës.
Por pavarësisht mospunës, të njëjtit janë paguar rregullisht nga buxheti i Kosovës.
Madje sipas një përllogaritje, bazuar në pagat e tyrë, shteti duke paguar këta katër punonjës, por edhe 14 të tjerë, ka humbur për më shumë se 200 mijë euro.
Kur Insajderi ka pyetur MAPL-në pse janë kryer pagesat derisa të njëjtit nuk kanë qenë fare në punë, ky institucion që tani udhëhiqet nga ministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, i ka thënë gazetës se gjithçka rreth këtij procesi ka ndodh sipas marrëveshjes së Brukselit.
Pavarësisht “marrëveshjes”, MAPL për këtë çështje ka marrë kritika nga Zyra e Auditorit.
“Ne kemi trajtuar një numër mostrash lidhur me vijueshmërinë në punë të stafit të MAPL. Për zyrtarët e lartcekur ministria, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 18 zyrtarë ishte 81 mijë 156 euro”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të publikuar në qershor të 2019.
Krejt kjo humbje e buxhetit sipas Auditorit ka ndodh “për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës”.
“Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe nuk janë pagesa të rregullta. Si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë”, thuhet tutje në raport.
Madje Auditori Gjeneral ka dhënë edhe një rekomandim për këtë minsitri.
“Ministria duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.
Pas këtij rekomandimi, punonjësit kanë filluar të raportojnë në baza javore dhe të nënshkruhen në librin e vijueshmërisë, konkludon Zyra e Auditorit Kombëtar në raportin e sivjetshëm.
Por, Gazeta ka gjetur se 18 zyrtarët serbë edhe gjatë pjesës se dytë të 2019, por edhe në fillim të këtij viti kanë vazhduar të shkojnë në punë vetëm kur ata kanë pasur dëshirë.
Gazeta Insajderi poashtu ka kërkuar nga MAPL raportet e përjavshme të punës, ashtu si parasheh marrëveshja e arritur ndërmjet ministrisë dhe katër komunave veriore, dhe ka parë se të njëjtit në disa raste as që i kanë dorëzuar ato.
Këta punonjës ishin planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, por në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.
Të njëjtit më pas janë sistemuar në komunat veriore, pas një vendimi që ishte marrë në nëntor të 2019-ës.
Kur mospuna të “ngrit” në detyrë
Bojan Raskoviq, Novak Stepanoviq, Sllobodan Radiq, Nenad Blagojeviq, më 25 shkurt 2020, kanë marrë pozita të reja, pavarësisht se të njëjtit shpesh as që gjenden në vendin e tyre të punës.
Gazeta Insajderi i ka siguruar vendimet për transferimin e tyre në pozita të reja – vendime këto që janë nënshkruar nga Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj. E njëjta nuk ka dhënë asnjë përgjigje për gjithë procesin, ndonëse është pyetur nga Insajderi.
Këto ndërrime pozitash sipas MAPL-së kanë ndodh për një arsye.
“Në rastin konkret, lidhur me zyrtarët e apostrofuar, ju informojmë se MAPL ka miratuar strukturën e re organizative dhe një numri të caktuar të departamenteve i është zvogëluar numri ekzistues i stafit, për shkak të krijimit të një departamenti të ri”.
“Me këtë rast, në procesin e ri-sistemimit, ashtu siç janë sistemuar në gradën dhe pagën e njëjtë edhe stafi tjetër, është akomoduar edhe stafi që janë punësuar në kuadër të procesit të integrimit. Prandaj është bërë ri-sistemimi i tyre”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Insajderin.
Insajderi e ka pyetur kryeminsitrin Albin Kurti nëse gjatë qeverisjes së tij do të lejojë keqpërdorime të tilla të buxhetit, por pavarësisht se ka kaluar kohë që nga dërgimi i pyetjeve, zyra e tij ende nuk ka kthyer një përgjigje për gazetën./Insajderi.com