41 premtimet e pesë kandidatëve për kryeministër –  Nuk përmendet liberalizimi i vizave

Luftë kundër korrupsionit, rritje të pagave, rritje ekonomike, rritje të pensioneve, subvencionim të bujqësisë, miliona për shëndetësi, arsim e ushtri, këto janë vetëm disa nga premtimet më të mëdha që kanë dhënë kandidatët për kryeministër gjatë ditëve të fushatës. Por kësaj radhe asnjëri prej tyre nuk ka premtuar liberalizim të vizave e as punësimin e mijëra të rinjve kosovarë, shkruan Gazeta Insajderi.

41 premtimet e pesë kandidatëve për kryeministër –  Nuk përmendet liberalizimi i vizave

Që nga 19 korriku kur kryeministri në largim Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga i pari i Qeverisë së Kosovës, partitë politike në vend nisën mobilizimin për zgjedhjet e reja që do të mbahen më 6 tetor.

Shumë premtime e shumë fjalë dhanë përgjatë dy muajve sa Kosova ishte në pragun e zgjedhjeve të parakohshme, ani pse, fushata zgjedhore nisi zyrtarisht vetëm nëntë ditë më parë. Ka mbetur vetëm edhe një ditë, që partitë të premtojnë e ta shpalosin programin para qytetarëve të Kosovës.

Por, çka kanë premtuar ata deri më sot?

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, Kadri Veseli, nuk i kursej të mirat që do t’ia sjellë qytetarëve nëse e merr mbështetjen e tyre me 6 tetor.

Lufta kundër korrupsionit ishte kryefjala në fushatën zgjedhore të PDK-së. Përveç një byroje që premtoi që do ta hap Veseli, byro e cila sipas tij do të jetë tmerr e ankth për të korruptuarit, ai premtoi edhe rritje të pensioneve deri në 80% si dhe barna pa pagesë për pensionistët, e kjo përqindje ishte edhe për subvencionet ndaj fermerëve. 300 çerdhe tha ai se do t’i ndërtojë deri në fund të mandatit e tij nëse bëhet kryeministër edhe nja 1 mijë euro për çdo lindje të tretë.

Ai premtoi edhe zgjidhjen e problemit me fyerjen e listave të veteranëve dhe një fond prej 200 milionë euro për punësim. Nuk kishte si të mungonte edhe premtimi për infrastrukturën në fushatën zgjedhore të PDK-së.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, po e kërkon edhe një mandat tjetër. I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhi koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate (PSD). Listës së këtij koalicioni i prinë Haradinaj, i cili është edhe kandidat për kryeministër.

Ramush Haradinaj, premtoi shumë. Ai tha se nëse sovrani i beson edhe një mandat ai do ta rris pagën në sektorin publik 10% çdo vit. Po ashtu, ai tha se nëse qeverisë sërish, sektori privat do ta ketë në plan të parë. Me edhe një mandat në krye me të, Haradinaj tha se rritja ekonomike e Kosovës do të shkoi deri në 8%. Ai premtoi edhe buxhet të veçantë për gratë shtatzëna dhe lehonat.

Paga minimale Haradinaj tha që do të jetë 250 e deri në fund të mandatit do të bëhet deri në 350. Ai premtoi po ashtu edhe zgjerimin e Policisë së Kosovës. Haradinaj tha se do t’i punësojë deri në 2000 policë të rinj deri në fund të mandatit. E ajo që e ka përsëritur gjatë gjithë fushatës ishte premtimi se me të si kryeministër, nuk do të cenohet territori i Kosovës. “100%”, tha se do të qëndrojë.

Vjosa Osmani i prinë listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Si e tillë ajo është kandidate për kryeministre nga kjo parti.

Premtimi i parë i saj dhe që po e përcjellë hap pas hapi është që nuk do të bëjë koalicion paszgjedhor me PDK-në. Osmani po ashtu premtoi qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit në Kosovë. Ajo premtoi vetting për gjyqësorin, prokurorinw dhe policinw.

Pjesë e programit të saj është edhe familja, ku premtoi  100 euro për të porsalindurit, lehtësim për çiftet e reja që duan të blejnë banesa. Ajo premtoi edhe punësim, ndërsa në ditët e saj të para si kryeministre tha se do t’i jap shëndetësisë 200 milionë euro. Vjosa Osmani premtoi heqjen e barrierave për prodhuesit vendorë ndërkaq tha se politika nuk do të ketë dorë në biznese. Osmani premtoi edhe bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët. E me të si kryeministre, rritja ekonomike tha se do të jetë 6% gjatë mandatit të parë.

Koalicioni tjetër parazgjedhor ishte ai mes NISMA Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re (AKR). Bartës i listës së këtij koalicioni është Fatmir Limaj. Limaj, nëse bëhet kryeministër i Kosovës e ka lëshuar dorën goxha shumë.

Ai ka premtuar sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët e republikës. Edhe ai ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro. Limaj, ka premtuar edhe zhvillim të bujqësisë teksa ka thënë që do të ndahen 500 milionë euro për këtë sektor, ndërsa ka thënë që do të jap shtesa për fëmijë si për familjet që punojnë ashtu edhe për ata që s’punojnë.

Limaj ka premtuar edhe reformë në drejtësi. E krejt këto ka thënë që do t’i bëjë pasi që ta përmbyllë dialogun me Serbinë, që do të jetë puna e parë që do ta bëjë ai si kryeministër nëse merr mbështetjen e qytetarëve.

Albin Kurti, është kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Kurti, si kryeministër ka thënë se do të bëjë që ligji të sundojë në vend.

Ai ka premtuar një të punësuar për çdo familje në Kosovë. 1000 bursa brenda dhe jashtë vendit për gratë dhe vajzat. Kurti ka premtuar se do të ketë barazi sociale në rast se udhëheqë me ekzekutivin.

Me të si kryeministër nëse merr besimin nga votuesit, Albin Kurti ka premtuar se do të investojë 160 milionë euro në arsim dhe 120 milionë euro në shëndetësi dhe 400 milionë euro për ushtrinë deri në fund të mandatit. Ndërsa në sektorin e minierave dhe energjinë ai tha se do t’i investojë mbi 2 miliardë euro.

Ai ka premtuar edhe grant për Komunat e Kosovës në vlerë të 600 milionë eurove. Kurti ka premtuar edhe heqjen e taksës në rrugën e kombit ndërsa ka thënë që do ta bëjë një autostradë që lidhë Prizrenin me Tetovën.

6 nga 41 premtimet që kanë premtuar pesë kandidatët janë të njëjta, si ajo e shëndetësisë, arsimit, rritjen e pagës minimale, zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe dialogu me Serbinë.

Por asnjëri nga ta nuk ka premtuar ndonjë afat se kur do të mund të lëvizin qytetarët e Kosovës pa viza në Evropë, si kishin përmendur herë të kaluara partitë politikë. Kësaj radhe nuk janë premtuar as shifrat e mijëra vendeve të reja të punës, siç pati ndodhur në disa palë zgjedhje të kaluara.

E puna e parë që do ta bëjë kryeministri i ardhshëm i Kosovës  është ta përmbyllë dialogun në mes Kosovës e Serbisë. Kjo është ajo që e kanë premtuar të gjithë kandidatët për kryeministër, derisa, secili nga ta ka thënë që është i denjë që ta përmbyllë këtë dialog në të mirë të vendit./ Insajderi.com