6 kurbanë për Sulltanin Erdogan

Kosova ka bërë ‘kurban’ 6 gylenistë që i duheshin për nevojat e politikës sëbrendshme Presidentit turk Rexhep Tayp Erdogan. Por, si ndiko në Kosovë ky operacion i shërbimeve sekrete kosovare e turke dhe cilat do të jenë pasojat e tij, janë trajtuar gjerësisht në një dokumentar 50 minutësh të Indoks me titullin “Telenovelë me turq”

6 kurbanë për Sulltanin Erdogan

Në një zyrë të mobiluar mirë të një kolegji privat në Lipjan i ulur afër nënës së tij rri një fëmijë tre vjeçar me prindër turq, por i lindur në Kosovë. Nëna e tij po bëhet gati që të flasë për Indoks, kurse ai vazhdon të luaj në iPad-in e tij. Vetëm disa javë më parë këtij fëmijë Shteti i Kosovës ia ka vjedhur babanë. Kështu së paku e interpreton atë se çka i ndodhi babait të tij Kryeministri Ramush Haradinaj. Babai i këtij fëmije, Kahraman Demirez, kur u mor, “depërtua”, kidnapua, apo vodh- sido që ta quajmë, ishte me gruan në shkollën e tij në Gjakovë, ku është drejtor. E morën në sy të nxënësve. E morën njerëzit me maska. Fatin e këtij fëmije e patën edhe 9 fëmijë të tjerë turq që mbetën pa baba kur Shteti kosovar i “depërtoi” 6 gylenistët.

As kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli nuk ishte më i butë në cilësime për këtë rast. As Fatmir Limaj. As Behgjet Pacolli. Madje, për çudi, as presidenti Hashim Thaçi nuk e pranoi në fillim që e dinte për këtë operacion.

Liderët kosovarë edhe disa javë pas këtij operacioni tepër të dyshimtë të depërtimit të 6 qytetarëve turq të përmendur si gylenistë për në Turqi nuk kanë veç një qëndrim të përbashkët. Madje as veç e veç nuk e kanë nga një qëndrim se çka ndodhi paraditen e 29 marsit. I kanë disa qëndrime secili.

As sot nuk është krejt e qartë se si ndodhi ky operacion që më shumë ngjanë si një telenovelë më turq në zemër të Evropës. Diçka si seriali i famshëm “Shekulli i Madhërishëm”, një histori për sulltanët ku kundërshtarët eliminohen me çdo kusht. Me brutalitet.

Një komision hetimor parlamentar pritje që të sqaronte diçka, por Kuvendi i Kosovës në mungesë të numrit tëmjaftueshëm të deputetëve dështoi ta themelonte këtë komision.

Por, si ndiko në Kosovë ky operacion i shërbimeve sekrete kosovare e turke dhe cilat do të jenë pasojat e tij, janë trajtuar gjerësisht në një dokumentar 50 minutash të Indoks me titullin “Telenovelë me turq”

Këtu e gjeni të plotë videon e dokumentarit “Telenovelë me turq”:

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-telenovele-me-turq-2

Thasë të zinj në kokë për mësuesit

Ishte një e enjte krejt e zakonshme. Jusuf Karabina po shkonte në vendin e punës me gruan dhe djalin. Dhe e ndaloi policia e rregullt e shtetit kosovar, ku që të tre gëzonin lejeqëndrimi valide. Policët kosovarë në bashkëpunim me agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ishin veç punëkryes të një operacioni të Inteligjencës Turke që po operonte në Kosovë si në shtetin e Erdoganit.

Nga momenti i arrestimit deri te intervista për InDoks që u transmetua të dielën që shkoi, kanë kaluar disa ditë. Jasemin Karabina po ashtu ka dhënë edhe shumë intervista, por përsëri na kërkoi të falur që në fillim se shpesh mund ta humb kontrollin nga traumat që ka marrë nga ai moment.

“Ne si çdo mëngjes në orën 08:00 kemi dal nga shtëpia dhe kemi ardhur për në punë. Edhe atë ditë kemi dal në 08:05 nga shtëpia dhe duke shkuar në shkollë na ndaloi policia. U afruan dy policë te makina, ishin policë të trafikut me uniformë, u afruan njëri nga ana e majtë njëri nga ana e djathë, në makinë ishin tre veta shoku, unë dhe djalin e kishim mbrapa ata ishin më arrogant më të rreptë kur u afruan afër nesh, ata i kërkuan burrit dokumentet dhe e pyetën mos ka bërë ndonjë shkelje ata than se po dhe ishin shumë të rreptë”, rrëfen për InDoks Jasemin Karabina, gruaja e Jusuf Karabina.

Derisa Karabina e nxori letërnjoftimin policët ia kërkuan telefonin “burri nuk deshi të ia jap telefonin dhe i tha: jo jo, e kuptuam se nuk e kanë qëllimin e mirë dhe kanë ardhur për të na marr, pra të na kidnapojnë sepse nuk ishte zhvilluar ngjarja në bazë të ligjeve”, thotë Jasemin Karabina.

Ajo thotë se kur e kërkuan telefonin e kuptuan që do të bëhet një lloj kidnapimi dhe i thamë jo.

“Polici e hapi derën edhe e kapi djalin me dhunë, u mundua t’ia mbyll gojën dhe ta ngreh pas vete, ndërsa edhe shokun në anën tjetër polici u mundua ta marrë. Por si e pash që polici e mori djalin desha ta shpëtoj djalin sepse ai është ende 15-vjeçar. Ai polici ishte i zhvilluar edhe u mundua ta marrë djalin me dhunë, u mundua që ta alivanos djalin sepse u mundua t’ia mbyll gojën dhe pa asnjë sqarim, pa asnjë sqarim…”, vazhdon rrëfimi i  saj.

Dhe, rrëfimi i Jasminës është i gjatë. Është i detajuar, por historia dihet- burri i saj u mor me dhunë në sy të djalit 15-vjeçar që po ashtu u ushtrua dhunë ndaj tij nga policët dhe, edhe sot mban shenja dhune në trup. Ajo me burrin nuk e prisnin arrestimin bash atë ditë, por duket se nuk ishte krejt i papritur ky aksion.

“Do të thotë kemi të qenë të njoftuar për lajme të tilla të ngjashme në vende të ndryshme që ishte bërë kidnapimi si në Malajzi, Pakistan në Indonezi ka ndodh, do të thotë kemi qenë në dijeni për raste të tilla dhe për ata reaguam, edhe polici që u afrua nuk e kishte ndërmend të na arrestoj por kishte ndërmend të bëjë kidnapim”, thotë Jasemin Karabina, gruaja e Jusuf Karabina.

Por krejt në befasi ishte zënë Ollgjan Demirez, gruaja e drejtorit të shkollës së Fetullah Gylenit në Gjakovë, Karaman Demirezit.

“Nuk ishim bashkë momentalisht atëherë por ishim në të njëjtën ndërtesë edhe unë isha në shkollë, burri im është drejtor i shkollës, ai ka qenë në zyre të vet. Policia ka ardhës nja 10 policë me dy tri makina në shkollë pa pas ndonjë dokument zyrtar për urdhër arrest apo dicka tjetër, mirëpo duke pas parasysh raportet e burrit tim me policët në Gjakovë ka menduar se dikush prej tyre është ardh në shkollë. Policët janë munduar që të sillen në mënyrë më të butë atje. Për shkak se ndoshta atë ditë shkolla ka qenë plotë me nxënës, e kemi pas të organizuar edhe një shëtitje me nxënës janë munduar që mos të binin shumë në sy ardhja e tyre në shkollë. Dhe i kanë thënë burrit tim se janë të interesuar të dinë për ID-të, leje qëndrimet dhe a ka mundësi të vini jashtë deri në oborr të shkollës. Në të njëjtën mënyrë i kanë marr edhe dy arsimtar të shkollës i kanë thënë hajde në oborr, kemi për të ju pyetur në lidhje me lejet e qëndrimit”, rrëfen Ollgjan Demirez, bashkëshortja e Karama Demirezit

Inskenimi i agjentëve të AKI-së dhe policëve kosovarë që po punonin për agjentët e Erdoganit se po kërkonin veç shikim të ID-ve doli të ishte diçka më e madhe.

“Ne asnjëherë nuk kemi pas problem apo telashe me policinë e kemi pas çdo gjë në rregull dhe kemi mendur që do të shtrojnë vetëm disa pyetje në lidhje me ato ID….Nuk kanë fol policët hiq, vetëm njëri prej tyre ka fol ai që ka pyet, domethënë ai që ju ka thënë të shkojnë atje, tjerët nuk kanë fol vetëm i kanë ndalu ata që janë afruar dhe i kanë thënë mos t’ju afrohen me gjeste me sjellje dhe sapo kanë shkuar atje në oborr të shkollës i kanë arrestuar i kanë vënë prangat shoku ju kishte thënë mos në prezencë të nxënësve mos të shohin nxënësit këtë”, tregon ajo.

Në krejt këtë fatkeqësi, ndodhi edhe diçka tjetër. Ky fëmijë i lindur në Kosovë, të paktën nuk e pa me sytë e tij se si shteti po ia vidhte babanë, të cilin e pret ende që të vjen nga shkolla. Edhe pse ai mund të mos vjen më kurrë.

“Nuk i ka parë në ato momente djali ka qenë me mu edhe nuk ka parë policët, vetëm herë herë po pyet kur kthehet babi, po i them se është në mësim dhe kur te kryen mësim vjen është i vogël edhe nuk është duke e ditur se çfarë është duke ndodhur”, thotë Ollgjan Demirez.

Nazmi Ullus që deklaron se “i përkrah idetë e z. Fetullah Gylen dhe mund të them se jam thellë i prekur nga mënyre a tij e të kuptuarit të Islamit”, përtej rrëfimeve emotive të familjarëve, si drejtor i Kolegjit “Mehmet Akif” në Lipjan, jep për këtë dokumentar një kronologji të krejt asaj se çka ndodhi me 6 gylenistët e arrestuar. Del që deri te arrestimi i fundi agjentëve turq dhe atyre të AKI-së nuk iu desh të punoni as deri në ora 10 të mëngjesit.

“Të enjten në mëngjes zëvendësdrejtori i menaxhmentit të shkollës tonë është ndaluar derisa po vinte në shkollë. Lajmin e parë e kemi marrë nga gruaja e tij dhe siç edhe ju mund ta keni parë nga kamerat, ai është marrë duke u sulmuar nga policët. Ai është marrë nga makina dhe Yusuf Bay ishte prangosur dhe u dërgua në Stacionin Policor. Kjo ishte ngjarja e parë që ne kishim, që ne dëgjuam. Ndodhi këtu, në rrugën Prishtinë-Ferizaj, krejt afër shkollës. Pra kjo ishte ngjarja e parë që ne morëm vesh dhe ndoshta në të njëjtën kohë shkolla jonë në Gjakovë, mësuesit dhe drejtori ishin marrë nga shkolla derisa krejt këtë po e shihnin me sytë e tyre nxënësit. Tre nga miqtë tonë u morën nga shkolla….pas kësaj drejtori ynë gjeneral shkoi që ta vizitonte stacionin policor në Prishtinë dhe ai u mor po ashtu derisa ai ishte aty vetëm për të pyetur se çka po ndodhte, dëshironte të merrte informacione. Pas kësaj mësuam se një nga prindërit e nxënësve tonë, Doktor Osman Karakaya ishte marrë nga shtëpia e tij diku rreth orës 9:30”, rrëfen Ullus.

Dhe përshkrimi që ai iu bën të depërtuarve nga Kosova për në Turqi më së paku të japin përshtypjen se janë pjesëtarë të një organizate terroriste.

“Mustafa Erdem, ishte drejtor gjeneral i Instituti “Gylistan”. Yusuf Karabina, zëvendësdrejtor i “Gylistan” Kahraman Demirez, drejtor i degës së shkollës në Gjakovë, Hasan Huseyin, ishte mësues i kimisë në Gjakovë, Cihan Ozkan, ishte mësues i biologjisë në Gjakovë përsëri, dhe mjeku Osman Karakaya ishte prind i kësaj shkolle, nuk ishte mësues dhe ai ka ardhur këtu para se të ndodhte tentim-grusht shteti që ndodhi më 2016 në Turqi”, thotë Ullus.

Përtej fakti që presidenti turk Rexhep Tayp Erdogan po kërkonte kohë të gjatë dhe me ngulmë gylenistët për t’i mbushur burgjet me ta, në rrëfimin për InDoks, Nazmi Ullus ka një shpjegim se pse ata u zunë në befasi. Një mit që lidhet me shqiptarët.

“Ne ishim të befasuar dhe ishim të shokuar me këtë çështje, çdo anëtar i institucioneve “Gylistan”. Pse kjo? Sepse ne po ndiheshim të sigurt në Kosovë. Ne besonim se duart e gjata të Erdoganit nuk do të arrinin këtu, sepse ne besonim në “besë”. Në besën e shqiptarëve”, thotë ai.

Nuk e dinte as Hashim Thaçi?!

“Shikoni, unë nuk kam pasur rast të njihem personalisht ndonjëherë me presidentit Erdogan, ne kemi interes për një partneritet strategjik me Turqinë në planin ndërkombëtar dhe në marrjen e njohjeve dhe nuk dua të paragjykoj asgjë. Ajo që është me rëndësi, që në Kosovë, e thashë edhe njëherë, nuk mundet dikush t’i kryejë punët tona në emrin tonë, i kryejmë ne vet, kur besojmë në to edhe nuk mundet dikush me vjedhë njerëz në Kosovë. Kjo ishte një lloj vjedhjeje e njerëzve nga Kosova”, kështu e interpretoi për Zërin e Amerikës Kryeministri Ramush Haradinaj dëbimin e 6 gylenistëve.

Këto komente të kryeministrit Haradinaj, tash pas disa javësh kur 6 gylenistët u dëbuan nga Kosova nuk e habisin askënd. Nuk e habisin as komentet e ngjashme të Kadri Veselit, Behgjet Pacollit e lidëve të tjerë vendoër (Këtu gjejmë citate të Veselit, Pacollit e Limajt për këtë rast).

Ajo që befason në këtë mes është që edhe presidenti Hashim Thaçi, sivëllai i presidentit Erdogan tha krejt në fillim që nuk e dinte për këtë aksion. InDoks merr vesh që madje edhe njerëz të afërt të Erdoganit të ngarkuar për Kosovën ishin befasuar kur e morën vesh për këtë qëndrim të Thaçit. “Edhe Hashim Thaçi po thotë që nuk e dinte a?!”, kishte pyetur ai.

Por, përtej implikimit të tij në operacionin e dëbimit të 6 gylenistëve, me shkollat e Fetullah Gylenit, Thaçi ka një lidhje fortë personale. Atë e zbulon më në detaje drejtori i këtij Kolegji.

Nazmi Ullus për këtë dokumentar e komenton në mënyrë interesante fotografinë tashmë shumë të famshme ku Hashim Thaçi me tëbririn, Endritin po e vizitonin shkollë “Mehmet Akif”, ku Endriti ishte nxënës i saj.

“E di këtë fotografi. Ndoshta mund të jetë dy vite apo tri më parë dhe djali i tij ishte student këtu. Ai e pati vizituar shkollën tonë dhe ne kishim kontakte të mira me të. Ai ishte i lumtur që djali i tij ishte këtu. Dhe dy nga njerëzit në këtë foto nuk janë më këtu. Ky pas është Yusuf Bay, dhe ky me syze është drejtori ynë, Mustafa Erden.? Ai (Hashim Thaci) ishte një nga prindërit këtu”, thotë Ulus dhe i pyetur se a e kanë takuar pas aksionit të fundit Thacin shpreshet se “ne nuk e patëm atë shans”, thotë ai.

Por, a i preu në besë Hashim Thaçi gylenistët. Në besën e shqiptarit?

“Çka të them? Nuk e di. Nuk mund të them asgjë për këtë, por…”, e ndërprenë në gjysmë fjalinë Ullus.

Nëse Hashim Thaçi nuk e pati fare problem që të implikohej në një operacion që po dërgonte drejt burgut, ndoshta më vonë edhe drejt vdekjes, mësuesit e të birit, ai do ta kishte fortë problem ta bënte të kundërtën- t’i kundërvihej Erdoganit.

Rexhep Tayp Erdogan ishte një nga liderët e rrallë botërorë që ia hapi derën Hashim Thaçit si kryeministër kur atë nuk po e takonte askush. Dhe, Thaçi ia ktheu Erdoganit me bereqet.

Ende mbesin me pikëpyetje të mëdha dhe dyshime të forta për korrupsion kalimi i dy aseteve fort të rëndësishme të Kosovës, Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe shitjes për një çmim gati falas i krejt rrjetit të shpërndarjes së energjisë në vend.

Të dy këto asete u dhanë nga Qeveria e Hashim Thaçit dhe iu dhanë kompanive turke. Çalik Holding që ka në pronësi distribucionin, që njihet tash si KEDS, për një kohë të mirë e pati si drejtor gjeneral Berat Albayrakun, që është hiç më pak sesa dhëndri i Erdoganit, derisa koncesionari i Aeroportit, Limak pra, është bashkaksionar në KEDS me “Çalikun”.

Një njësi që zyrtarisht e pavarur, por në praktikë jo, siç është Zyra e Rregullatorit për Energji në kohën e Thaçit Kryeministër kishte nxjerr një vendim absurd në favor të kompanisë turke KEDS. ZRRE-ja ia mundësonte turqve që faturat e rrymës që nuk i paguajnë qytetarët e komunave veriore, kryesisht serbë, ti paguanin qytetarët shqiptarë të pjesë tjetër të Kosovës, por kompania turke assesi të mos kishte humbje. Avokati i Popullit kishte përllogaritur që përfitimi nga ky vendim që më vonë e rrëzoi Gjykata e Apelit ishte mbi 8 milionë euro çdo vit për kompaninë e afërt me Erdoganin.

Por, as kompania tjetër turke që koncesionoi Aeroportin Limaku pra, nuk u nda keq me përfitime nga Qeveria kosovare. Një studim i kryer për këtë privatizim thoshte se “Koncesioneri fitues, nëpërmjet marrëveshjes për Partneritet Publiko-Privat ishte zotuar të ndërtonte një terminal të ri me hapësirë prej 26.000 m2, kullë të re të trafikut ajrorë, investime në pistë për akomodimin e aeroplanëve më të mëdhenj dhe vende të reja parkimi për 1750 makina”.

Por, vitin që shkoi doli që taksa-paguesit kosovarë do të ndërtojnë pistën e re që do ta përdor për biznes e profit kompania turke, dhe kjo do ti kushtojë buxhetit të shtetit hiç më pak se mbi 30 milionë euro.

Më shumë se sa vëllezër që shkojnë bashkë në xhami, Thaçi e Edogani dalin të jenë partner në biznes. Dhe këtë e konfirmoi së fundmi edhe Erdogani. Kur ai po e kritikonte Haradinajn që shkarkoi shefin e AKI-së Driton Gashi e ministrin e brendshëm Flamur Sefaj për operacionin kundër 6 gylenistëve, po e falënderonte Hashim Thaçin. (Mbyllet me disa pamje nga kjo video: https://aa.com.tr/sq/vg/galeria-e-videove/presidenti-thaci-pritet-me-ceremoni-zyrtare-nga-erdogan).

Sekti i Gylenit që shqetëson Ministrin

“Dashta me than që këto janë procedura nganjëherë që edhe unë i përmbushi si ministër i drejtësisë në  mandatin tim, thash në 47 ekstradime i kam bërë në fakt nuk është se e kam pyet naj kënd, që i kam tregu që e kam informua naj kënd gjitha ato ekstradime”, thotë për Indoks ky ministër i Ramush Haradinajt.

Përtej implikimeve politike, operacioni për arrestimin e 6 gylenistëve në Kosovë pati edhe implikime ligjore. Madje më shumë se sa termi zyrtar “dëbim” u përdor termi kidnapim, rrëmbim, si dhe “vjedhje” e 6 gylenistëve.

Operacioni ishte aq sekret sa zyrtarisht dihet se atë e dinin në detaje veç shefi i deritanishëm i AKI-së, Driton Gashi dhe Flamur Sefaj, ministër i brendshëm. Që të dy më vështirësi, por arriti që t’i shkarkonte kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, shumë ditë pasi ndodhi krejt ky aksion, Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, mbajti një fjalim në Kuvend, që dukej që po e kundërshtonte shefin e tij Ramush Haradinaj që shkarkoi Gashin e Sefajn kryesisht pse nuk e njoftuan për operacionin. I po u thoshte de[utetëve që ka ai ka bërë disa ekstradime dhe nuk e ka njoftuar askënd, sikurse MPB-ja që ka bërë qindra dëbime, por po ashtu nuk e ka njoftuar as Kryeministrin e as Presidentin.

Një ditë më pas këtij fjalimi Tahiri dha një intervistë për këtë dokumentar dhe kjo është përgjigja që i jep, që ngjan si mbrojtje për shefin e AKI-së, së paku.

“Jo nuk deshta me thanë por kërkesa…, ne duhet me kuptu rolin e secilit edhe timin si ministër i drejtësisë edhe ministrit të punëve të brendshme edhe të shefit të AKI-së edhe të kryeministrit ne duhet me ditë mandatin e secilit”, përgjigjet tahiri i pyetur se a po thoshte që Kryeministri po kërkonte shumë të dinte gjithçka.

Ministri i Drejtësisë shpesh duket edhe si zëdhënës i AKI-së.

“Unë nuk jam ai që e vlerësoj mirëpo ka të bëma shqetësuese, ne e kemi pas një takim, kemi pas edhe mbledhjen e këshillit të sigurisë pas kësaj ngjarjeje edhe e kemi pas edhe një takim të vonë, në orët e vona drejtuesit e institucioneve këta që kemi të bëjmë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe kam pas qasje në ato dokumente kam arrit mi pa disa prej tyre, jo të gjitha dhe janë shqetësuese edhe mendoj që jemi në një situatë të re ku duhet të trajtohen seriozisht problemet edhe në fund të ditës duhet të jenë qytetarët ata të cilët mund t’i vujnë pasojat nga cdo kërcënimi që mund të vije nga ata, çoftë nga kushdo tjetër”, thotë ai.

6 gylenistët ishin “deportuar” nga Kosova me një raport të AKI-së që kryesisht thoshte se ata paraqesin rrezik për sigurinë nacionale. Ky raport ende nuk është parë në mënyrë të ligjshme nga publiku, por Ministri i Drejtësisë thotë që Lëvizja e Gylenit në Kosovë, përmes shkollave së paku po bëhet shqetësim, ani se me shkollën e Gylenit këtu ai ka edhe një lidhje personale. Madje edhe Ramush Haradinaj e ka po të njëjtën lidhje me ta.

“Jo absolutisht unë mendoj që edhe kryeministri është i shqetësuar mas raporteve që e ka pa me cka kemi të bëjmë në Republikën e Kosovës edhe unë edhe kryeministri i kemi fëmijët në atë shkollë edhe normalisht na shqetëson, unë nuk e kam ende mirëpo e kam regjistru për vitin e ardhshëm, mirëpo na shqëetëson se me cka kemi të bëjmë me cfarë kemi të bëjmë a kemi të bëjmë me dicka ma shumë se shkolla, a kemi të bëjmë me ndonjë sekt fetar, a kemi të bëjmë me dicka më të madhe në Republikën e Kosovës gjë që unë kurr nuk e kam menduar më përpara që mund të jetë dicka e tillë…Ajo që më brengos jashtëzakonisht shumë është cenimi i sigurisë tonë kombëtare”, thotë Abelard Tahiri

E, pak para tij një lajm ishte publikuar që thoshte se vetëm njëri nga 6 gylenistët e arrestuar kishte qarkulluar 60 milionë euro në vit, një shumë që po të del e vërtetë edhe lë vend për shqetësim.

Por, krejt kjo situatë i duket banale drejtorit të kolegjit “Mehmet Akif” dhe e mohon se ky lajm është i vërtetë.

“Jo. Si mund të jetë kjo e mundur. Ne e kemi lexuar këtë lajm po ashtu dhe avokatët tanë janë duke punuar ne këtë çështje dhe do t’i pyesim ata të na i shfaqin provat, cilat janë ato….Nuk i di saktë shifrat. Mund t’i shikojmë.  A shkon te 50 milionë? Nuk duket të jetë sensibël. Duket të jetë qesharak. Shumë shumë i madh”, thotë Nazmi Ullus.

Megjithëkëtë, Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së e drejton gishtin kah gylenistët si diçka që nuk janë krejt në rregull.

“Mu më ka shqetësuar ajo çka ka ndodh, mu më ka shqetësua si qytetar i këtij vendi, si prind dhe si ministër i drejtësisë, në situatën çfarë jemi mu më ka shqetësuar ajo çka ka ndodh shumë, sepse janë edhe mijëra tjerë prind që i kanë fëmijët në ato shkolla edhe që shqetësohen se çka po ndodh, domethënë cila do të jetë e ardhmja, fati i kësaj shkolle mund të kenë probleme në të ardhmen si do të trajtohet në të ardhmen për të gjitha këto janë shqetësime të cilat sot unë e kam fatin të jem ministër i drejtësisë i adresoj, por janë edhe shqetësimet e të gjithë atyre prindërve që i kanë fëmijët nëpër këto shkolla”, thotë Tahiri

Por, si e sheh krejt këtë operacion Urim Voksh, njëri nga avokatët që mbron Jusuf Karabinën, njërin nga 6 të depërtuarit. Ai në të nuk mundet as t’i numëroj se sa shkelje të ligjit u bën në operacion.

“Shkeljet ligjore deri tash me numër nuk mund të them se nuk është se i kam njeh kështu specifikisht megjithatë kemi shkelje si përdorimi i tepërt i dhunës, si te mungesa e kontaktit me familjarë që është në kodin e procedurës penale që personi duhet të njoftohet për tre gjëra, për arsyen e arrestimit, nuk është bërë një gjë e tillë duhet t’i kompenzohet kontakti me familajrë nuk është bërë një gjë e tillë dhe duhet t’i mundësohet ofrimi i ndihmës juridike as kjo nuk është bërë” thotë Vokshi.

Dhe, Vokshi thotë se deri tash “ende nuk kemi pas mundësi të marrim asnjë provë asnjë, asnjë dokument, asnjë relevancë nga organet kompetente, mirëpo të njëjtit janë deportu pa u dorëzu vendimi…”.

Ai ka kritika të drejtpërdrejta ndaj Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.

“Sipas fakteve që i kemi deri më tash dhe sipas deklaratave të vet prokurorit në Kosovës është sqaruar se nuk ka pas asnjë informat, domethanë AKI nuk ka informu për asnjë moment prokurorinë e shtetit me gjithë atë çka ka ndodh, duhet të theksoj se ligji për AKI-in neni 25 paragrafi 2 parasheh se në rast se AKI dyshon që dikush ka kryer vepër penale në Kosovë apo ka rrezik që ta kryej atëherë duhet të njoftojë drejtorin e Policisë dhe Prokurorinë kompetent për të inicu veprimet pra në rastin konkret kjo nuk ka ndodh edhe më tepër e bënë procedurën të paqartë që ka ndodh dhe edhe njëherë vërtetohen shkeljet të cilat kanë ndodh”, thotë Vokshi.

Ai e sheh si problematike edhe përzierjen e një agjencie të huaj në një vend sovran siç Kosova pretendon të jetë.

“Dhe dyshimet janë se ata kanë qenë të inteligjencës turke se vet shteti turk e lejon këtë. Presidenti turk deklaron se në bashkëpunim me inteligjencën turke së bashku me inteligjencën kosovare i ka “paketuar” dhe i ka nisur për në shtetin turk….Edhe krerët tanë e pranojnë se kjo mund të jetë një vjedhje, grabitje apo ndonjë kidnapim i tyre”,  thotë Vokshi.

Ky avokat prek edhe një aspekt krejt më të rëndësishëm sesa edhe vetë shkeljet ligjore në operacion.

“…kemi një mori shkeljesh që kanë ndodhur këtu dhe kjo është absolutisht e papranishme kjo po pranohet edhe nga krerët e institucioneve me gjithë atë çështja është se çfarë do të veprohet tash e tutje, a do të jetë Kosova t’i ofroj siguri shtetasve të deportuar në Republikën Turke, Kosova si shtet në bazë të konventave ndërkombëtare ka pas të ndaluar që të deportojë dikë në një shtet ku nuk ka gjykim të drejt dhe shkelje të të drejtave të njeriut, Kosova si shtet duhet të mbajë përgjegjësi për jetën dhe shëndetin e tyre duhet pohojë se me të vërtet ata nuk do të kenë një gjykim të drejtë apo t’i nënshtrohet torturave apo trajtimeve çnjerëzore, ajo është çka na frikëson edhe neve sepse kjo mund të na kushtojë shumë edhe në arenën ndërkombëtare, domethënë shkelja e të drejtave të njeriut janë të papranueshme për një shtet i cili konkurron që të jetë në Bashkimin Evropian”, thotë Avokati.

Por, ky operacion i dyshimtë i shërbimeve sekrete kosovare e turke ishte paraprirë edhe nga një operacion tjetër i dështuar i Turqisë për të marrë një gylenistë, edhe atëherë ky avokat po e përfaqësonte Ugur Toksoyt, po ashtu i dyshuar nga shteti turk si anëtar i të ashtuquajturës “Organizata terroriste FETO”.

Prokuroria Kosovare në fund të viti të kaluar nuk e çoi tutje kërkesën për ekstradim duke u tërhequr nga ajo, pasi që shteti turk nuk solli dokumente valide që Toksoyt ka kryer ndonjë krim.

Drejtori i Kolegjit “Mehmet Akif” mendon që është pikërisht ky rast arsyeja se pse shteti turk vendosi që sipas tij të kidnapojë 6 gylenistët. Arsyeja befason.

“Ajo ngjarje ndodhi në vitin e kaluar në nëntor me sa mbaj mend. Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, po ashtu, por procedura normale për të funksionoj. Gjatë procesit, avokatët e tij, njerëzit e tjerë përgjegjës patën shancin ta mbrojnë atë nga kidnapimi për ta çuar në Turqi. Ai rast ishte një eksperiencë për ata që duan të kidnapojnë njerëzit tanë në Kosovë, prandaj ata vepruan shumë shpejt dhe të fshehtë ku askush nuk e kuptoi se çka ndodhi”, thotë Ullus.

Beteja Erdogan vs. Gylen bartet në shkolla në Kosovë

Pas arrestimit të 6 gylenistëve që përfunduan me aeroplan privat e në duart e shërbimit sekret në Turqi, debati në shtetin e vocërr kosovar eskaloi duke mbajtur anë dikush me Erdoganin e dikush me Fetullah Gylenin.

Në fakt, të dy ata nuk janë të ndryshëm, Madje nuk ishin gjithnjë armiq. Përkundrazi, para incidentit në Gizi Park, ata dy ishin partnerë, Gyleni po ia rriste partinë AKP Erdoganit, e ky i fundit po i krijonte hapësirë për shkollat e imamit Fetullah Gylen që tash jeton në mërgim i strehuar në Amerikë.

Ajo çka sot i dallon Gylenin e Erdoganin është kryesisht fakti që më nuk janë partnerë, derisa synimi për islamizim të shteteve sekulare përmes demokracisë mbetet strategji e njëjtë tek te dy.

“Po, pozita e tij në Turqi para tentim grusht-shtetit. Sa di ai ishte drejtor i Institutit për Shëndet , si ta them, për persona që janë të arrestuar…Ai ka disa nënshkrime për disa nga të dyshuarit në rastin e njohur si Ergenekon. Ai ka nënshkruar disa raporte për këtë dhe ne kemi dëgjuar se ai ishte në një listë”, thotë Nazmi Ullus i pyetur për doktorin Osman Karakaya.

Pra, i vetmi person që nuk është i lidhur me shkollën “Mehmet Akif” të Gylenit në Kosovë i deportuar së fundi është Osman Karakaya, që siç e thotë edhe drejtori i këtij kolegji u arrestua për disa nënshkrime në rastin “Ergenekon”.

Ky rast është hiç më pak sesa burgosje masive e ushtarakëve kryesorë turq që ishin gardianë të sekularizmit në këtë shtet. Gjysmë dekade proces dhe në fund doli që ndoshta kjo organizatë me emrin ‘Ergenekon”, që akuzohej se po tentonte të bënte grusht-shtet dhe akte tjera terroriste për ta rrëzuar Erdoganin, ndoshta kurrë nuk ka ekzistuar. Por, efekti u arrit, Ushtria Turke më kurrë nuk do të ketë fuqinë të shkarkoj drejtues politik të shtetit që rrezikojnë sekularizmin, siç bëri në vitin 1998 me Kryeministrin Nexhmedin Erbakan, një politikan islamik prej të cilit u frymëzua edhe Erdogani vet.

Dhe, Prokurorët e hetuesit e rastit “Ergenekon” ishin kryesisht gylenistë.

Por, si po bartet konflikti në mes dy personave me pikëpamje të afërta për islamin politik, që tash janë armiq, nga një republikë e madhe dhe e fuqishme si Turqi në një shtet të vogël e të parëndësishëm, si Kosova? Përgjigja gjendet tek shkollat.

Gyleni tashmë për afro dy dekada i ka shkollat e tij në Kosovë, e Erdogani veç sa ka nisur që t’i përhapë të vetat.

“Tash ne jemi duke e luftuar këtë (Gylenin), dhe duke e bërë këtë jemi djegur. Nuk duam që edhe Kosova të digjet. Prandaj fondacioni Maarif, të cilin e kemi themeluar le të bashkëpunojë me arsimin kombëtar të Kosovës dhe të shkollojmë të rinjtë idealistë të Kosovës. Ti shkollojmë si atdhedashës”, i pati prezantuar Erdogani presidentit Thaçi fondacionin “Maarif”.

Por pas arrestimeve të fundit, a ka rrezik për shkollat e Gykenit?

“Sa na përket neve, ne kurrë nuk do t’i mbyllim shkollat tona dhe të dorëzohemi. Kjo është e para çka mund të them. Sa u përket shkollës “Maarif”, ata thonë shkollë internacionale, por nuk janë, çdo vendim që do të merret që diçka e jona të jepet tek “Maarif”, do të jetë ILEGALE. Çdo vendim që do ta bëjë këtë të vërtetë, nuk do të jetë ligjor. Nuk ka asnjë formë ligjore që ta marrësh një shkollë dhe t’ia japësh një institucioni tjetër”, thotë Nazmi Ullus.

Drejtuesi i Kolegjit të Gylenit madje thotë se kanë garancione nga shteti kosovar që shkollat e tyre nuk do të shkojnë te fondacioni “Maarif”- një fondacion shtetëror që së fundi e ka krijuar Erdogani për t’i bërë karshi Gylenit.

“Me çdo autoritet që jemi në kontakt jemi duke i pyetur për të na garantuar dhe ata po na thanë, po ju mund të vazhdoni edukimin tuaj. Ne jemi të licencuar nga Ministria e Arsimit këtu, ligjërisht dhe zyrtarisht. Nuk ka asnjë problem me sistemin tonë të edukimit. Por, regjimi i Erdoganit po tenton në të gjithë botën që t’i marrë shkollat tona dhe t’ia japë fondacionit “Maarif”. Kjo ka ndodhur me disa vende në Afrikë, por unë nuk dua që ta fus Kosovën në të njëjtën tavolinë me vendet afrikane. Dua të besoj që demokracia me të gjitha institucionet do të funksionojë këtu. Ajo çka ndodhi (arrestimet) dua të besoj që ishte një incident dhe nga tash e tutje besoj që demokracia do të funksionojë këtu. Dua ta besoj këtë”, thotë ai.

E shkollat e Erdoganit që tashmë kanë filluar shtrirjen në Kosovë kanë ca lidhje të çuditshme.

Kur Fondacioni “Maarif” i Erdoganit u regjistrua në Kosovë, kishte ardhur nën emrin “INTERNATIONAL MAARIF SCHOOLS OF KOSOVA”  dhe ishte në pronësi të Zurkani Vardar dhe Ferid Bedrollit, me drejtor Irfan Bedroll dhe agjent të regjistruar Bedri Bedrollin.

Insajderi më herët kishte zbuluar se ky i fundit, Bedri Bedrolli del të jetë i lidhur së paku në një rast të dyshimtë të shpëlarjes së parave me Azem Sylën, ish-deputetin e PDK-së. Bedrolli me një OJQ kishte kryer pagesa qindra mijëra euro për hesape të grupit kriminal të Azem Sylës.

Por, rasti që hapi krejt këtë debat publik kush me Erdoganin e kush me Gylenin, depërtimi i 6 gylenistëve nga Kosova me një operacion shumë të dyshimtë të shërbimeve sekrete, sipas zyrtarëve të lartë shtetëror do të përfundojë shpejt.

“Unë besoj edhe më shpejt, unë besoj edhe më shpejt sepse nuk kemi, shumë çështje janë të qarta, ekzistojnë raporte, ekzistojnë  edhe të dhëna të mjaftueshme që kjo çështje kos të zgjasë më shumë se përtej këtij viti”, thotë Ministri Tahiri.

Ai madje ka edhe këtë kërkesë të fundit, kur flitet për përplasjet mes Gylenit e Erdoganit

“…çka dua të them është se nuk dua ta shoh Republikën e Kosovës në mes të kësaj lufte politike”/Insajderi.com

Këtu e gjeni të plotë videon e dokumentarit “Telenovelë me turq”:

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-telenovele-me-turq-2