Ministria e Zhvillimit Ekonomik ende nuk ka vendosur lidhur me hapat që do të ndërmarrë lidhur me mbrojtjen e Kosovës kundër padisë së gjermanëve të “Axos”, të dorëzuar në Arbitrazhin e Washingtonit. Nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se cilin prej këtyre dy hapave do të ndërmarrë: do të hap tender të ri apo do të vendosë për ofertën e “Patton Boggs”. Po ashtu qe një muaj nuk ka dhënë përgjigje se kush janë kompanitë tjera që kanë shprehur interesim për të ofruar të njëjtin shërbim. Ngjashëm ka vepruar edhe Zyra e Kryeministrit.
Nuk ka qenë vetëm kompania amerikane “Patton Boggs”, që ka shprehur interesim për ofruar mbrojtje juridike në gjyqin e Arbitrazhit në Washington.
Edhe disa kompani tjera shprehën interes që ta mbrojnë Kosovën në këtë rast të Arbitrazhit, ku është paditur nga kompania gjermane “Axos”. Kjo kompani kërkon dëmshpërblim prej qindra miliona eurosh.
Ofertat e tyre ishin më të lira krahasuar me ofertën e kompanisë amerikane, e cila këshillohet nga ish-diplomati Frank Wisner.
Insajderi ka siguruar raportin e komisionit qeveritarë për përzgjedhjen e kompanisë që do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në rastin e Arbitrazhit në Washington.
Aty tregohet se edhe firma tjera kishin shprehur interesim për këtë proces tenderimi.
“Gjatë diskutimeve dhe komunikimeve brenda Komisionit vazhdimisht është potencuar se çmimi i ofruar nga kompania është i lartë, në raport me disa oferta të cilat i kishte pranuar Zyra e Kryeministrit më herët para formimit të këtij Komisioni”, thuhet në raportin e këtij komisioni.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që udhëheq këtë proces kontraktimit, nuk ka treguar se cilat ishin kompanitë tjera që shprehën interesim dhe që kishin ofertat më të lira se sa firma amerikane.
Është pyetur për këtë më 8 shkurt të këtij viti, para gati një muaji.
Ngjashëm ka vepruar edhe zyra e informimit e Zyrës së Kryeministrit dhe zëdhënësi Arban Abrashi. Nuk kanë dhënë përgjigje se kush ishin kompanitë tjera që kanë ofertuar për të mbrojtur Kosovën në rastin e Arbitrazhit në Washington.
Vendoset për “Patton Boggs” apo hapet tender i ri?
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ende nuk ka marrë vendim përfundimtarë se cila kompani private do ta mbrojë Kosovën në Arbitrazh.
Përkohësisht është zgjedhur firma “Patton Boggs”. Nuk ka njoftim publik nga Qeveria që tregon se çfarë rruge do të ndiqet: do të hapet tender i ri apo do të pranohet oferta e kësaj kompanie amerikane.
Oferta e kompanisë amerikane për ta mbrojtur Kosovën deri në fund të procesit peshon në vlerë prej 1.8 milionë dollarësh. Parashihet që procesi të zgjasë dy deri në tri vite.
Shuma e ofertës së kësaj kompanie përmendet në raportin e komisionit qeveritarë për përzgjedhjen e kompanisë që do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në rastin e Arbitrazhit në Washington.
Ky raport i komisionit i është dorëzuar kryeministrit Isa Mustafa dhe katër ministrave: Hashim Thaçit, ministër i jashtëm, Hajredin Kuçit- ministër i drejtësisë, Avdulla Hotit-ministër i financave dhe Blerand Stavilecit, ministër i zhvillimit ekonomik.
Komisioni prej tetë anëtarësh përbehej nga dy përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dy të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dy të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit.
Komisioni është shfuqizuar me vendim të Blerand Stavilecit, ministrit të Zhvillimit Ekonomik, më 22 dhjetor të vitit të kaluar. Nuk tregohet qartësisht arsyeja e shfuqizimit. Thuhet se tash e tutje procedurat do të vazhdojnë bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik. Por i njëjti ligj ishte aplikuar edhe në negociatat e mëhershme me firmën “Patton Boggs“.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, më 9 shtator 2015, kishte lejuar MZHE-në që të aplikonte procedurë të negociuar të tenderimit.
Kjo ministri që udhëheq procesin e angazhimit të kompanisë ndërkombëtare që do të mbrojë Kosovën nuk ka treguar lidhur me hapat që do të ndërmerren në të ardhmen. Nuk ka bërë publike nëse negociatat me kompaninë amerikane do të vazhdohen apo do të hapet tender i ri.