Largimi nga AAK-ja dhe anëtarësimi në PDK janë dy lëvizjet që e karakterizojnë karrierën politike të Kelmendit. Veprimtaria politike e tij nuk është më e bëshme se kaq. Mbrëmë ka njoftuar se paraditen e së premtes do të bëjë publik fatin e tij në PDK. Nuk e ka bërë ende. Ka pohuar më herët se Thaçi i ka premtuar se do ta bëjë zv/kryeministër. Kelmendi duket se e adhuron këtë post. Ai ka pohuar se nga kjo pozitë do të zhvillonte ekonominë e Kosovës por argumentet e thonë të kundërtën. Kompania e tij dyshohet se ishte përpjekur të mashtronte Agjencinë e Privatizimit.
Ramiz Kelmendi, deputet i PDK-së, mbrëmë deklaroi se paraditen e së premtes do të zbuloi të ardhmen e tij politike. Ai nuk komentoi mbrëmë raportimet se do të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës.
““Nesër në ora 9:00 do të bëhet publike kjo. Sot nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi dje për Gazetën Express. Por Kelmendi ende nuk ka dal me qëndrim, ndonëse kanë kaluar më shumë se gjashtë orë nga koha e premtuar nga ai. Insajderi ka provuar të kontaktoj me të. Është lajmëruar dikush tjetër në telefonin e tij. Ka thënë se Kelmendi është i zënë dhe se nuk mund të bisedohet me të, njëherë për njëherë.
Megjithatë, biznesmeni Kelmendi, pronar i Elkos Group-pjesë e të cilit është zingjiri i marketeve ETC, nuk ka histori të gjatë me partinë më të madhe në vend.
Historia e tij lidhet me premtimet e ish-liderit të PDK-së për ta bërë Kelmendin pjesë të ekzekutivit.
Shpresat e Kelmendit për postin e adhuruar të zv/kryeministrit për zhvillim ekonomik
Biznesmeni Ramiz Kelmendi gjithnjë ka mbajtur shpresa të mëdha se Hashim Thaçi, shefi i tij i deritashëm, do ta avanconte në poste të larta qeveritare.
Fillimisht thoshte se Thaçi i kishte premtuar një post ministri. Ishte i bindur se do të udhëhiqte një prej dikastereve që ndërlidhen me zhvillim ekonomik.
Ndonëse nuk shiheshin lëvizje se Thaçi do të realizonte premtimin e tij, Kelmendit iu rriten edhe më shumë ambiciet.
Ai e kishte shfaqur rritjen e ambicieve në dhjetor të vitit 2014.
Kishte deklaruar se do të jetë zëvendës kryeministër në Qeverinë e re që do të udhëhiqej nga koalicioni PDK-LDK. Sipas tij, do të ishte përgjegjës për ekonomi apo siç parapëlqente ta quante veten “zëvendës kryeministër për zhvillim ekonomik”.
Qeveria e re është mandatuar më 9 dhjetor të vitit 2014. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë muaj që nga ajo kohë.
Kelmendi nuk u ul asnjëherë në postet e dëshiruara. Hatër mbetja për shkak të mos mbajtjes së premtimeve duket se ka quar deri kërcënimin e tij për largimin nga PDK-ja, partia që iu bashkua më 12 maj të vitit 2014.
Ai u bashkua me PDK-në disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. Pati deklaruar se kjo parti është duke i’a mundësuar realizimin e planit ambicioz për zhvillim ekonomik.
“Të gjithë intelektualitetin tim, përvojën time, dijeninë time do ta vë në dispozicion të realizimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe punësimit”, pati deklaruar Kelmendi.
Pati shtuar duke thënë se “po që se arrij t’i inkorporojë dijenitë e mia në politikat zhvillimore të Partisë Demokratike nuk do të jetë asnjë qytetar i Kosovës i papunësuar”.
Kelmendi, deri në atëkohë, llogaritej si mbështetësi më i madh financiar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Moral i dyfishtë ose dyfytyrësi”
Pesë ditë para se t’i bashkohej PDK-së e kishte lënë partinë e Ramush Haradinajt. Kelmendi kishte qenë edhe deputetë i kësaj partie në legjislaturën e katërt.
Kishte njoftuar mediat për vendimin që kishte marrë për largimin nga AAK-ja.
“Sot para jush deklaroj zyrtarisht që tërheqja ime ka të bëjë me çështje subjektive”, ishte deklarimi i tij.
Nuk e kishte pa të arsyeshme të jepte shpjegime më të detajuara. Një ditë më pas kishte pohuar se nëse nuk do t’i bashkohej asnjë partie politike do të vazhdonte të mbështeste financiarisht partinë e Haradinajt.
Por, ai u bashkua Thaçit duke nxitur reagimin e ish-shefit të tij.
Haradinaj ishte pyetur për largimin e tij në një konferencë shtypi. Nuk kishte preferuar ta përmendte me emër por akuzat drejtoheshin kundër veprimeve që bënte Kelmendi.
“Këtu po flasim për cilësi. Është pak për habi situata kur aderojnë në parti politike po ata të njëjtit që i kanë thënë 1 milion të zeza për atë parti deri në ditën kur aderojnë. Kjo është pak për çudi. Mund të flitet për një moral të dyfishtë ose për dyfytyrësi”, kishte thënë Haradinaj.
Megjithatë, largimi i tij nga AAK-ja kishte shkaktuar dëme. E kishin pranuar edhe zyrtarët e kësaj partie. Ishin dobësuar për kah pesha e votave në vendlindjen e Kelmendit.
“Është njëri ndër faktorët kryesor për rezultatin të cilin e kemi shënuar në Pejë. Ndoshta nuk është faktori kryesor, mirëpo mendoj se ka ndikuar mjaft largimi i tij nga AAK-ja drejt PDK-së”, kishte thënë Ali Berisha, kryetar dege dhe atëherë kandidatë për deputet i AAK-së, pas humbjes që kjo parti kishte shënuar në Pejë.
Votat që Kelmendi siguronte për AAK-në tash i kishte marrë nën petkun e PDK-së. Biznesmeni Kelmendi peshon 13 mijë e 320 vota. Më së shumti ka marrë ne Pejë, gjithsejtë 3 mijë e 827 vota.
Privatizimi- Dyshimet për mashtrime
Largimi nga AAK-ja dhe bashkimi me PDK-në janë dy lëvizjet që e karakterizojnë karrierën politike të Kelmendit. Veprimtaria politike e tij nuk është më e bëshme se kaq.
Por Kelmendi njihet më shumë për karrierën biznesore. Është pronar i Elkos Group, një prej kompanive më të mëdha në Kosovë. Pjesë e këtij grupi është ETC, zingjiri më i njohur i marketeve në vend. Kelmendi është importuesi më i madh i mallrave nga Serbia.
Vetëvendosje e ka akuzuar si shkatërrues të ekonomisë vendore. Ngjashëm e pati akuzuar edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike. Por kur Kelmendi iu bashkuar PDK-së ndryshoi edhe qëndrimi i Gërxhaliut.
Oda Ekonomike e kishe shpërblyer Kelmendin me mirënjohje si tatimpaguesi më i madh në vend.
Përveç importeve nga Serbia, Kelmendi njihet edhe si një prej biznesmenëve që ka përfituar më së shumti nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.
Ai ka blerë tokë shoqërore e asete të shumë ndërmarrjeve shoqërore. Mbi 7 milionë euro ka shpenzuar për blerjen e tokave dhe aseteve shoqërore.
Më së shumti është kritikuar për privatizimin e ndërmarrjes shoqërore të përpunimit të metaleve “Famipa”, në Prizren. Kjo ndërmarrje
Më 2011 e kishte blerë këtë ndërmarrje për një shumë prej 3 milionë euro e gjysmë.
Kelmendi nuk kishte zbatuar kontratën me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kishte obligim që të vazhdonte punën e njëjtë që kishte bërë ndërmarrja më herët. AKP ka konkluduar se prodhimi në këtë ndërmarrje ishte i vogël. Por kontrata mes palëve e favorizonte Kelmendin. Kontrata nuk specifikonte sasinë e përpunimit të metaleve. Kompania e Kelmendit kishte shfrytëzuar këtë detaj dhe kishte përpunuar në sasi tejet të vogla.
Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte konstatuar se kompania e tij ka bërë përpjekje për të mashtruar institucionet.
“Vlen të theksohet se në disa raste gjatë kohës kur kemi realizuar vizita monitoruese në ndërmarrje, punonjësit e ndërmarrjes na kanë informuar se ata janë ftuar të jenë prezentë në ndërmarrje gjatë kohës kur Njësia për Kontroll dhe Mbikëqyrje ka paralajmëruar vizitë të rregullt monitoruese”, thuhet në raportin e AKP-së për vitin 2014.