A do të jetë kjo javë vendimtare për arritjen e marrëveshjes LDK-LVV, flasin nga partia e Isa Mustafës

Beadin Syla

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk e dinë nëse gjatë kësaj jave do të ketë takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës. Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë për Gazetën Insajderi, se ata mbetën të përkushtuar për të zgjidhur këtë situatë, porse varet tërësisht nga Vetëvendosje nëse do të ketë takime gjatë kësaj jave apo jo. “Krejt çka është dashur të thuhet është thënë. Nëse do të ketë takime apo nisma tash varet nga Lëvizja Vetëvendosje...thotë Hyseni.

A do të jetë kjo javë vendimtare për arritjen e marrëveshjes LDK-LVV, flasin nga partia e Isa Mustafës

Java që po hyjmë mund të jetë vendimtare për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Të dy partitë janë barrikaduar në qëndrimet e tyre karshi njëra tjetrës, duke mos lëvizur nga kërkesat për të lidhur koalicion, shkruan Gazeta Insajderi.

Në partinë e Isa Mustafës, ende nuk e dinë nëse do të ketë takim këtë javë me Lëvizjen Vetëvendosje, për të tentuar edhe një herë që të arrijnë dakordimin për të bashkëqeverisur.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përgjegjësinë për të lëvizur në drejtim të arritjes së marrëveshjes ia hedhin Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë për Gazetën Insajderi, se ata mbetën të përkushtuar për të zgjidhur këtë situatë, porse varet tërësisht nga Vetëvendosje nëse do të ketë takime gjatë kësaj jave apo jo.

“Krejt çka është dashur të thuhet është thënë. Nëse do të ketë takime apo nisma tash varet nga Lëvizja Vetëvendosje. Gjithsesi Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që ta zhbllokojë këtë situatë, por nuk është në fuqinë dhe pushtetin e LDK-së kjo punë”, ka thënë Hyseni për Insajderin.

Të dy subjektet politike që në zgjedhjet e 6 tetorit dolën të parat, nuk po pajtohen me ndarjen e posteve, gjë që ka bllokuar edhe arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

LDK e LVV janë barrikaduar në kërkesat, respektivisht ofertat e tyre për njëra tjetrën, tash e rreth tre muaj.

Mirëpo, Skënder Hyseni, nuk e quan barrikadim pozicionimin e dy partive karshi njëra tjetrës, por mbrojtje e parimeve fundamentale politike.

“Jo, nuk është punë e lëvizjes nga qëndrimet dhe nuk ka kurrfarë barrikadash, është çështje parimesh fundamentale dhe nuk ka asgjë me të shëndetshme në politikë se sa t’i ndjekësh parimet”, ka theksuar Hyseni.

Mospajtimet mes LDK-së e Lëvizjes Vetëvendosje, janë thelluar edhe me shumë pas 26 dhjetorit kur Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake me partinë e Isa Mustafës.

Kjo ka bërë që LDK-ja të kërkojë kthimin e postit të kryeparlamentarit nga Vetëvendosje, por që një kërkesë e tillë është refuzuar nga partia e udhëhequr nga Albin Kurti.

Me 14 janar kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, ia dërgojë një ofertë LDK-së, e cila tha se është e fundit dhe se nuk mund të lëshonte pe më shumë.

Në këtë ofertë, Kurti theksonte se në marrëveshjen për koalicion me LDK-në, LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë.

Derisa LDK-së, përmes kësaj oferte ia linte zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zëvendësministra më shumë dhe propozimin për President, i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej në ofertën e Kurtit drejtuar Mustafës.

Mirëpo, përgjigja e krerëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk vonoi shumë. Vetëm një ditë pas, Kurti mori përgjigjën e Mustafës, i cili përmes një letre dërguar atij, ia tregoi kushtet që duhet plotësuar Vetëvendosje nëse do koalicion me LDK-në.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në përgjigjën, respektivisht propozimin e LDK-së, dërguar Vetëvendosjes.

Në këtë përgjigje LDK-ja e Isa Mustafës refuzonte rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, siç propozonte Albin Kurti.

Megjithatë, edhe pas kësaj letre të dërguar nga Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje nuk u zmbraps nga qëndrimet e saja, duke refuzuar kategorikisht shkarkimin e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, për t’ia dhënë këtë post LDK-së.

Pas këtij refuzimi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bëri me dije se nuk do të ketë më takim për të diskutuar rreth këtyre çështjeve, porse takimi i radhës duhet të jetë ose i arritjes së marrëveshjes ose i refuzimit të saj.

Mbetet të shihet nëse gjatë kësaj jave ndonjëra parti do të lëshojë pe nga kërkesat e veta për t’i hapur rrugë arritjes së marrëveshjes për koalicion qeverisës. /Insajderi.com