A e shkeli shteti Kushtetutën kur kufizoi lëvizjen në veri? Flet njohësi i çështjeve kushtetuese

A e shkeli shteti Kushtetutën kur kufizoi lëvizjen në veri? Flet njohësi i çështjeve kushtetuese

Ministria e Shëndetësisë sot ka marrë vendim që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Zveçanit.

Numri i të prekurve në këto dy komuna ka shkruar në 30: 20 raste janë në Mitrovicën Veriore dhe 10 në Zveçan.

Liria e lëvizjes për banorët në pjesën më veriore të vendit vlen vetëm nga 6 e mëngjesit deri në 12 të drekës. Në pjesën tjetër të kohës e kanë të ndalur qarkullimin sikur njerëzit ashtu edhe automjetet.

Ky vendim i ministrisë së udhëhequr nga Arben Vitia ka ardhur nëntë ditë pasi këto dy komuna janë karantinuar nga shteti serb.

Funksionarët në Prishtinë pretendojnë se vendimi është marrë nga ata, pavarësisht se dokumenti s’u bë asnjëherë publik.

Shteti ka vendosur tek sot ta kufizojë lëvizjen e lirë edhe në Malishevë nga ora 14 tek në 6 të mëngjesit – ndonëse në këtë komunë është vatra e Koronavorusit, atje deri tash nga Covid-19 janë prekur 66 persona.

Qeveria në detyrë nuk ka dhënë ndonjë sqarim shtesë pesë janë bërë këto orare vetëm në këto tri komuna dhe jo në tjerat sikur se Prishtina që janë të prekur 15 persona apo edhe në Vushtrri 21.

Megjithatë shteti sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse mund t’i merr këto veprime në mënyrë që ta ulë përhapjen e pandemisë në këto komuna, pavarësisht se vendimi i mëhershëm i Qeverisë për ndalimin e lëvizjes së lirë u konsiderua i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Kushtrim Palushi, thotë se pavarësisht këtij vendimi, Ministria ka të drejtë të vendos kufizimin e lëvizjes në zona të caktuara, në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës i cili është konstatuar si kundër-kushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese do të jetë i pavlefshëm nga data 13 prill 2020 e tutje. Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është konstatuar se Qeveria ka tejkaluar autorizimet e përcaktuara me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse kur ka kufizuar lirinë e lëvizjes në tërë Kosovën përmes Vendimit të Qeverisë”, ka thënë Palushi për Insajderin.

“Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë nuk kanë të drejtë fare të kufizojnë lirinë e lëvizjes, mirëpo që këtë kufizim duhet ta bëjnë në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse. Ky Ligj, përmes nenit 41 dhe 45 lejon Ministrinë e Shëndetësisë që përmes Vendimeve të kufizojë qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes në rajonet e infektuara ose direkt të rrezikuara”.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që Ministria e Shëndetësisë do të kishte të drejtë të kufizonte lirinë e lëvizjes në rajonet e infektuara ose direkt të rrezikuara, por jo për tërë Kosovën në përgjithësi”.

“Prandaj, vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lirisë së lëvizjes nga dhe në rajone të caktuara të cilat janë burim i infeksionit dhe të cilat paraqesin rajonet më të rrezikuara, do të ishte në përputhje me nenin 41 dhe 45 të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse e për rrjedhojë edhe me nenin 35 dhe 55 të Kushtetutës së Kosovës që flasin për lirinë e lëvizjes dhe kushtet për kufizimin e të drejtave të njeriut respektivisht”, ka thënë Palushi për Insajderin.

Vendimi i qeverisë që kufizon lëvizjen e qytetarëve në tërë Kosovën nga ora 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, është në fuqi deri me 12 prill.

Shteti ende nuk ka vendosur për masat e reja, meqë numri i të prekurve në vend po rritet – deri tash janë raportuar mbi 220 të prekur dhe shtatë të tjerë të vdekur./Insajderi.com