Nisma e kryeparlamentarit Kadri Veseli për të bërë transparente Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka zbuluar një fakt të padëshirueshëm për të. Në listën e uzurpatorëve të përpiluar nga AKP-ja figuron edhe Partia Demokratike e Kosovës, që pas dorëheqjes së Hashim Thaçit udhëhiqet nga Kadri Veseli.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas të dhënave të AKP-së, llogaritet si uzurpatore e pronës shoqërore deri në vitin 2010.
Bazuar në të dhënat e kësaj agjencie, PDK-ja kishte uzurpuar objektin ku gjendet selia e saj që i përkiste ndërmarrjes shoqërore “Drithnaja”.
Ky fakt është bërë i ditur sot nga Agjencia e Privatizimit që publikoi dy lista të blerësve të ndërmarrje shoqërore.
Njëra prej listave përmban emrat e blerësve të ndërmarrjeve shoqërore që kishin qenë të uzurpuara deri në procesin e privatizimit. Ndërsa tjetra përmban emrat e blerësve të ndërmarrjeve që nuk kishin qenë të uzurpuara.
PDK-ja figuron në listën e parë.
Objekti prej 460 metrash katrorë, bazuar në këtë listë, është shitur në vitin 2010, në valën e 44-të të privatizimit.
Në listën e publikuar nga Agjencia e Privatizimit shënohet se objekti është blerë nga Burim Marmullaku për një shumë prej 371 mijë e 111 euro. Emri i PDK-së figuron tek kolona “Emri i uzurpatorit deri në ditën e shitjes”.
Basri Musmurati, sekretar i PDK-së, i kontaktuar nga Insajderi, e vlerësoi të paqëndrueshëm konstatimin e AKP-së që e quan uzurpatore partinë më të votuar në vend.
“Lej këto përralla”, deklaroi Musmurati. Shtoi se objekti tashmë është privatizuar dhe se PDK-ja po paguan më shtrenjtë qira në krahasim me periudhën e para privatizimit.
Ai mbylli telefonin kur u pyet se kujt i paguante qira PDK-ja para vitit 2010.
Lidhur me privatizimin e objektit ku gjendet selia e PDK-së, kishte raportuar Gazeta Zëri në janar të këtij viti.
Objekti ishte privatizuar më 7 korrik 2010 dhe kishte pasur tri oferta për blerjen e tij.
Fillimisht fitues në tenderë ishte shpallur biznesmeni Hashim Deshishku, deputet i LDK-së.
Ai kishte ofruar 550 mijë euro për blerjen e këtij objekti. Ishte tërhequr.
“Është e vërtetë se ‘Lesna’ e ka fituar atë pjesë, më pas jam tërhequr…, besoni arsye për tërheqje kam pasur”, kishte deklaruar Deshishku për Zërin.
Gazeta pati raportuar se pas tërheqjes së Deshishkut fitues ishte shpallur oferta e kompani “Guri”, nga Klina në pronësi të Burim Marmullakut. Blerësi i këtij objekti është vëllai i gruas së Sokol Bashotës.
“E kemi privatizuar ne. PDK-ja më paguan qira mujore rreth 1800 euro. Për detaje rreth kontratës mund të shkoni në PDK, ju tregojnë ata”, pati deklaruar Marmullaku.