Agjensioni nga Kamenica që po dërgon kosovarët në Kroaci vepron pa licencë nga shteti

Agjensioni në Kamenicë “Eja punësohu”, i cili nga janari ka dërguar kosovarët për të punuar në Kroaci, këtë veprimtari po e kryen pa pasur licencë pune. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar për Insajderin se ajo është duke punuar jashtëligjshme. Ndërsa pronari i agjensionit ka thënë se ka aplikuar për licencë por se shteti i ka kërkuar dokumente shtesë për kompletimin e të cilave është vonuar.

Agjensioni nga Kamenica që po dërgon kosovarët në Kroaci vepron pa licencë nga shteti

Ka katër muaj që në Kamenicë ka filluar punën agjension i punësimit “Eja punësohu”. Ky agjension që është i lidhur me firma në Kroaci, ka dërguar deri tash 60 kosovarë për të punuar atje.

Tërë këtë veprimtari ky agjesion është duke e kryer jashtëligjshëm, shkruan Insajderi.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se nuk i kanë dhënë licencë.

“Zyra që ju përmendni nuk është e licencuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ofrimin e shërbimeve të punësimit”.

“MPMS, gjegjësisht Agjencioni i Punësimit i Republikës së Kosovës (APRK), monitoron dhe mbikëqyrë vetëm ato organizata që janë të licencuara nga MPMS-ja. Çdo organizatë që vepron në këtë drejtim e që nuk është e licencuar nga MPMS-ja vepron jashtëligjshëm”, tha Musa Demiri, udhëheqës i zyrës për komunikim me publikun.

Pronari i agjensionit “Eja punësohu” , Flamur Klaiqi, e ka konfirmuar se po vepron pa pasur licencë, por thotë se për ka aplikuar për të.

“Për licencë kam aplikuar, certifikatën e kam, lejen e punës e kam, sigurimin e kam bërë, e këtë e kam bërë për shkak të licencës dhe kam aplikuar. Mirëpo ata më kanë kërkuar dokumente shtesë dhe pastaj jam vonuar”.

“Tash më duhet të shkoj ta ndërroj sigurimin dhe të aplikoj sërish, sepse këtu jemi dy bashkëpronarë, dhe njëri nuk është e aty duhet të jemi të dy”, tha Klaiqi për Insajderin.

Klaiqit, thotë se nuk ka dashur të punojë pa dokumente, dhe se nuk është i vetmi që po vepron në Kamenicë.

“Unë jam interesuar për licencë dhe kam dashur ta kem. Me këtë punë janë marrë hetuesia dhe më kanë thënë që jam në rregull. Unë s’kam dashtë me punu pa dokument. Unë nuk jam i vetmi në Kamenicë. Ka shumë të tjetër që punojnë pa dokumente dhe shumica po drejtohen tek unë, nuk jam vetëm unë që i kam bërë, këtë mund ta kuptojnë shumë lehtë sepse ka shumë që janë duke dërguar jashtë ilegalisht”, tha ai.

Klaiqi: Nuk po shkoni për turizëm në Kroaci

Qytetarët që kanë shkuar për të punuar në Kroaci kanë paguar shuma të ndryshme për të marrë kontratën e punës.

Pronari i agjensionit “Eja punësohu” , Flamur Klaiqi, tha se ai u ka marrë vetëm nga 100 euro.

“Unë 100 euro e kam aplikacionin, vetëm ato para i marr si pagesë”, tha ai.

Por jo gjithçka ka shkuar siç e kanë pritur këta punëtorë. Ata nuk janë të kënaqur me trajtimin dhe kushtet që po u ofrohen në Kroaci.

Për këtë Klaiqi thotë se të gjithë atyre që kanë aplikuar në agjensionin e tij, u ka thënë se nuk po shkojnë në Kroaci për “Turizëm”.

“Unë gjithmonë ua shpjegoj secilit që vjen aty, unë i them që atje nuk jeni duke shkuar për turizëm, jeni duke shkuar me punu dhe normal që nuk e ke sikur në shtëpi tënde. Unë gjithmonë ua sqaroj, atje çka kanë pagesa e gjëra të tjera unë nuk kam dorë. Atje punojnë me kontratë. Tek unë s’kanë shkuar shumë, janë diku 50 deri 60 veta që i kanë marrë vizat”, tha Klaiqi për Insajderin.

Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme ditë më parë të cilët kanë folur lidhur me ikjen e të rinjve nga Kosova, si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta.

Më shumë se tri orë diskutuan deputetët e Kuvendit të Kosovës për fenomenin e ikjes së qytetarëve nga Kosova, për t’i marrë në fund 180 euro mëditje për “punën” e kryer në atë seancë.

180 eurot që i përfituan deputetët e Kuvendit të Kosovës pas seancës, janë më shumë sesa paga minimale në Kosovë, e cila ka mbetur në 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, raporton Insajderi.

Madje, shumica e deputetëve që ishin prezentë në seancën e jashtëzakonshme për ikjen e qytetarëve jashtë vendit, nuk qëndruan deri në përfundimin e saj.

Edhe pse erdhi si kërkesë e tyre, në Kuvendin e Kosovës ndodheshin vetëm 13 deputetë prezentë për të diskutuar mbi këtë pikë.

Në fillim të kësaj seance të jashtëzakonshme, u propozua që grupet parlamentare të prezantojnë bashkërisht një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve të Kosovës, por nuk u arrit kompromisi për votimin e rezolutës. / Insajderi.com