Disa prej politikanëve të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, sot cilësohen hajna dhe keqpërdorues për shkak të veprimeve të pasluftës, por, gjatë luftës ata pos që kishin drejtuar UÇK-në, kishin kryer shumë aksione për vrasjen e policëve dhe ushtarëve serbë. Insajderi sjell aktakuzën e Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës kundër 15 krerëve të UÇK-së, përfshirë Adem Jasharin. Shumica ishin gjykuar dhe dënuar në mungesë nga Gjykata Serbe. Thaçit i ishin shqiptuar dhjetë vjet burgim.
Aksione të mëdha kundër Policisë së Serbisë gjatë viteve të ’90-ta kishin kryer 15 drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre, Adem Jashari, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Hashim Thaçi e të tjerë.
Të gjitha këto aksione që kishin rezultuar me vrasje e plagosje policësh serbë, ishin përmbledhur në një aktakuzë të Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës në vitin 1997. Kjo celulë e UÇK-së akuzohej për veprime terroriste që përfshinte vrasjet e policëve dhe ushtarëve serbë, çlirimin e Kosovës nga okupatori dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Shumica prej tyre ishin gjykuar në mungesë. Vetëm Besim Rama, Idriz Asllani dhe Avni Nura ndodheshin në paraburgim. Ndërkaq, Adem Jashari, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kadriu, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Zenun Kadriu dhe Ali Januzi, sipas Prokurorisë serbe ndodheshin në arrati dhe do të gjykoheshin në mungesë.
Gjykimi i këtij grupi kishte nisur më 4 qershor 1997 në Prishtinë. Kishte përfunduar disa vjet më vonë. Gjykata i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me shumë vjet burgim. Presidenti i Kosovës ishte dënuar me dhjetë vjet burgim.
Sot e asaj dite, shteti serb i kërkon këta të “akuzuar” për t’i dërguar në vuajtje të dënimit.
Shumë vjet pas ngritjes së kësaj aktakuze, Insajderi e sjell atë si dëshmi të aksioneve të kësaj celule të UÇK-së kundër policisë serbe që kishte qëllim çlirimin e Kosovës. Detajet e aktakuzës janë përmbledhur edhe në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dokumente dhe artikuj” me autor Gafurr Elshanin.
Gjykimi kishte nisur dhe ishte zhvilluar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, gjykatë kjo që ishte në dorë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Prokurori i rastit, Jovica Jovaniviq, e kishte lexuar aktakuzën para trupit gjykues dhe tre të arrestuarve shqiptarë që akuzoheshin për vepra terroriste sipas legjislacionit të Serbisë.
I pari që ishte marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit ishte Besim Rama, i cili kishte mohuar akuzat se ishte stërvitur në Shqipëri. Rama kishte treguar në gjykatore për torturat që kishte përjetuar gjatë marrjes në pyetje. Kishte thënë se deklaratat i kishte dhënë nën presionin dhe dhunën e ushtruar nga hetuesit serbë.
Prokurori i akuzonte drejtuesit e UÇK-së për “terrorizëm dhe për ndihmë dhënë terroristëve”. Të gjithë të akuzuarit prokuroria i ngarkonte me veprime të kryera që nga viti 1992, deri në vitin 1997.
Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit pas qëndrimit në Shqipëri, ku ishin stërvitur ushtarakisht bashkë me pjesëtarët e Ushtrisë Shqiptare e nën komandën e oficerëve të saj, në territorin e Komunës së Skenderajt kanë formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën Serbia e konsideronte “organizatë terroriste”.
Prokurori serb pretendonte se “të akuzuarit kanë ndërmarr dy aksione të organizuara dhe të koordinuara të akteve të dhunës, të inspiruar me motive politike për të “rrezikuar rregullimin shtetëror dhe sigurinë e Republikës Federative të Jugosllavisë, që territori i Kosovës dhe trojet e tjera të banuara me shqiptarë të shkëputen nga ajo dhe të formohet shteti i veçantë dhe pastaj t’i bashkohet Shqipërisë”.
Prokuroria thoshte se të akuzuarit kanë siguruar një sasi të madhe të armëve, pushkë automatike, pushkë me snajper, revole, municion, bomba dore e mjete të ndryshme eksplozive dhe pajisje të tjera ushtarake, një pjesë e të cilave i kanë siguruar nga Armata shqiptare.
Besim Rama, Jakup Nura, Rafer Rama, Sami Lushtaku, Iljaz Kadriu dhe Fadil Kadriu, akuzoheshin se më 22 maj të vitit 1993 rreth orës 22:40 në hyrje të Gllogocit, kishin hapur zjarr kundër policëve të turnit të tretë të sacionuar në Gllogoc, të cilët gjendeshin në një kombi. Sipas prokurorisë, kundër tyre ishin shkrepur dhjetëra plumba duke vrarë policët Nebojsha Gjorgjeviq dhe Zvonko Jevtiq, dhe duke plagosur rëndë dhe lehtë policët Zoran Iliq, Sinisha Vidosavljeviq, Miroljup Milenkoviq, Pedrag Perqiq dhe Bojan Mlladenoviq.
Aksioni ishte ndihmuar nga Besim Rama dhe Avni Nura.
Besim Rama, Sahit Jashari, Ali Jonuzi dhe Idriz Asllani, akuzoheshin se më 11 shkurt të vitit 1996 në qendrën shkollore të Vushtrrisë, ku ishin të vendosur refugjatët serbë, kishin hedhur dy bomba të prodhimit kinez të cilat nuk kishin shpërthyer.
“Ky sulm ka qenë i koordinuar në mënyrë kohore me sulme të tjera të kësaj organizate po të njëjtën ditë në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Podjevë dhe Suharekë, në objektet në të cilat gjndeshin refugjatët serbë nga ish-republikat jugosllave”, thuhet në aktakuzë.
Besim Rama, Adem Jashari, Sahit Jashari, Nuredin Lushtaku, Fadil Kadriu e Zenun Kadriu akuzoheshin se më më 22 prill të vitit 1996 afër Mitrovicës, në rrugën magjistrale Prishtinë-Rozhajë kishin vënë pritë rreth orës 21:20, duke hapur zjarr kundër një automjeti të Policisë në të cilin gjendeshin katër policë serbë.
Ata kishin arritur të vrisnin një person me emrin Dragana Neshiq, i cili po dërgohej në burg në vuajtje të dënimt, kurse polici Slobodan Dudiq ishte plagosur lehtë.
Po të njëjtën ditë, sipas Prokurorisë, ishin kryer sulme kundër policëve dhe qytetarëve serbë në Deçan, Shtime dhe Pejë duke vrarë katër persona dhe duke plagosur tre të tjerë.
Besim Rama, Adem Jashari, Fadil Kadri, Nuredin Lushtaku dhe Rexhep Selimi, akuzoheshin se më 17 qershor të vitit 1996 në lagjen e Shipolit të Mitrovicës kishin hapur zjarr kundër një automjeti të Policisë në të cilin gjendeshin dy policë.
Ata, kishin vrarë policin Predrag Gjorgjeviq, kurse kishin plagosur rëndë policin Zoran Vukojiqiq.
Po të njëjtën ditë në fshatin Lluzhan të Podujevës ishte kryer një sulm kundër objektit të policisë, kurse në natë më parë në Podujevë, një person ishte plagosur rëndë.
Idriz Asllani dhe Ali Jonuzi akuzoheshin se më 27 shtator të vitit 1996 rreth orës 20:50 në rrugën “Emin Duraku”, në Vushtrri kishin hedhur dy bomba në objektet e Ushtrisë Serbe duke shkaktuar dëme materiale. Po të njëjtën ditë, ata akuzoheshin se kanë kryer sulme në objektet ku kanë qenë të vendosur refugjatët serbë në Gllogoc dhe në objektet e Policisë në Podujevë dhe në Runik.
Në aktakuzën e Prokurorisë Serbe thuhet se ka ekzistuar një koordinim në të gjitha këto sulme dhe se “tek të pandehurit ka ekzistuar vetëdija se i takojnë ‘një organizate të gjerë terroriste’” dhe se udhëheqja e kësaj organizate e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” ka lëshuar 29 komunikata dhe e ka marrë përgjegjësinë për të gjitha sulmet e kryera.
“Në të gjitha këto komunikata thuhet se aksionet janë ndërmarrë kryekëput për motive politike me qëllim që të çlirohet Kosova nga okupatori”, thuhej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, veprat penale me të cilat ngarkoheshin të pandehurit janë vepra penale të terrorizmit dhe se veprimtaria e tyre ka pasur si pasojë krijimin e frikës dhe të pasigurisë personale të të gjitha kategorive të qytetarëve të Kosovës.
“Motivet e të pandehurve, prokurori i ka kualifikuar me ‘karakter të natyrës politike dhe armiqësore, me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues të RFJ-s’”.
Sikur Hashim Thaçi të shkonte në Beograd, ai me siguroi do të arrestohej sepse gjykata në Beograd ka shpallur urdhërarrestin për të.
Ndërkohë, Prokuroria e Serbisë ka lëshuar urdhërarrest për Hashim Thaçin dhe të tjerët. Vitin e kaluar urdhërarresti ishte ripërtrirë në Interpol.
“Në rastin Thaçi nuk është shpallur fletë arresti i kuq, sipas të cilit ai do të mund të arrestohej në çdo shtet të botës, e pa të secili shtet vepron sipas dëshirës. Kjo do të thotë se në ndonjë shtet, sikur dhe te ne, ai do të mund të arrestohej“, kishte thënë në prill të këtij viti Prokuroria e Serbisë.
Prokuroria kishte thënë se “rasti Thaçi” në Serbi është në fazën e hetimeve e ai fajësohet për shkelje të Konventës së Gjenevës.
Prokuroria kishte përmendur se Thaçi në vitin 1997 ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, dhe ishte dënuar me 10 vjet burg për vepër penale terrorizëm, e më pas Serbia kishte ngritur edhe disa aktakuza.
Në vitin 2002, Prokuroria e Serbisë kishte lëshuar urdhërarrest nën dyshimin për gjenocid./Insajderi.com