Djali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Uka do të akuzohet këtë javë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Rugova, do të akuzohet për veprimtarinë kriminale që lidhet me vizat Schengen të lëshuara nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ai dyshohet se ka drejtuar një grup kriminal prej 21 personash.
Ngritjen e aktakuzës këtë javë e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit.
“Ju informoj se lidhur me rastin për të cilin keni pyetur aktakuza do të ngritët deri në fund të kësaj jave”, ka thënë për Insajderin, Liridona Kozmaqi – zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria ka shfrytëzuar afatit maksimal të hetimeve prej 30 muajsh në këtë rast për shkak të përfshirjes së shumë shteteve në këtë rast. Afati i fundit për ngrite të aktakuzës është nesër, më 18 maj.
Insajderi ka mësuar se lista e të akuzuarve të prokurorit Allen Cansick nis me Ukë Rugovës, pasuar nga, Izet Beqiri, Azad Beqiraj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Florian Petani, Kujtim Avdyli, Edison Idrizaj, Qefser Baholli, Liridona Beqiri, Hamza Beqiri, Driton Voca, Hamza Beqiri, Astrit Haraqija, Valon Selimi, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Azem Koskoviku, Alban Agushi, Haxhi Islami, Ragip Gashi dhe Fadil Ahmeti, po hetohet nga Prokuroria për veprime që kanë të bëjnë me shitje vizash.
Prokurori Allen Cansick pretendon se Ukë Rugova ka mbikëqyrur bizneset e Izet Beqirit me Florian Petanin dhe procedimin e vizave në ambasadë. Prokurori pretendon se Izet Beqiri ka vepruar si menaxher i operacionit dhe ai ka ndërmjetësuar ndërmjet Florian Petanit dhe të pandehurit Azad Beqiri, dhe të tjerëve.
Prokurori ka theksuar se provat e përgjimit tregojnë se Florian Petani ka kontakte të mjaftueshme brenda ambasadës italiane dhe ka dokumente të fshehta që kanë të bëjnë me Ukë Rugovën.
Pas disa muajsh hetime, Prokuroria kishte zgjeruar hetimet kundër Astrit Haraqijsë për vepra penale të krimit të organizuar, mashtrim, ushtrim të ndikimit, kontrabandim me migrantë, dhe shpërdorim të pozitës zyrtare si dhe Valon Selimit, Beg Shaqirit, Hasan Shaqirit, Azem Koskovikut, Alban Agushit, Haxhi Islamit, Ragip Gashit dhe Fadil Ahmeti në lidhje me veprat penale krim të organizuar, që lidhet me mashtrim, ushtrim të ndikimit dhe kontrabandim me migrantë.
Dhjetë anëtarët e parë të grupit që cilësohet si kriminal nga Prokuroria, janë arrestuar me 5 shkurt të vitit të vitit 2014 pas një hetimi të Policisë dhe Prokurorisë. Aksioni i arrestimit kishte rezultuar me gjetjen e një sasie të madhe provash kryesisht në shtëpinë e Ukë Rugovës, të cilat konsiderohen baza më e fortë për ngritjen e aktakuzës.
Dyshimet e forta janë theksuar vazhdimisht edhe nga Gjykata kur kishte vendosur për caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit për Ukë Rugovën.
“Dyshimi i bazuar në veçanti është i fuqishëm sa i përket Ukë Rugovës”, thuhej në njërin prej vendimeve për vazhdim të paraburgimit.
Gjatë bastisjes shtëpisë së ish-deputeti Ukë Rugova më 5 shkurt 2014 Policia kishte gjetur një material voluminoz që dyshohet se është shfrytëzuar për aplikimin e vizave të rrejshme Schengen. Policia kishte zbuluar dhe sekuestruar 40 komplete të aplikimeve për viza me fotografi të aplikuesve, 73 faqe të kopjeve të pasaportave, 22 dëftesa të vizave, 83 dokumente të madhësisë së fotografive, 168 zarfe që përmbanin dokumente të policave të sigurimit shëndetësor, një letër e adresuar ambasadorit të mëparshëm italian në mbështetje të aplikimeve për viza, 3 letra të adresuara për Faëzi Habib – zyrtar i Ambasadës Italiane, 16 fotokopje të letërnjoftimeve dhe dokumente të KEK-ut.
Provat e siguruara gjatë bastisjes konfirmohen me rezultatet e përgjimeve dhe të vëzhgimit si dhe sipas listës së klientëve të grupit që janë siguruar nga një e-mail i dërguar nga Visar Beqiri me datën 2 janar. Provat nga përgjimet po ashtu janë veçanërisht bindëse kundër Florian Petanit.
Në vendimin e fundit të Gjykatës për vazhdimin e hetimeve thuhet se të pandehurit dyshohet se veprojnë si grup i organizuar për ofrimin e vizave schengen të cilat në mënyrë mashtruese i kanë marrë nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
“Dyshohet që grupi nxjerr dokumente të rrejshme për të mbështetur kërkesat për vizat Schengen të paraqitura në ambasadën italiane për klientët e tyre dhe anëtarët e grupit kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre brenda Ambasadës Italiane për të siguruar që kërkesat mashtruese të miratohen”, thuhet në vendim.
Prokurori deri tash pos bastisjeve në pronat e 15 të dyshuarve, ka intervistuar më tepër së 100 dëshmitarë. Ka shfrytëzuar ndihmën juridike ndërkombëtare me Italinë.
“Ndihma Juridike është në vazhdimësi pasi që kanë dalë në sipërfaqe më shumë prova në vazhdim të hetimit, një sasi e madhe e dokumenteve akoma është duke u shkëmbyer. Ka dy kërkesa të diskutueshme për ndihmën juridike me Shqipërinë dhe Greqinë. Prokurori më tej ka paraqitur që një sasi me rëndësi të të dhënave financiare, elektronike dhe dëshmi të dokumenteve që kërkojnë një analizë komplekse”, thuhet në vendim.
Ukë Rugova është duke u mbrojtur në liri. Ai ka qenë deputet mandatin e kaluar. Në këtë legjislaturë ndërkaq, mandat deputeteje ka fituar motra e tij Teuta, derisa vëllai i tij i madh, Mendimi është emëruar zëvendësministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Grupi i Rugovës dyshohet se për një vizë italiane ka fituar nga 2700 deri në 3.500 euro./Insajderi.com