Numri i të prekurve nga Koronavirusi në Malishevë tashmë ka shkuar në 61.
Kryetari i saj, Ragip Begaj, ka pasur ankesa në drejtim të institucioneve qendrore pas gjendjes së krijuar në komunën e tij.
“Nuk kanë qenë mirë, kemi bërë ankesa shumë herë, prej dje ka ndryshuar pak gjendja kanë ardhur disa furnizime”, tha ai, shkruan Insajderi.
Kryeministri në detyrim Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë kanë gjetur sot kohë ta vizitojnë Gjilanin dhe Kamenicën – komuna këto me më pak të prekur nga Koronavirusi.
Kurti dhe Vitia nuk dihet kur do ta vizitojnë vatrën e pandemisë, Malishevën.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se kur Kurti do ta vizitojë komunën me më së shumti të prekur nga Koronavirusi, por e njëjta ende nuk ka kthyer përgjigje.
Rreth krejt kësaj çështjeje ka reaguar deputeti i Nismës, Endrit Shala.
“Është e habitshme se si kryeministri i shkarkuar gjen kohë t’i vizitoj komunat tjera të cilat janë shumë më pak të prekura nga COVID-19”.
“Më lejoni të ju kujtoj, që i vetmi veprim i kësaj qeverie në raport me komunën e Malishevës ka qenë getoizimi i saj, pra izolimi i saj nga pjesa tjetër e vendit, duke e lënë të vetme komunën të përballët me këtë pandemi”.
“Qeveria e shkarkuar po vazhdon të trajtoj Malishevën dhe qytetarët e saj në mënyrë raciste”.
“Tashmë, kur numri i të infektuarve po rritet çdo ditë, kjo neglizhencë e kryeministrit të shkarkuar dhe kësaj qeverie po vazhdon njëjtë, sepse këta të shkarkuarit nuk njohin qytetarë të Republikës, këta njohin vetëm militantë politikë”, ka shkruar Shala, njofton Insajderi.
Në anën tjetër, Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Liridon Hoti, ka deklaruar se kryetari Ragip Begaj vetëm javën e kaluar ka marrë një thirrje telefonikenga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nga ajo çka unë di, kryetari Begaj ka folur me kryeministrin javën e kaluar në orët e vona, nuk kam informacione për ndonjë kontakt kohëve të fundit”, ka thënë Hoti për Insajderin.
Numri i të infektuarve në Kosovë arrin në 170 ndërkaq i viktimave në 4. Të shëruar janë regjistruar 24 pacientë.
Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi./Insajderi.com