Albin Kurti mban të fshehur planin për bashkimin e ministrive

Kryeministri Albin Kurti, nuk ka dhënë asnjë informacion se çfarë plani ka për fuzionimin e ministrive të cilat i ka reduktuar nga 21 sa ishin në mandatin e kaluar, në 15 sa ka tani. Përveç, deklaratave pompoze për zvogëlim të numrit të ministrive, qeveria Kurti ende po e mbanë të fshehtë planin se si do ta bëjë bashkimit e disa ministrive. Insajderi merr vesh se ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, si opsion ka futjen në vlerësim të të gjithë atyre që mbajnë pozita të njëjta.

Albin Kurti mban të fshehur planin për bashkimin e ministrive

Ani se janë bërë një muaj që kur Albin Kurti mori votat e deputetëve për ta drejtuar Qeverinë e Kosovës në këtë mandat, ende nuk po di se si do t’ia bëjë me ministritë që ka vendosur t’i bashkojë.

Për rreth tri javë Gazeta Insajderi ka pritur nga zyra e kryeministrit për të dhënë një shpjegim se si ka planifikuar t’i fuzionojë këto ministri. Mirëpo, zyra e kryeministrit Kurti nuk ka dhënë asnjë informacion, se cili është plani konkret për stafin e ministrive që janë shuar.

Krejt çka ka thënë kryeministri Kurti për bashkimin e ministrive, ishte së ky është preokupim i tij kryesor.

“Preokupimet e mia sot janë zvogëlimi i ministrive nga 21 në 15 që nuk ka përfunduar ende, i cili ka shumë punë ligjore, administrative, me departamente, divizione e sekretar permanent, me personel e kuadër ligjor aspak të thjeshtë”, ka theksuar Kurti në një konferencë për media të enjten.

Vendimi i qeverisë së re për t’i bërë bashkë disa ministri, në mënyrë që të ulet numri i dikasterëve, ka bërë që të prekën gjashtë Ministri, shkruan Gazeta Insajderi.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është ndarë në dysh, ku pjesa e diasporës i është bashkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, kurse pjesa e investimeve strategjike i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. Ministria e Administratës Publike i është bashkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku tani është emëruar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i është bashkuar Ministrisë së Infrastrukturës, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë po ashtu është ndarë në dysh, pjesa e inovacionit i është bashkuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse pjesa e Ndërmarrësisë i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë, të cilës i është bashkuar edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Pas këtij bashkimi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik që ishte mandatin e kaluar, tani do të përbëhet nga tri ministri paraprake dhe dy komponentë apo pjesë të dy ministrive tjera dhe do të jetë ministria më e madhe me portfolio dhe numër të të punësuarve. Pas bashkimit të këtyre Ministrive, do të quhet Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Kabineti qeveritar i drejtuar nga Albin Kurti, pavarësisht se ende nuk e ka bërë të ditur planin se si do t’i akomodojë sekretarët permanent të këtyre ministrive që i ka bashkuar me ministri tjera, ka marr vendim për shkarkimin e gjithë atyre sekretarëve.

Sipas vendimit të Qeverisë të cilin e ka marrë me 19 shkurt, të gjithë sekretarët e ministrive të prekura nga riorganizimi shkarkohen dhe kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi.

Ministritë e prekura nga ky riorganizim janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Transfereve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Konjufca ka në plan t`i vlerësoj drejtorët e departamenteve të dy ministrive

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, janë shqyrtuar disa opsione se si do ta zgjidhin çështjen e  drejtorëve të departamenteve që kanë qenë në Ministrinë e Diasporës, e që të njëjtit i ka edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas burimeve të Gazetës Insajderi brenda Ministrisë së Diasporës, tashmë pjesë e MPJ-së, ministri Glauk Konjufca, e ka si opsion edhe vlerësimin e të gjithë drejtorëve të departamenteve që kanë qenë në Ministrinë e Diasporës dhe atyre në MPJ që kanë pozita të njëjta.

“Nuk e di. Nuk është në pyetje veç posti i zyrës teme. P.sh ka plotë poste. Ne kemi drejtor të auditimit, drejtor të financave dhe drejtor ligjor. Krejt këto poste janë edhe atje në MPJ. Ka plotë poste duplikat që janë. Ministri Konjufca kur ke atë ditë tha që këtë çështje, jena tu e diskutu deri ta gjejmë një zgjidhje finale. Ama në fund e përmendi si zgjidhje, kriterin e vlerësimit, pra, hyjnë me një faze vlerësuese, mandej cili tregon performancë më të mire e merr postin. Ky është përmend veç si opsion i rastit. Nuk do të thotë që është i sigurt”, ka theksuar ky burim.

Në Ministrinë e Jashtme që drejtohet nga Glauk Konjufca, nuk kanë dhënë detaje se si do ta zgjidhin këtë çështje.

Kreshnik Ahmeti, shefi i kabinetit të ministrit Konjufca, ka thënë se javën e kaluar janë takuar me drejtorët e ish-MDIS dhe jemi koordinuar për proceset e punës, deri në përfundimit e fuzionimit.

“Kabineti ynë ka realizuar takime sistematike me zyrtarët e MPJD-se, në shërbim të fuzionimit sa më të lehtë dhe funksional. Profilet dhe proceset e punës së MPJ dhe ish-MDIS janë komplementare dhe kjo e lehtëson punën e fuzionimit. Në kuadër të angazhimit për fuzionim, javën e kaluar kemi takuar drejtorët e ish-MDIS dhe jemi koordinuar për proceset e punës, deri në përfundimit e fuzionimit. Gjithashtu, kemi filluar me takime të departamenteve dhe divizioneve paralele për t’i koordinuar më në detaje këto procese”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Megjithëse, do t’i ndjekin udhëzimet e Qeverisë për këtë çështje, Ahmeti nuk ka treguar se cilat janë ato udhëzime që ka përcaktuar Qeveria e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do t’i ndjekë të gjitha udhëzimet dhe praktikat të cilat përcaktohen nga Qeveria e Kosovës për realizimin dhe përmbylljen e procesit të fuzionimit”, theksoi ai.

Ministria e Punëve të Brendshme, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me këtë çështje.

Shoqëria civile: Të ndalohet rekrutimi deri në risistemimin e ministrive 

Në një analizë të bërë nga organizata Demokraci Plus, me titull, Dyfishimi i pozitave në shërbimin civil si rezultat i ristrukturimit të Qeverisë: cila është zgjidhja, theksohet vështirësia që do të jetë në fuzionimin e ministrive të cilat Kurti ka vendosur t’i bashkojë me disa ministri tjera.

Visar Rushiti, analist i politikave në D+ tha për Gazetën Insajderi se nëse Qeveria dëshiron ta zvogëlojë numrin e nëpunësve civilë, një propozim është që të ndalojë rekrutimin derisa të dihet se ku do të risistemohen këta të fundit.

Ai ka dhënë disa rekomandime se di duhet të bëhet sistemimi i punonjësve të cilat kanë pozita drejtuese.

“Qeveria duhet të hyjë në një proces të gjatë të ristrukturimit (si tërësi) dhe risistemimi të nëpunësve civil në tërë Qeverinë sepse ristrukturimi dhe risistemimi i mirëfilltë kërkojnë kohë dhe ekspertizë të cilat në fund prodhojnë organizim dhe sistemim të Qeverisë që në fund të fundit ofron shërbime në mënyrë profesionale për qytetarët”.

“Qeveria nuk duhet të bëjë ulje të numrit të nëpunësve civil përmes riorganizimit. Në rast se Qeveria ka në objektivë uljen e numrit të të punësuarve në shërbimin civil, duhet të ngrijë punësimin për një periudhë të caktuar deri në risistemimin e plotë të nëpunësve civil aktualisht të punësuar në shërbimin civil dhe pastaj përmes rekrutimit të centralizuar për nivel të Qeverisë të vendoset një rregull mbi numrin dhe sistemimin e nëpunësve civil nëpër ministri”, ka theksuar Rushiti. /Insajderi.com