Albin Kurtit po i ecën ora mbrapa – a po shkon drejt dështimit për t’u bërë kryeministër?

Albin Kurtit po i ecën ora mbrapa – a po shkon drejt dështimit për t’u bërë kryeministër?

Albin Kurtit i kanë mbetur edhe 13 ditë për ta propozuar kabinetin qeveritar para deputetëve të Kuvendit, për votim dhe formimin e Qeverisë.

Derisa Kurtit po i ecën ora mbrapa, marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duket ende larg për t’u arritur – kjo pasi asnjëra parti s’po heqin dorë nga ofertat e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston ta marrë pozitën e kryeparlamentarit, derisa Vetëvendosje assesi nuk heq dorë nga ky post.

Arbërie Nagavci, nënkryetarja e Kuvendit, beson se brenda afatit kushtetues që ka Kurti, do të arrihet marrëveshja me LDK-në, porse nuk diskutojnë për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Besoj që çështja e kryeparlamentarit është një çështje që tashmë është vendosur me vullnetin e 75 deputetëve që e kanë vendosur atë dhe nëse flasim për pushtetet Kushtetuta e përcakton saktë se si janë të ndara pushtete në ekzekutiv, në legjislativ dhe në presidencë”.

“Kështu që besoj se do të arrijmë një mirëkuptim sepse ky ka qenë vullneti i qytetarëve dhe është obligim i neve dy partive që të gjejmë rrugën për arritur deri të marrëveshja përfundimtare dhe t’iu japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar”, ka thënë Nagavci për Insajderin.

Se LDK janë të vendosur në kërkesën e Isa Mustafës për ta pasur kryeparalmentarin e thotë edhe Vjosa Osmani, nënkryetarja e kësaj partie. Ndonëse ajo thotë se janë të gatshëm që ende të takohen edhe të diskutojnë për një marrëveshje finale.

“Ne jemi të interesuar të kthehemi në tavolinë të diskutimeve dhe propozimet që i ka bërë LDK-ja kanë qenë me qëllim arritjen e marrëveshjes dhe e tillë ka qenë edhe e fundit. VV do duhej ta shihte si të tillë. Të tjerat do të diskutohen në tavolinën e negociatave”, ka thënë sot Osmani para mediave, shkruan Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike tash e disa javë kanë shkëmbyer ofertat për njëra-tjetrën përmes letrave, por jo duke u takuar.

Negociatat mes dy partive duket se u kthen krejt në fillim – kur me 26 dhjetor në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje e propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit, pa pasur një marrëveshje me LDK-në, ndonëse edhe këta të fundit e votuan.

Mbetët të shihet gjatë ditëve të ardhshme nesër Kurti dhe Mustafa do të gjejnë një zgjidhje për të qeverisur bashkë, apo gjithçka që do të kthehet në “fillim”./ Insajderi.com