Në fillim të janarit, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shasivar Hoti, anëtarët Beqir Kalludra, Shadije" />

Arsyetimi për rastin Pronto – Gjykata injoron përgjimet

Mijëra biseda telefonike të ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit dhe të tjerëve, e që ishin bërë me vendim te gjykatës, të cilat janë publikuar nga Gazeta Insajderi, nga të cilat Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë, nuk janë konsideruar të rëndësishme nga trupi gjykues i këtij rasti. Ndonëse ato nuk janë kontestuar, në arsyetimin që e ka siguruar Insajderi thuhet se gjykata nuk ka arritur të vërej nëse dikujt i është shkaktuar dëm pasi as nga Prokuroria nuk është bëre përcaktimi i dëmit.

Arsyetimi për rastin Pronto – Gjykata injoron përgjimet

Në fillim të janarit, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shasivar Hoti, anëtarët Beqir Kalludra, Shadije Gërguri, dhe sekretarja juridike Sadije Istogu,shpallën të pafajshëm Adem Grabovcin, Besim Beqaj, Zenun Pajazitin dhe tetë të akuzuarit tjerë për rastin e njohur si “Pronto”, përgjimet e të cilit janë publikuar në muajin gusht të vitit 2016 nga Gazeta Insajderi.

Me këtë vendim të 3 janarit, Grabovci dhe të tjerët u liruan nga akuza siç thuhet pasi nuk kishte prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.

“Nuk është vërtetuar gjendja faktike si në aktakuzë, nuk mund të provohet fakti se të pandehurit kanë kryer veprën me të cilën ngarkoheshin”.

Në aktgjykim 52 faqe të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, gjykatësi Shashivar Hoti ka dhënë arsyet pse hodhi poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale në këtë rast.

Trupi gjykues në këto faqe të aktvendimit nuk e ka arsyetuar përmbajtjen e secilës bisedë të përgjimeve, pavarësisht kësaj ka ardhur në përfundim se veprimet e të akuzuarve nuk përbëjnë veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Madje ka theksuar se nuk ka mundur të vërtetoje se Adem Grabovci dhe personat e tjerë ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuza, kanë pasur për qëllim t’i shkaktojnë dëm dikujt apo ndonjë privilegj dhe se dashja është element i veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës”.

Në asnjërën nga pikat e arsyetimit 52 faqe, me të cilat përshkruhet lirimi i secilit të akuzuar nuk përmendet vlerësimi i përgjimeve.

I vetmi paragraf kushtuar përgjimeve është ai i faqes së fundit në aktvendim ku shkruan se:

“Përveç përgjimeve telefonike mes të pandehurve të cilat nuk ishin kontestuese, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se ndonjë personi apo qytetari të Republikës së Kosovës i është shkaktuar ndonjë dëm konkret dhe nga prokuroria nuk është saktësuar se cilët ishin personat e dëmtuar si dhe nuk kishte bërë përcaktimin e dëmit dhe lartësia e dëmit, po ashtu nuk është provuar fakti së të pandehurit kanë vepruar me dashje marrë parasysh faktin se kjo vepër kryhet vetëm me dashje e dashje nënkupton vetëdijen e kryesit për veprimet e veta dhe dëshirën për të kryer atë vepër apo edhe dashja eventuale duke qenë i vetë dijshëm për pasojat e ndaluara”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Derisa në pikat e tjera të arsyetimit lirues shkruan se Adem Grabovci nuk ka mundur të ndikojë në punësime pasi sipas trupit gjykues ai nuk ka pasur kompetencë apo thirrje për këto punësime.

Gazeta Insajderi për gjatë një muaji, kishte publikuar përgjimet e njohura si “Dosja e Shefave”, te cilat ishin bërë ndaj Adem Grabovcit me vendim gjykate në vitin 2011. Atë kohë Grabovci ishte nën hetime për një rast korrypsioni në MTPT.

Në këto përgjime dëshmoheshin biseda mes zyrtarëve me të lartë të PDK-se duke ndërhyre në punësime në ndërmarrje publike, institucione të pavarura, agjencione e media.

Bazuar në këto përgjime prokuroria Speciale e Kosovës, në muajin qershor të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit, Fatmir Shurdhajt, Xhavit Dakaj, Ilhami Gashit, Ismet Neziraj, Rexhë Abazit, Nijazi Kryeziut, Sadat Gashit e Arbenita Pajazitit.

Sipas aktakuzës së ngaritur nga prokurorja Drita Hajdari, kryepersonazhi i përgjimeve Adem Grabovci kishte ndikuar dhe kishte tentuar të ndikojë në punësime dhe emërime në nëntë raste të ndryshme përfshirë ndërmarrje e institucione publike.

Grabovci dhe të tjerët, ngarkoheshin me veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Hajdari kishte kërkuar nga gjykata që Adem Grabovci dhe të thjerët të dënoheshin për shkeljet të statusit të barabartë të qytetarëve.

Gjykimi ndaj tyre kishte nisur në funs të vitit 2018, disa muaj pas ngritjes së aktakuzës.

Të akuzuarit në seancen fillestare ishin deklaruar të pafajshëm.

Pas disa seancave të gjykimit, trupi gjykues në krye me Shasivar Hotin me 3 janar mori vendim për të liruar ata nga akuza, ndërsa arsyetimin lirues e dorëzoi para disa ditësh.

Lexo edhe: 

Dosja e Shefave: Shteti në dorë të nëntokës