Avancimi i dyshimtë i Agron Bekës nga Kolegji “Juridica” në Universitetin e Mitrovicës

Agron Beka është zgjedhur në mënyrë të dyshimtë në stafin akademik të Universitetit të Mitrovicës. Dyshohet se avancimi i tij në Universitetin "Isa Boletini" përbën konflik interesi, pasi kryesues i Komisionit Vlerësues në zgjedhjen e tij si staf akademik në UMIB ishte Vesel Latifi, profesor dhe dekan në Kolegjin "Juridica", themelues i të cilit është Agron Beka.

Avancimi i dyshimtë i Agron Bekës nga Kolegji “Juridica” në Universitetin e Mitrovicës

Profesori Agron Beka ushtronte funksionin e dekanit në Kolegjin privat “Juridica” në vitin 2015, kur ishte propozuar për përzgjedhje në stafin akademik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB).

Beka, i cili është themelues i Kolegjit “Juridica”, gjeti si kryesues të Komisionit për Zgjedhjen e Stafit Akademik një mik të tijin. Vesel Latifi, i cili është i punësuar prej vitesh si profesor e më pastaj edhe si dekan në Kolegjin që Beka e themeloi, ishte kryesues i Komisionit që e punësoi Bekën në universitet publik.

Insajderi ka siguruar raportin e Komisionit Vlerësues për Zgjedhjen e Stafit Akademik, të 15 shtatorit 2015, në të cilin Vesel Latifi si kryesues i këtij komisioni dhe dy anëtarët e tjerë: Enver Hasani dhe Haki Demolli, kishin vendosur për avancimin e Agron Bekës në Universitetin e Mitrovicës.

Në këtë raport, Komisioni i udhëhequr nga Vesel Latifi mori vendim që Agron Beka të zgjedhej si staf akademik në Universitetin publik të Mitrovicës. T’i jepej titulli i profesori asistentit në këtë universiteti dhe të ligjëronte disa lëndë në lëminë penale.

“Komisioni erdhi deri te ky propozim duke pasur per baze se kandidati Dr.Sc. Agron Beka, i ploteson te gjitha kushtet e parapara ne Statutin dhe Konkursin e Universitetit te Mitrovices ‘Isa Boletini'”, thuhej në raportin e Komisionit, të cilin e ka siguruar Insajderi. 

“Kandidati ka përvojë akademike disa vjeçare në cilësinë e ligjëruesit. Po ashtu, kandidati ka përvojë profesionale duke qenë pjesë e disa projekteve vendore dhe ndërkombetare për reforminin e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në vlerësimin e Komisionit për profilin e Agron Bekës.

Ndonëse Komisioni Vlerësues sugjeroi se Beka i plotësonte të gjitha kushtet e parapara me statut për t’u zgjedhur si staf akademik në Universitetin e Mitrovicës, lidhjet e Agron Bekës me Vesel Latifin dyshohet se përbënin konflikt interesi. Kësisoj, procesi i avancimit të Agron Bekës nga themelues e dekan i Kolegjit “Juridica” tek pozita e pozita e profesorit asistent në Universitetin e Mitrovicës cilësohet i dyshimtë.

Në kohën kur kishte ndodhur avancimi i Agron Bekës në Universitetin “Isa Boletini”, Vesel Latifi ishte i punësuar si profesor në Kolegjin “Juridica”, i cili është themeluar nga Beka dhe që momentalisht drejtohet nga gruaja e tij, Teuta Beka.


Vesel Latifi, djathtas në fotografi dhe Agron Beka, i ulur në mes, gjatë një diskutimi në Kolegjin Juridica disa vite më parë/ Foto: Kolegji “Juridica”

Mirëpo, jo më shumë se tre vite pasi e shpërbleu Bekën me avancim në Universitetin e Mitrovicës, Latifi po ashtu është shpërblyer me ngritje në pozitë në Kolegjin “Juridica”. Ai tash figuron si Dekan në Kolegjin “Juridica”, raporton Gazeta Online  Insajderi.

Pavarësisht zgjedhjes në mënyrë të dyshimtë në stafin akademik të Universitetit të Mitrovicës më 2015, Agron Beka ka rrugëtuar deri në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin publik të Mitrovicës. Për tri vite, nga profesor asistent, Beka ka arritur të ngjitet deri në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Dekanit në UMIB.

Insajderi i ka dërguar para disa javësh pyetje Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) për të sqaruar nëse rasti i avancimit të dyshimtë të Agron Bekës në stafin akademik të Universitetit të Mitrovisë përbën konflikt interesi, por gazeta ende nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu as Agron Beka e Vesel Latifi nuk janë deklaruar për këtë çështje. Insajderi ka tentuar të bisedojë me dy profesorët përmes telefonit, por kontakti me ta ka qenë i paarritshëm. Po ashtu, Insajderi i ka drejtuar e-mail Kolegjit “Juridica”, në të cilin është dekan Vesel Latifi, mirëpo as përmes kësaj rruge nuk ka arritur të marrë një përgjigje. /Insajderi.com