Azem Syla: Ke afat 48 orë me e përkthy tokën

Komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla nuk kishte përtuar të përdorte tonet më kërcënuese për ta detyruar “F”-në që t’ia shiste tokën familjarit të tij, Hysni Syla me çmimin që donin ata. I kishte dhënë ultimatum që pesë hektarë tokë të shiteshin brenda 48 orëve për 50 mijë euro, ndryshe do ta shihte se kush ishte Azem Syla. Por, “F”-ja nuk ishte thyer kësaj radhe. Pas kësaj, “F”-ja ishte shantazhuar në një mënyrë tjetër. Vajza që ishte bërë pjesë e shantazhit, i ishte premtuar një vend pune në institucione. Insajderi zbulon se 200 mijë euro për këtë tokë janë shpërlarë nëpërmjet OJQ United Foundation. Drejtori i saj jep version tjetër prej atij të Hysni Sylës.

Azem Syla: Ke afat 48 orë me e përkthy tokën

Hysni Sylës nuk i kishin mjaftuar dhjetë hektarë tokë në Pejë që ia kishte shitur “F”-ja. Kërkone edhe pesë tjerë me çmimin që e kishte përcaktuar vetë, ndërkohë që më shumë se gjysmën e parave për 10 hektarëshin e parë nuk ia kishte paguar.

Pronësinë për këtë tokë, Hysni Syla e kishte bartur në emër të dhëndrit, Mustafë Hoxha. 200 mijë euro ishin paguar nëpërmjet një OJQ-je nga Lipjani. I kishte mbetur borxh edhe 250 mijë euro.

Ofertën për pesë hektarët e mbetur, nuk e kishte pranuar “F”-ja.

Menjëherë kishin nisur kërcënimet. Dy burra kishin provuar më forcë që ta detyronin ta pranonte ofertën. Mes njerëzve që kishin shkuar tek “F”-ja ishte edhe Shkelzen Syla, aktualisht sekretar i përhershëm në Ministrinë e FSK-së. Ai është i afërm i “Dajës së madh” dhe “Dajës së vogël”. Shkelzen Syla nuk e kishte kërcënuar. Posa kishte marrë shpjegimet se si është puna, ishte larguar duke kërkuar falje.

Kur, “F”-ja kishte refuzuar përfundimisht shitjen e tokës, në skenë kishte dalë Azem Syla. Të dy “dajallarët” i kishin shkuar në lokal.

“Nëse nuk e përkthen tokën, ki me pa se kush osht Azem Sy;a”, kishte kërcënuar ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së.

Disa ditë më vonë i kishin shkuar dy personat tjerë të cilët e kishin kërcënuar se nëse nuk e përkthen tokën për 48 orë, një video komprometuese do t’i publikohej në internet.

“Publikojeni, nuk e përkthej tokën”, ishte përgjigjur “F”-ja. Menjëherë e kishte raportuar rastin Polici.

Prokuroria gjatë hetimit ka siguruar prova të shantazhit. Ka nxjerr të gjithë mesazhet telefonike të shkëmbyera ndërmjet shantazhuesve, mes të cilëve edhe “Daja i vogël”.

E gjithë kjo ngjarje konfirmohet me bisedat telefonike.

“Përmbajtja e transkriptove të përmendur dhe të SMS, vërtetojnë se të pandehurit kanë përgatitur strategjinë për shantazh dhe kanë realizuar shantazhin, që i dëmtuari ‘F’ t’ua përkthej tokën”, thotë prokurori Reshat Millaku.

“Por shantazhi nuk u ka pasur sukses, e këta nuk kanë ndonjë strategji veprimi se si më vepruar më tej”.

Hysni Syla ka dhënë një version të ngjashëm të ngjarjes, por ka mohuar shantazhin. Ka thënë se “F”-ja e kishte lutur që t’ia blinte tokën për shkak të borxheve të mëdha.

Në dëshminë e tij të dhënë më 16 korrik 2012 në Prokurori, Syla ka thënë se në vitin 2006, “F”-ja ishte në vështirësi ekonomike.

Ka thënë se marrëveshja është arritur për 15 hektarë tokë në vlerë prej 450 mijë euro. Kontrata ishte përpiluar në emër të dhëndrit të tij.

Syla ka thënë se pagesën e 200 mijë eurove për këtë patundshmëri e ka bërë nëpërmjet bankës. Ka thënë se kur është blerë toka, “F” nuk ka treguar se 5 hektarë janë hipotekë bankare.

Ai ka thënë se të paktën dhjetë herë kishte shkuar tek “F”-ja për të bërë marrëveshje. Në një rast kishte thënë se kishte ofruar edhe 150 mijë euro për këta pesë hektarë.

Por, sipas tij, “F”-ja kishte thënë se e ka shitur tokën tek të tjerët.

Syla ka thënë se të bashkakuzuarin, Shaip Bujupin e ka djalë të motrës, por se ka mohuar se ai është i implikuar në këtë rast. Ka thënë po ashtu se e kishte lutur shpesh Shkelzen Sylën që të shkonte dhe të bisedonte me “F”-në për të arritur marrëveshje.

“Daja i vogël”, ka mohuar se ka lidhje me vajzën që ishte përpjekur ta shantazhonte “F”-në. Ka thënë se nuk ka fare njohuri për këtë çështje.

Kur i është prezantuar një përgjim telefonik i datës 12 janar 2012, i realizuar me nipin e tij, Shaip Bujupi, ka thënë se nuk i kujtohej fare. Është arsyetuar se kur është folur për para, është diskutuar për një borxh që i kishte nipi i tij.

Edhe Shaip Bujupi ka mohuar se ka kryer veprën penale. Ka thënë se nuk e njeh fare vajzën që ishte përfshirë në shantazh.

Vajza e prezantuar si “Albulena nga Gjilani” e ka pranuar se është përfshirë në këtë rast. Ajo ka shpjeguar gjithçka, përfshirë marrëveshjen me Shaip Bujupin në këmbim të një vendi pune në institucione. Ia kishte dhënë qeramikë në vlerë prej 900 eurosh.

20160627_084912

200 mijë eurot për tokën e blerë janë paguar nga OJQ United Foundation me seli në Qellopek të Lypjanit. Drejtor i kësaj organizate është Bedri Berolli.

OJQ-ja është regjistruar, më 9 dhjetor 2004. Misioni i saj siç është regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike, është “dhënia e ndihmës në të holla dhe në forma të tjera (rroba, ushqim ); ndihma personave të sëmurë, personave me aftësi të kufizuara , të moshuarve të cilët janë duke u lënë pas dore dhe nuk kanë ndihmën dhe kujdesin e personave të tjerë; mbrojtja dhe ndihma e fëmijëve parafillorë e fëmijëve në shkolla, jetimëve dhe luftimi i fenomenit të punës së fëmijëve të mitur nën moshën 16 vjeç” .

I kontaktuar nga Insajderi, Bedri Berolli nuk ka mundur të sqarojë se si është përfshirë organizata e tij në këtë shitblerje.

“OJQ-ja e ka ble për me ndërtu aty diçka”, ka thënë Berolli. Ai nuk ka mundur të sqaroj se nëse është blerë nga OJQ-ja, pse toka është bartur në emër të dhëndrit të Hysni Sylës. Ka thënë se “Dajën e vogël” e njeh dhe e ka shok.

“OJQ-ja e ka ble. Hysni Syla nuk është pjesë e OJQ-së. Nëse ka hy Hysni Syla me ba mirë, ajo osht tjetër send. Ju ka bashkëngjit me ba mirë”, ka thënë Berolli për Insajderin.

“Tyben nuk po e di as unë çka u ba. Nuk e di saktë”.

Berolli ka thënë se paratë për OJQ mblidhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga vëllai i tij për ta ndihmuar Kosovën.

I pyetur se a ka shpërlarë para kjo organizatë joqeveritare që drejton, Berolli ka thënë se me dijeninë e tij jo.

“Valla me mendjen teme jo. Tash se di çka paska ndodh”, ka thënë ai.

Hysni Syla ndërkaq, nuk e ka përmendur fare këtë OJQ e as implikimin e saj në Prokurori. Ka thënë se tokën e ka blerë për vete, por është regjistruar në emër të dhëndrit të tij, Mustafë Hoxha.

Mustafë Hoxha është i ati i drejtorit të Postës së Kosovë, Sejdi Hoxha./Insajderi.com

Të mërkurën: Se si e kishte futur në blerjen e një shtëpie në Gërmi, Azem Syla, “F”-në? Si e kishte futur “grupi i Azem Sylës “F”-në në fajde tek vëllai i Rrustem Mustafës? “Çfarë kishin biseduar Azem Syla e Rrustem Mustafa në hotel Victory për fajdetë e Bedri Mustafës? Si ishte tallur Azem Syla me “F”-në duke i thënë se “shyqyr që t’i ka rujt zoti mentë”?