Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Bedri Selmani, i cili llogaritet si njëri prej uzurpatorëve më të mëdhenj të pronave shoqërore, po synon që t’ia marrë shtetit afër gjashtë milion euro për rrënimin e pompës që sipas AKP-së e ka mbajtur për 17 vjet të uzurpuar.
Uzurpatori më i madh në Kosovë, Bedri Selmani, po synon që t’ia marrë shtetit mbi pesë milion e gjysmë euro dëmshpërblim për rrënimin e njërës prej pompave të uzurpuara prej tij.
Selmani, ka paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës me kërkesë për kompensim dëmi. Vlera që i ka caktuar këtij dëmi është 5.667.445 euro.
Në këtë padi të dorëzuar në gjykatë nga avokati i Selmanit, Tahir Rrecaj, pretendohet se Qeveria nuk e ka bërë identifikimin e drejtë të pronarëve të pronës së shpronësuar me vendimin përfundimtar.
“Si pronar të aseteve të shpronësuara, përveç sipërfaqes së tokës së shpronësuar në emër të Auto Moto e Kosovës, dhe INA Zagreb-Ndërmarrja në Prishtinë, nuk e ka përfshirë në procedurën e shpronësimit Ndërmarrjen “Kosova Petrol” me pronar Bedri Selmanin, për pjesën tjetër prej rreth 80% të aseteve ku hynë objekti afarist i ndërmarrjes, mjetet e punës, afarizmi dhe 12 vende pune”, thuhet në padinë që ka Insajderi.
Pompa e rrënuar dhe toka e shpronësuar është tek rrethi i ri në Prishtinë. Shpronësimi është bërë për shkak të ndërtimit të rrethrrotullimit dhe zgjerimit të rrugëve. Për shkak të procedurave për shpronësim, ndërtimi i rrugës ishte vonuar me muaj të tërë.
Shpronësimi
Në dhjetor 2013, Qeveria ka aprovuar shpronësimet dhe vlerësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat janë prekur preken nga ndërtimi i Kryqëzimit.
Paditësi thotë se është i detyruar që ta kërkojë realizimin e të drejtave të tij për kompensimin e dëmit në procedurë kontestimore.
Selmani pretendon se vendimi Përfundimtar si i tillë, ka qenë i paekzekutueshëm sepse në vendim nuk është përfshirë shpronësimi i objektit, mjeteve të punës, afarizmi dhe 12 vende të punës, por ai vendim është ekzekutuar, objekti është rrënuar, është dëmtuar afarizmi i paditësit dhe janë shuar 12 vende pune, dhe me këtë paditësit i është shkaktuar dëme i konsiderueshëm material, që sipas vlerësimit zyrtar të paditësit kap shumën e përgjithshme prej 5.667.445€
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, llogaritet si njëri prej uzurpatorëve më të mëdhenj të pronave shoqërore. Emri i tij zë vendin kryesor në listën e uzurpatorëve të publikuar ditë më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Bile, shteti ia ka falur edhe borxhet që Selmani ka ndaj tij.
Me 7 shkurt, Insajderi ka zbuluar sesi Ligji për faljen e borxheve i sponzorizuar nga Qeveria e drejtuar nga Mustafa e Thaçi po i mundëson përfitime të mëdha biznesmenit Bedri Selmani, pronarit të “Kosova Petrol”. Selmani ka qenë deputet i PDK-së.
Insajderi.com ka zbuluar se kompania “Kosova Petrol“, ka mbi 821 mijë euro borxhe ndaj Administratës Tatimore.
Megjithëkëtë, Selami tash synon që të marrë prej shtetit gati gjashtë milion euro për kompensim të dëmit.
Selmani: Kam leje
Në padi thuhet se pronësia e “Kosova Petrol” me pronar Bedri Selmanin vërtetohet nga Leja e UNMIK-ut – Departamenti i Marrëdhënieve Ekonomike & Administratës së Burimeve Natyrore, i datës 25 Janar 2000, për të vepruar në objekte me pajime për lëndë djegëse të ndërmarrjeve të mëparshme (publike) shtetërore të njohura si “Beopetrol” dhe “Jugopetrol”, e cila sipas padisë ka hyrë në fuqi më 25 Janar 2000.
“Leja është dhënë nga një organ legal dhe legjitim, dhe ka fuqinë e një dokumenti publik që vërteton pronësinë e objektit, mjeteve të punës, afarizmit dhe 12 vende të punës, nga momenti i dhënies e deri në momentin kur Z. Bedri Selmani tërhiqet, ose deri kur nga ky kërkohet që të tërhiqet nga implikimi i tij”, thuhet në padi.
Selmani pretendon në padi se sipas Lejes, “Kosova Petrolit” i lejohet që të veprojë me përfitim komercial duke shitur naftë dhe derivate të naftës nëpërmjet njësive-objekteve të regjistruara në regjistër të bashkangjitur, në pajtim me Rregulloren 1999/9.
Në padi pretendohet se pika 7 konstaton se leja është ende në fuqi, sepse Bedri Selmani nuk është tërheq nga leja dhe asnjë organ kompetent nuk ka kërkuar nga ky që të tërhiqet. Për këtë arsye, sipas padisë ai është pronar-zotërues legjitim i aseteve të pronës së paluajtshme: objektit afarist të ndërmarrjes, mjeteve të punës, afarizmit dhe 12 vende pune të cilat nuk janë përfshirë me vendimin përfundimtar për shpronësim.
“Prandaj paditësit duhet t’i njihet e drejta e kompensimit të dëmit të shkaktuar me fajin e të paditurit, i cili nuk e ka përfshirë paditësin në procedurën e shpronësimit”.
Takimi me Hashim Thaçin
Padia thotë se Qeveria i ka filluar punët përgatitore dy vjet para shpronësimit.
Si pasojë e fillimit të punëve, pretendohet se i tërë afarizmi, jo vetëm në njësinë Prishtina, por edhe në njësinë tjetër përballë është paralizuar pothuajse në tërësi.
“Qarkullimi nga 36.000 euro në 24 orë, sa ka qenë para fillimit të punëve përgatitore, ka rënë në 6.000 euro, dhe kështu paditësit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 186.585 euro”.
Në padi saktësohet se më 19 shkurt 2014, Selnmani ka kërkuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, rishikimin dhe ndryshimin e vendimit përfundimtar të Qeverisë, por me gjithë premtimet se kërkesa do të shqyrtohet, Qeveria kurrë nuk ka vendosur lidhur me këtë kërkesë.
“Mbi këtë bazë, paditësi i propozon Gjykatës, që pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor publik, verbal dhe administrimit të provave, në emër të popullit të marr aktgjykim: “Ta detyrojë Qeverinë që paditësit, Ndërmarrja “Kosova Petrol”, me pronar Bedri Selmanin, në emër të kompensimit të dëmit për punët përgatitore në ndërtimin e rrethrrotullimit t’i paguaj shumën prej 186.585 euro; në emër të kompensimit të dëmit për shpronësimin e kundërligjshëm të objektit afarist të ndërmarrjes dhe mjeteve të punës t’i paguaj shumën prej 171.463 euro; në emër të kompensimit të dëmit në emër të afarizmit t’i paguaj shumën prej 5.309.397 euro, apo shumën e tërësishme prej 5.667.445 euro.
Gjithë kompensimin ai e kërkon me kamatë ligjore prej 3.5%, nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive./Insajderi.com