Dëmi i madh që po i shkaktohet Telekomit gjatë mandatit të Bedri Istrefit

Dukuria kriminale “Sim to Sim”,  që në vitin 2010 rrezikonte ta fuste Telekomin e Kosovës në listën e zezë të operatorëve mobil, ka dhënë shenja të rikthimit. Është rritur ky aktivitet kriminal gjatë tre muajve të parë të Bedri Istrefit në postin e kryeshefit të Telekomit të Kosovës.

Dëmi i madh që po i shkaktohet Telekomit gjatë mandatit të Bedri Istrefit

Dukuria kriminale “Sim to Sim” është duke shënuar rritje, prej kohës kur Bedri Istrefi është vendosur në krye të Telekomit të Kosovës.

Ai është emëruar në postin e kryeshefit të ndërmarrjes publike në fund të vitit 2018.

Nuk shquhen për ndonjë sukses të rritjes së fitimit të ndërmarrjes tre muajt e parë të punës së tij: Janar, shkurt e mars të vitit 2019.

Por, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka zbuluar se tre muajt e parë të ardhjes së tij në krye të ndërmarrjes publike shquhen për një fakt shumë negative. Për zhvillim të një dukurie kriminale që dëmton “Telekomin e Kosovës”.

Është dukuria kriminale e njohur si “Sim to Sim”. Zhvillimi i kësaj dukurie, sipas auditorëve, ka dëmtuar edhe operatorin VALA, por edhe operatorin virtual “Z-Mobile”.

Për koincidencë kjo veprimtari është duke u rritur pikërisht në kohën kur ndërmarrja drejtohet nga Istrefi, i cili ka njohuri për parandalimin e këtij aktiviteti. Ai për vite më radhë ka punuar si drejtor teknik si dhe ka qenë pjesë e drejtorisë së të hyrave të ndërmarrjes. Të dy këto drejtori kanë njohuri për këtë aktivitet.

Kjo dukuri e njohur si “Sim to Sim” realizohet nëpërmjet Sim kutive, me qëllim të kartelave të konsumatorëve të operatorëve legalë.

Ato përdorën për mashtrim dhe ridrejtim të thirrjeve ndërkombëtare që vijnë te një operator i caktuar mobil, duke përdorur rrjetin e atij operatori.

Ridrejtimi ndikon Telekomi, IPKO, Z-Mobile të humbasin miliona euro, pasi që paratë e thirrjes inkasohen nga keqpërdoruesi e jo nga operatori legal.

Auditorët: Menaxhmenti i Telekomit morën masa vetëm pasi zbuluam keqpërdorimet

Përgjegjës për të marrë masa për parandalimin e kriminalitetit, sipas auditorëve, janë anëtarët e menaxhmentit të Telekomit të Kosovës.

“Gjatë auditimit, kemi identifikuar mangësi në parandalimin e humbjeve dhe korrigjimeve të aktiviteteve që konsiderohen si mashtrime”, theksohet në raportin e ZAP-it.

“Është vërejtur që ky aktivitet ka pasur trend rritës muajve të fundit të vitit 2018, dhe kjo rritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019, ku në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arrit mesatarisht në 200 aktivitete të tilla në muaj”, thuhet në këtë raport.

Sipas auditorëve, përgjegjësit e Telekomit të Kosovës nuk kanë marrë masat e duhura për parandalimin e këtij aktiviteti kriminal. Kanë qenë neglizhent edhe kur janë afektuar numrat e VALA-s, por edhe kur janë afektuar numrat e Z-Mobile.

Raporti sqaron se menaxhmenti i “Telekomit të Kosovës”, ka pasur të drejtën e ndërhyrjes kur afektohen numrat e operatorit virtual Z-Mobile.

“Telekomi i Kosovës duhet të zvogëloj dhe të parandaloj aktivitet jonormale që ndikojnë në humbjen e të hyrave financiare dhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara. Po ashtu, sipas Marrëveshjes për mbështetje ndërmjet PTK SH.A dhe Dardafon.net LL.C, konkretisht sipas nenit 9.4 Konkurenca ilegale, parashihet që: “Palët do të kooperojnë të luftojnë dukurinë e njohur si ‘SIM to SIM’. Për më tepër, Dardafon.net është në dijeni se nëse PTK detekton ndonjë aktivitet të dukurisë SIM to SIM, PTK rezervon të drejtën të bëjë shkyçjen e këtyre numrave”, thuhet në raport.

Shkyçjen e numrave të afektuar mund ta bëjë vetëm “Telekomi i Kosovës”, por menaxhmenti e ka neglizhuar deri në momentin e periudhës së auditmit.

Ka nisur të ndërmarrë vetëm tek atëherë kur auditorët kanë “zbarkuar”, në “Telekomin e Kosovës”.

“Aktiviteti ilegal ‘Sim to Sim’ apo trafiku i anashkaluar ndikon në humbjen e të hyrave financiare të Kompanisë e gjithashtu edhe në cilësinë e shërbimeve”, theksohet në raportin e auditorëve.

Në raport i kërkohet shefave të Telekomit që të marrin masat e nevojshme për identifikimin dhe bllokimin e menjëhershëm të aktiviteteve që shkaktojnë humbje të të hyrave financiare e gjithashtu dëmtim të cilësisë së shërbimit.

 Istrefi: Do të angazhojmë një kompani ndërkombtare

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga Bedri Istrefi, kryeshefi i “Telekomit të Kosovës”, se pse është rritur kjo dukuri kriminale pikërisht në kohën kur ai ka marrë mandatin. Nuk e ka komentuar këtë fakt.

Por, ka pohuar se janë duke bërë përpjekje për ta luftuar këtë dukuri.

“Telekomi i Kosovës ka bërë kërkesë te organet e rendit për mbështetje në hulumtimin dhe parandalimin e kësaj dukurie dhe në të njëjtën kohë jemi në hulumtim të një përzgjedhje të një kompanie ndërkombëtare që do ta bëjë auditin e Switch-it dhe përmes këtij auditi do të indentifikohen të gjitha humbjet dhe devijimet e mundshme të këtij procesi”, ka pohuar Istrefi për Insajderin.

Dukuria kriminale “Sim to Sim” ka qenë shumë e përhapur dhe shumë e rrezikshme para nëntë vitesh. Më 2010.

Atëkohë ishte paralajmëruar “Telekomi i Kosovës”, nga “Monaco Telecom” se mund të futej në listën e zezë të operatorëve mobil, nëse nuk ndërmerr masa për parandalimin e këtij kriminaliteti.

Një operacion i madh policor ishte realizuar atë vit. Ishte koduar me emrin “Sim to Sim”. Ishin arrestuar 11 veta për krim të organizuar, tregti të ndaluar dhe vjedhje të rëndë. Ishin sekuestruar edhe pajisje që dyshoheshin për terminimin e thirrjeve telefonike, duke përfshirë softuer e shtëpiza kompjuterësh. Pajisjet e konfiskuara kapnin vlerën e 1 milionë eurove. /Insajderi.com