Djali i Ismet Osmani – Currit përfshihet në përleshje me armë zjarri

Djali i Ismet Osmani – Currit përfshihet në përleshje me armë zjarri

Armir Osmani, djali i Ismet Osmanit, në fillim të këtij viti, është përfshirë në përleshje me armë zjarri që kanë ndodhur mes dy grupeve në Prishtinë. Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se në rastin e parë, ai është palë e dëmtuar por se ende nuk kanë mund të marrin deklaratë nga ai. Derisa në rastin e dytë që ka ndodhur në muajin shkurt, Osmani është cilësuar si i dyshuar.

Në fillim të këtij viti, djali i mafiozit Ismet Osmani i njohur si Curri, që është arrestuar të hënën për rastin e fajdeve, është përfshirë në një përleshje me armë zjarri.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, është duke e hetuar këtë rast. Por konfirmon se ende nuk kanë pranuar deklaratën e Armir Osmanit i cili në këtë rast sipas prokurorisë është palë e dëmtuar.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15.01.2019, ka pranuar  Raport të veçantë nga Policia e Kosovës. Personi për të cilin keni kërkuar informacione A.O., është i dëmtuari në këtë rast”.

“Prokurori i cili është duke e trajtuar këtë rast, ka autorizuar Policinë për marrjen e deklaratës nga i njëjti, në drejtim të grumbullimit të informatave, pasi që i dëmtuari A.O., ende nuk i është përgjigjur ftesës për dhënien e një deklarate të tillë”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, nga Zyrtare për Informim e Prokurorisë.

Ndonëse ky rast ka ndodhur në fillim të vitit, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka njoftuar edhe një herë, se nuk ka ende asnjë deklaratë nga ai.

“Lidhur me rastin në fjalë, për të cilin keni kërkuar informata, situata mbetet e njëjtë, ashtu siç ju kemi njoftuar javë më parë”, tha Laureta Ulaj me 20 maj të këtij viti.

Armir Osmani është përfshirë edhe në një rast tjetër. Policia e Kosovës ka konfirmuar se përleshja mes dy grupeve ka ndodhur në Prishtinë, me 12 shkurt, nga e cila përleshje ka mbetur i plagosur një person.

“Më datën 12.02.2019 rreth orës 15:35,  është raportuar  se në rrugën ”Ali Kelmendi” në Prishtinë  ka ndodhur një rast, ku gjatë përleshjeve mes dy grupeve përveç lëndimeve trupore është plagosur edhe një person në këmbë nga arma e zjarrit”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia e konfirmuar për Insajderin se lidhur me këtë rast janë identifikuar tre persona të dyshuar.

“Dy prej të cilëve janë arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë rregullt”.

Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, rasti është përcjell në Prokurori me kallëzim penal me datën 03.05.2019, ku personat e dyshuar ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë edhe armëmbajtje pa leje.

“Personat e dyshuar ngarkohen me veprat penale: Lëndim i rëndë trupor, mbajtje ne pronësi ne kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve, përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm, pjesëmarrje në rrahje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se me 3 maj kanë pranuar kallëzimin penal nga policia të cilin e kanë proceduar me 21 maj te prokurori i rastit.

“Sa i përket rastit tjetër, për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, më 03.05.2019, i cili rast ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda, më 21.05.2019, ndaj 4 të dyshuarve, për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni  374 të KPRK-së, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj për Insajderin.

Sipas prokurorisë, Osmanin në këtë rast është i dyshuar.

“Personi për të cilin keni kërkuar informata është në cilësinë e të dyshuarit, lidhur me këtë rast. Prokurori i çështjes, është duke i zhvilluar hetimet, andaj çdo informatë shtesë mund t’i dëmtoj hetimet lidhur me këtë çështje penale”, tha Ulaj. /Insajderi.com