Për më shumëse një vit e gjysmë, Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë në gjendje të marrë kurrfarë masash kundër drejtorit të Burgut të Lipjanit, Heset Loku. Ai, ka vizituar në mënyrë të paligjshme shoferin e Xhabir Zharkut në Burgun e Gjilanit. Të dy janë njerëz të afërm me Zharkun, i cili ndodhet në arrati për shkak të dënimit me burgim për detyrim. Ministria e Drejtësisë nuk ka sqaruar se pse nuk po guxon të marrë masa. Loku thotë se nuk ka bërë kurrfarë shkeljeje.
Drejtori i Burgut të Lipjanit, Heset Loku nuk ka hezituar të shkel ligjin dhe procedurat për ta takuar ish-shoferin e Xhabir Zharkut në Burgun e Gjilanit.
Loku, pa përfillur asnjë procedurë ka shkuar në këtë burg dhe e ka takuar të paraburgosurin Adem Kolshi nga Kaçaniku.
Ai është mik i Zharkut dhe i shoferit të tij që ndodhej në paraburgim si i dyshuar për nga data 23. Korrik, deri më 22 gusht 2015 si i dyshuar për veprën penale “asgjësim, heqja e instalimeve publike”.
Kolshi e ka pasur shef, Lokun në Komunën e Kaçanikut. Loku ka qenë drejtor i Administratës në këtë komunë.
Insajderi ka siguruar një raport të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë të datës 24 gusht 2015 dhe fotografi që dëshmojnë këtë vizitë të paligjshme në burg. Vizita është realizuar më 28 korrik 2015. Hetimi dhe raporti është kryer nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të EULEX-it.
Për të realizuar një vizitë të tillë, Heset Lokut i është dashur leje me shkrim nga gjyqtari i procedurës paraprake apo kryetarit të trupit gjykues. Këtë leje nuk e ka pasur ai kur e ka kryer këtë vizitë.
Adem Kolshi prapa Xhabir Zharkut duke dalë nga Gjykata Supreme
Inspektorati ka hartuar një raport me këto shkelje ligjore dhe ka propozuar masat disiplinore kundër këtij zyrtari të lartë të Ministrisë së Drejtësisë. Raporti i ishte dorëzuar ish-ministrit, Hajredin Kuçi. Sot e asaj dite, asnjë masë nuk është ndërmarrë për shkak të lidhjeve të forta që Loku ka me PDK-në.
Në kohën e vizitës, drejtor i Shërbimit Korrektues ishte Emrush Thaçi, po ashtu njëri i zgjedhur nga strukturat e PDK-së. Ai është vëlla i Agron Thaçit, drejtorit të Infrakosit i cili ishte emëruar nga Adem Grabobvci dhe Besim Beqaj për shkak si njeri i tyre. Kjo është dëshmuar në përgjimet telefonike të publikuara nga Insajderi në gusht të vitit të kaluar.
Ministria e Drejtësisë që aktualisht drejtohet nga Dhurata Hoxha, nuk është përgjigjur nga e mërkura se pse nuk ka ndërmarrë masa ndëshkimore për zyrtarin e saj. Nuk ka folur as ish-ministri, Hajredin Kuçi.
Loku, e ka quajtur vizitë krejt të zakonshme dhe normale në kuadër të punës për menaxhimin sa më të mirë të burgjeve.
“Ne bëjmë vizita të rregullta nëpër institucione korrektuese. Ne jemi koleg me drejtorët e institucioneve. Po është e vërtet që kam qenë në Gjilan, kam shku me vizitu zyrtarisht kolegun, drejtorin e Qendrës së paraburgimit në Prizren. Kemi bisedua lidhur me bashkëpunimin që kemi si institucione. Kam pa disa nga ambientet ku zhvillohen shërbimet shëndetësore”, ka thënë ai për Insajderin.
Ai thotë se gjatë vizitës në shërbimin shëndetësor dhe social, e ka takuar Adem Kolshin me të cilin siç thotë ai është përshëndetur.
E pranon se e njeh personalisht Adem Kolshin, pasi kanë punuar në Komunën e Kaçanikut. Relacionin me të pretendon se e ka vetëm shef-punëtor dhe kurrgjë më shumë.
Heset Loku, foto: Facebook
Loku ka thënë se nuk është në dijeni për raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.
“Lidhur me hetimin e inspektoratit nuk kam njohuri. Ajo është në kompetencë të tyre. Nëse ka pas diçka atëherë është dashtë me më njoftua ose me intervistu ose diçka të tillë. Në lidhje me këtë nuk kam kurrfarë njohurie”, ka thënë ai.
Por, Inspektorati ka konstatuar shkelje të rëndë të kryer nga Loku. Në raportin që ka siguruar Insajderi thuhet se “Inspektimi i realizuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan me 12 deri më 14 gusht 2015 nga inspektori Muamer Bikliqi së bashku me stafin e EULEX-it është fokusuar në vizitën e të paraburgosurit Adem Kolshi që i është bërë nga ana e Drejtorit të Qendrës Korrektuese, Lipjan Heset Loku me datën 28 korrik 2015 rreth orës 14:00 në pjesën e ambulancës, pa aprovimin e gjyqtarit”.
Raporti thotë se vizita e Lokut nuk është regjistruar në as një fletore të kujdestarive, por vetëm është evidentuar në fletoren e kujdestarisë nga mbikëqyrësi Gani Dërmaku, në pjesën e banimit të burgosurve, ku është realizuar vizita, duke u mundësuar nga drejtori i Burgut të Gjilanit, Shefik Sylejmani.
“Inspektorati del në përfundim se vizita për të paraburgosurin Adem Kolshi i realizuar nga Drejtori i Qendrës Korrektuese Lipjan Heset Loku me datën. 28/07/ 2015 rreth orës 14:00 duke ju mundësuar nga Drejtori i QP-Gjilan Shefik Sylejmani, është në kundërshtim me nenin 200 pika 1. të Kodit të Procedurës Penale, pasi në asnjë rrethanë nuk lejohet vizita e të paraburgosurit pa Ieje nga Gjyqtari i Procedurës paraprake apo nga Kryetarit të trupit Gjykues”, thuhet në raport.
Raporti rekomandon Ministrisë dhe Shërbimit Korrektues që të iniciohet procedura disiplinore dhe të ndërmerren masa. /Insajderi.com