Përvoja e parë seksuale për një vajzë të mitur nga Drenasi, po del të jetë një dramë e vërtetë. Vajza po pretendohet se është dhunuar seksualisht nga punëdhënësi i saj, 30 vjeç. Kishte pësuar dëmtime të rënda dhe kishte përfunduar në spital. Prokuroria po dyshon se vajza është joshur me premtimin për martesë. I dyshuari e ka mohuar dhunimin. Ka thënë se marrëdhënia mes tyre ka ndodhur me pëlqim. Megjithatë, ai është arrestuar dhe po mbahet në arrest shtëpie. Dy ditë pas ngjarjes, familja e ka dërguar vajzën në shtëpinë e të dyshuarit për ta martuar, me arsyetimin se “atë nuk e merr më askush”. I dyshuari ka refuzuar. Pas kësaj, rasti është raportuar në Polici. Jo në Drenas, aty ku dyshohet se një vajzë e mitur ishte keqtrajtuar seksualisht, por në Prishtinë.
Një punëdhënës nga Drenasi, ka përfunduar në pranga si i dyshuar se ka dhunuar seksualisht, punëtoren e tij të mitur.
I dyshuari (emër i njohur për redaksinë) është arrestuar më 9 gusht të këtij viti pas denoncimit në Polici, nga e mitura dhe gjyshja e saj. Prokuroria pretendon se i dyshuari ka kryer dy vepra penale: dhunim dhe nxitje të akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës.
Marrëdhënia e mes të dyshuarit dhe vajzës së mitur kishte ndodhur më 7 gusht në motelin “Paris” në Sllatinë. Aty, sipas Prokurorisë i dyshuari e kishte dhunuar vajzën, e cila për pasojë kishte pasur gjakderdhje të madhe për të përfunduar në një klinike private për trajtim.
Me gjithë rekomandimin e mjekut se duhet të shtrihet, ajo kishte shkuar në shtëpi.
Dy ditë më vonë rasti ishte raportuar në Polici. Jo në Drenas, por në Prishtinë. Me urdhër të prokurorit, Ruhan Salihu, ai ishte arrestuar. Prokurori kishte kërkuar një muaj paraburgim, por gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Kujtim Krasniqi, i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Drama e vajzës nuk kishte përfunduar me kaq.
Sipas të dyshuarit dhe mbrojtësit të tij, familja e vajzës kishte provuar që ta martonte me zor. I dyshuari, i cili e ka mohuar dhunimin, duke u arsyetuar se marrëdhënia e tyre ka ndodhur me qejf.
Vajza, e cila jeton me gjyshën dhe axhën e saj, sipas të dyshuarit, i ishte dërguar në shtëpi të tij me qëllimin e martesës duke i dhënë ultimatum që brenda një ore të martoheshin.
Rasti i dyshuar si dhunim nga punëdhënësi i kësaj të miture ka ndodhur disa muaj pas raportimit të Insajderit për abuzimin e një nxënësje nga Drenasi, nga arsimtari i saj dhe shefi i hetimeve në Stacionin policor në Drenas. Që të dy ishin arrestuar pas raportimit. Më vonë ishte arrestuar edhe avokati, Gazmed Halilaj, i cili e kishte denoncuar rastin, me pretendimin se edhe ai kishte pasur marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Ndaj tij nuk kishte ankues.
Prokuroria ka paralajmëruar aktakuzë për të pandehurit.
Insajderi, ka provuar të flas me vajzën që dyshohet se është viktimë e këtij rasti. Ajo, e as familja e saj nuk kanë pranuar të flasin, me arsyetimin se viktima është në gjendje të rëndë emocionale. Madje, kanë thënë se po frikësohen për gjendjen e saj.
Insajderi, ka siguruar vendimin e gjyqtarit për masën e sigurisë. Aty, i dyshuari dhe mbrojtësi i tij, kanë mohuar kategorikisht kryerjen e veprës penale.
“Kërkojmë që kërkesën e Prokurorisë ta refuzoni të pabazuar sepse i mbrojturi im nuk ka kryer asnjë vepër penale e çfarëdo mase do të ishte e padrejtë dhe nuk do të ishte e bazuar në provat materiale.”
I dyshuari ka thënë se kontakti i tij i parë me vajzën ka qenë dy muaj para aktit seksual.
“Kemi pasur raporte të mira dhe pa asnjë kusht. Ajo vazhdimisht më ka dërgu fotografi intime të cilat gjenden në snapchat dhe dua të shtoj se para se të ndodhë kjo ngjarje më ka bërë presion që të shkojmë në motel”, është mbrojtur ai.
Sipas tij, më datën 8 gusht, një ditë pas marrëdhënies së tyre, axha i saj ia kishte dërguar vajzën në shtëpi për ta martuar.
“Më datën 8 axha e ka sjellë … tek shtëpia jonë dhe ka tentuar që me dhunë t’ia bëj për hair babës tim. … (Vajzën v.j.) e ka nxjerrë nga vetura dhe i ka thënë se duhet të qëndrojë tash këtu, dhe e tërë kjo situatë është e regjistruar në kamerat e sigurisë së familjes time”, ka thënë ai.
“Unë mendoj se e gjithë kjo situatë është bërë me plan të familjes së tyre ose që të përfitojnë nga unë ose që të martohet me mua me dhunë. Unë nuk e mendoj se … (vajza v.j.) i ka bërë vetë këto por me presion të familjes”.
Ai ka thënë se nuk i ka dhënë hapësirë të dëmtuarës që të mendojë se do të martoheshin bashkë. Ka shpjeguar se kjo ka qenë hera e dytë që me vajzën kishin shkuar në motel. Herën e parë ka thënë se nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale, ani se ajo sipas tij kishte kërkuar një gjë të tillë.
“… unë me … kemi shkuar për herë të dytë në motel. Vlen të ceket se herën e parë nuk kemi pasur marrëdhënie edhe pse ajo ka tentuar dhe vlen të ceket po ashtu se unë edhe pas ngjarjes … nuk kemi pas raporte të këqija. Pas kësaj më ka shkruar në ‘Snapchat’ se nëse ne nuk martohemi, familja po e detyrojnë që të më akuzojë mua për dhunim”, ka thënë ai.
Kjo, është mohuar nga vajza dhe familja e saj, duke pretenduar se vajza e re është mashtruar me premtime për martesë dhe është dhunuar seksualisht. Pas dhunimit, kanë pretenduar se i dyshuari nuk ka dashur të martohet më me të.
Avokati i të dyshuarit, Naser Sopjani, ka thënë në seancën për caktim të masës së sigurisë, se kërkesa është e pabazuar dhe se nuk ka asnjë element të veprës penale.
“Vetë përshkrimi i kërkesës më dy dispozitiva, për dy vepra penale për një veprim, është në kundërshtim me ligjin. Pse? Nëse lexohet dispozitivi i parë i kërkesës shihet se kësaj vepre penale i mungon elementi bazë i dhunimit i cili në këtë rast është pëlqimi, që shihet qartë se ka ekzistuar. Kurse prokurori mendon se kemi të bëjmë me dhunim”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se pëlqimi për të pasur marrëdhënie seksuale vërtetohet lehtë me komunikimet mes tyre.
“Këtë mund ta konfirmoni shumë lehtë dhe shihet që takimi i cili është bërë nuk ka qenë për të shkuar tek ndonjë frizere në Prishtinë. E kinse i mbrojturi im i ka thënë apo e ka detyruar që të shkojë në motel e konfirmon ky sms i orës 11:16 ku shihet qartë se takimi është bërë me pëlqimin e të dyve dhe se nuk ka dal nga butiku por vajza ka ardhur direkt nga shtëpia për të shkuar në hotel”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar axhën dhe gjyshën e vajzës së i kanë bërë presion, e kanë kërcënuar dhe sulmuar klientin e tij për ta detyruar që të martohet me vajzën e tyre.
“Pasi është hapur rasti për sulm ndaj tij në Drenas, gjyshja e saj e merr tani të dëmtuarën…,të vijë në polici në Prishtinë dhe e hap rastin pa i treguar fare se ndaj saj është hapur një rast dy orë më herët”, ka thënë ai.
Ai ka konfirmuar në këtë deklaratë se vajza e cilësuar viktimë, ka qenë duke punuar në biznesin e të pandehurit.
“Provat flasin se çdo gjë është bërë me pëlqimin e të dyve dhe në momentin e gjakderdhjes të dy së bashku kanë shkuar te mjeku përkatës ku i është ofruar ndihma mjekësore. Përkunder udhëzimit të mjekut, që e njëjta të qëndrojë në spital, ajo nuk ka pranuar në mënyrë që mos e kuptoj familja mungesën e saj në dasmën që kishte në familje, atë ditë”, ka shtruar Sopjani.
Familja ka angazhuar si avokat në këtë rast, Gazmend Halilajn, i cili e kishte denoncuar rastin e parë, por ishte arrestuar disa ditë më vonë si i dyshuar për përfshirje në raporte seksuale me vajzën.
Gjyqtari, në vendim ka thënë se bazuar në kallëzimin penal, në aktvendimin për fillimin e hetimeve, në deklaratën e të pandehurit në polici si dhe në seancën dëgjimore, në deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici, në raportet mjekësore për të dëmtuarën si dhe fotografitë dhe dokumentacioni i cili gjendet në shkresat e lëndës, gjykata ka gjetur se ekziston dyshim i bazuar për t’i caktuar masën e sigurisë, arrest shtëpiak.
Ai, e ka konsideruar masë adekuate arrestin shtëpiak, pasi që i dyshuari nuk ka kryer asnjëherë ndonjë vepër penale./Insajderi.com