Dy konferencat për media më të rëndësishme të Isa Mustafes në pesë vitet e fundit – Njëra me Thaçin, tjetra me Kurtin

Isa Mustafa nga dhjetëra konferenca, dy prej tyre janë me të rëndësishmet në karrierën e tij politike në pesë vitet e fundit. E para ishte me 27 janar 2015 bashkë me ish kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi, kur iu dolën në ballë kërkesave të opozitës së atëhershme VV-AAK-Nisma për dorëheqjen e tij. Ndërsa, e dyta sot me 2 shkurt 2020, kur u nënshkrua marrëveshja për bashkëqeverisje mes LDK-së e VV-së. Kështu, Mustafa do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet me ndihmën e njeriut që dikur e kërkonte dorëheqjen e tij.

Në pesë vitet e fundit të karrierës se tij politike, Isa Mustafa, ka qenë pjesë e dy zhvillimeve tejet dramatike.

Ka qenë protagonist i dy prej konferencave me të rëndësishme për media.

E para ishte ne vitin 2015, saktësisht me 27 janar të atij viti, ku opozita e atëhershme Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate organizuan një protestë ku i kërkohej dorëheqja e Isa Mustafës.

Atë kohe kur kërkohej dorëheqja e tij nga Vetëvendosja, Mustafa ishte shfaqur përkrahë Hashim Thaçit, partnerit të tij në qeverisjen e atëhershme.

Mbështetja që i kishte dhënë Thaçi edhe me prani fizike kishte demantuar skeptiket që nuk besonin se Qeveria Mustafa do t’i mbijetonte protestave të lëvizjes Vetëvendosje.

E dyta është zhvilluar sot me 2 shkurt 2020. Pikërisht në kulmin e zhvillimeve dramatike. Në kohën kur skeptiket nuk besonin se Kurti do të lëshonte pe dhe se do të zgjaste jetën në pushtet të Mustafes.

Në konferencën e 27 janarit 2015, atëherë kryeministër i Kosovës, Mustafa, kishte quajtur të dhunshme protestat e opozitës së atëhershme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, sot, gjatë tërë ditës, ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme në sheshet kryesore të Kryeqytetit, në protestën e organizuar nga partitë politike opozitare. Qeveria dënon ashpër dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve, gjë që çoi në eskalimin ekstrem të situatës dhe në rrezikimin e sigurisë e të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Mustafa në konferencën ku përkrah kishte Hashim Thaçin, zëvendësin e tij atë kohë.

Me tutje Mustafa i kishte thënë se është tepër e dëmshme që për qëllime politike të krijohen ndasi ndëretnike në Kosovë.

Kjo pasi opozita e atëhershme pos Mustafës, kërkonte dorëheqjen e të ish ministrit për kthim dhe komunitete Aleksandër Jabllanoviq, pas një deklarate të tij që fyente nënat nga Gjakova që kërkonin me të dashurit e tyre të zhdukur gjatë luftës së fundit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e respekton në plotëni të drejtën e protestës si një mjet për të shprehur shqetësimet dhe pretendimet qytetare. Por, po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për pushtet, meqë pushteti fitohet vetëm me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e jo me dhunë dhe përmes dhunës. Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga organet kushtetuese që të garantojnë sigurinë e qytetarëve, të institucioneve, të pronës private e publike, konform normave kushtetuese”, ishte shprehur Mustafa.

Me prani fizike, e deklarata të fuqishme, krahë i kishte dalë edhe Hashim Thaçi, atëherë kryetar i PDK-së e zëvendëskryeministër i Kosovës.

Aty Thaçi kishte thënë se protestat nuk kanë qenë të organizuara nga vullneti i qytetarëve, por nga tri subjektet politike opozitare, VV-së, AAK-së e Nismës.

“Ato nuk kanë qenë të organizuara nga vullneti i qytetarëve, por nga 3 subjekte politike opozitare. Dialogu, komunikimi duhet të zhvillohen në mes të opozitës dhe pozitës në Parlament e jo në sheshe. Protestat lejohen dhe gjithmonë janë lejuar, por dhuna është mjet i papranueshëm dhe në asnjë moment nuk do të dorëzohemi përballë dhunës. Aktet e sotshme janë akte të një grupi të vogël. I falënderojmë policët për sjellje të përmbajtur dhe mbrojtje të pronës dhe jetëve të qytetarëve”, kishte thënë Thaçi.

Madje, presidenti aktual protestat e organizuara i kishte quajtur tentim për marrje të pushtetit me dhunë.

“Janë dëmtuar objekte publike, janë dëmtuar shumë lokale private, pronë private, por është sulmuar edhe një Ambasadë e një shteti mik, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Këto janë gjeste të papranueshme në çfarëdo proteste. Ky është një tentim për marrjen e pushtetit me dhunë. Pushteti fitohet me votën e lirë qytetare e jo me akte të dhunës politike. Në këtë shtet vetëm vota e përcakton qeverinë, vota e lirë. Vetëm Parlamenti është përfaqësues legjitim i popullit dhe Qeveria që del nga zgjedhjet dhe Parlamenti”, ishte shprehur Thaçi.

Por, ndryshe nga 27 janari i vitit 2015, Isa Mustafa, sot me 2 shkurt 2020 doli në një konferencë me atë që para pesë viteve ia kërkonte dorëheqjen me protesta të cilat u quajtën të dhunshme.

Mirëpo, tani Mustafa e Kurti dolën në konferencë për të kumtuar lajmin për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Në këtë konferencë, Mustafa tha se kanë arritur një marrëveshje të mirë me Kurtin për bashkëqeverisje, e cila është në interes të ndryshimeve të domosdoshme që do të ndodhin në vend.

“Ne kemi arritur një marrëveshje, e vlerësojmë se është një marrëveshje e mirë që është në dobi të Kosovës është në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmëritë duhet të ndodhin në vendin tonë. Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i një mirëkuptimi dhe punë të përbashkët, mjaftë të gjatë me liderin e VV-së, Albin Kurti. I kemi hulumtuar të gjitha alternativat dhe mundësitë. Ajo që dëshirojmë në të ardhmen është që kjo qeveri të jetë e suksesshme dhe t’i realizojë pritjet e tyre”, është shprehur Mustafa.

Në krahë të djathtë kësaj radhe Mustafës i qëndronte lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti që dikur ia kërkonte dorëheqjen, e quante argat të Serbisë e super kriminel.

Kurti kësaj radhe dukej i lumtur pasi po bëhej kryeministër me mbështetjen e personit që para pesë viteve bënte gjithçka që ta rrëzonte nga froni.

“Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha përveç se harmonizimit të programit edhe për ndarjen e përgjegjësive, për Qeverinë e re ku ne do të bashkëqeversim”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, ish ministri Aleksandër Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, deklarë kjo që kishte nxitur protesta e reagime të ashpra. Ndërsa Jabllanoviq kishte kërkuar falje për deklaratën e bërë. /Insajderi.com

Image result for protesta e opozites janar 2015