Nga katër ish-ministrat e Qeverisë "Thaçi 2", të cilët në tetorin e vitit 2012 e kishin ngritur dorën për të miratuar shitjen e dyshimtë të Distribucionit dhe Furnizimit për 26.3 milionë euro, vetëm dy prej tyre ushtrojnë edhe sot funksione publike. Të dy janë të afërt me Albin Kurtin, kryeministrin në detyrë të Kosovës.
Katër ish-ministrat, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ata dyshohet se si pjesëtarë të asokohe Komitetit Ndërministror për Privatizim ia kanë bartur jashtëligjshëm katër hidrocentrale konsorciumit turk “Calik & Limak”.
Përfshirja e katër hidrocentraleve në pakon tenderuese u mbajt e fshehtë. Katër ministrat thanë se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.
Mbi këto dyshime, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) nisi hetimet ndaj katër funksionarëve të lartë shtetëror rreth tri vjet më parë, më 2017.
Tash e tri vjet kanë ndryshuar shumë gjëra. Nga të katër këta ish-ministra, vetëm dy prej tyre, Mimoza Kusari-Lila dhe Nenad Rashiq, ushtrojnë funksione publike sot.
Komiteti Ndërministor për Privatizim i Qeverisë “Thaçi 2”
Të dy janë njerëz të afërt të Albin Kurtit, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sado që fitonte terren me akuzat mbi dyshimet për korrupsion ndaj rivalëve politik, në prag të zgjedhjeve nacionale, Kurti u afrua politikisht me Mimoza Kusari-Lilën, e cila asokohe po hetohej për “faljen e hidrocentraleve” bashkë me Beqajn e PDK-së dhe Gashin e Listës ‘Rugova’.
Kurtin dhe Kusari-Lilën i bashkuan kalkulimet politike dhe votat. Të dy i arritën qëllimet e shumë dëshiruara; Kurti doli i pari në zgjedhjet nacionale, ndërsa Kusari-Lila siguroi ulësen e saj në Kuvend.
Ajo sot shërben në mandatin e dytë me radhë të saj si deputete në Kuvendin e Kosovës.
Në legjislaturën e fundit, Kusari-Lila këtë funksion e ushtron në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. Është pjesë e Grupit Parlamentar të partisë së Albin Kurtit.
Ish-ministri i Punës, Nenad Rashiq, po ashtu është i afërt me kryeministrin aktual në detyrë. Edhe ai ushtron funksion publik në të cilin është emëruar nga Kurti.
Rashiq dhe Kurti “flirtuan” politikisht gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Kurti shprehte hapur mbështetjen e tij për Rashiqin dhe Partinë Demokratike Progresive, të cilën ish-ministri serb e drejton.
Madje, pas fitores në zgjedhje, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje synoi zëvendësimin e ministrave serb të Listës Serbe, të cilët fituan mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb të Kosovës, me Nenad Rashiqin që pësoi një tjetër disfatë në zgjedhje.
Nenad Rashiq dhe Albin Kurti, në një takim joformal
“Duhet të zëvendësohen ministrat e Listës Serbe me politikanë serbë që e pranojnë Republikën e Kosovës, sikur Nenad Rashiq”, thoshte Kurti.
Pasi u zgjodh shef i ekzekutivit, Kurti i bëri vend Rashiqit në kabinetin e tij. E emëroi ish-ministrin e Punës, këshilltar të tij politik.
Ndërkaq, dy-ish ministrat e tjerë të Komitetit Ndërministror për Privatizim – të cilët janë pjesë e aktakuzës për “faljen e hidrocentraleve”-, Besim Beqaj dhe Dardan Gashi, nuk ushtrojnë më funksione publike.
Beqaj vazhdon të mbetet anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq Gashi nuk është momentalisht i angazhuar politikisht.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ishte kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim më 2013.
Ai akuzohet se bashkë me anëtarët, po ashtu ish-ministria, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiqin, Dardan Gashi e L.F. më 8 maj 2013 kishin votuar që katër hidrocentrale të cilat prodhojnë energji elektrike të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike dhe më pas të privatizohen nga “Limak-Calik”.
Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in janë: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. /Insajderi.com