Agim Çeku dhe 11 anëtarët tjerë të komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve, ngarkohen me përgjegjësi se pos tjerash, u kanë dhënë status të veteranit të UÇK-së, 12 personave të lindur nga viti në kohën e luftës dhe pak vite para shpërthimit të saj. Insajderi ka gjetur se në aktakuzën e Prokurorisë, mes 20 mijë veteranëve të rrejshëm janë edhe 12 fëmijë. Ata, janë lindur nga viti 1991, deri në vitin 1999.
Agimi është lindur tri ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Slobodan Milosheviqit, që po kryenin krime në Kosovë.
Ditën e nisjes së bombardimeve, ai nuk e ka ditur çka është lufta çlirimtare, dhe për çfarë arsye kishte nisur bombardimet Aleanca më e madhe ushtarake në botë.
Shumë vite më vonë ai mund të ketë mësuar diçka rreth luftës çlirimtare, okupatorit serb dhe NATO-s.
Megjithatë, këto fakte nuk e kanë penguar Agimin e lindur më 27 mars 1999 në Gjakovë që të aplikojë dhe të fitojë statusin e veteranit të UÇK-së.
Agim Shaban Dodaj, është një nga 12 veteranët e rrejshëm të lindur pas vitit 1990. Është në mesin e mbi 20 mijë veteranëve, emri i të cilit së bashku me të gjitha të dhënat personale gjendet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Shukriu, është lindur në kulmin e luftës në Kosovë. Ai është nja dy muaj më i ri sesa Agimi. Njohuri për luftën, UÇK-në e Serbinë, edhe ai mund të ketë marrë në kohën kur për to ka mësuar Agimi.
Edhe Shukriu, sikurse Agimi është veteranë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ama i rrejshëm. Ai gjendet në listën e mashtruesve të Zonës Operative të Karadakut.
Shukri Sadri Zeneli, është lindur më 19 maj të vitit të afërm 1999 në Gjylekar të Vitisë.
Familja e Avniut, mund të ketë qenë një nga familjet e shumta të Kukësit që kanë hapur dyert për refugjatët kosovarë të luftës. Fiks një vit para eksodit të kosovarëve, në familjen Koleci është lindur Avdiu.
Sot, ai është veteran i luftës çlirimtare të Kosovës. Natyrisht, veteranë i rrejshëm. Avli Alush Koleci feston ditëlindjen më 11 mars 1998.
Më i vjetër në moshë sesa Avniu, Shukriu, e Agimi është Petrit Brahim Halilaj. Është i lindur më 26 qershor 1997 në fshatin Petkoviq, pak muaj para demonstratave studentore të 1 Tetorit të organizuara nga Unioni i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
As për të nuk ka qenë pengesë foshnjëria që të marrë statusin e veteranëve, për cka emri i tij është renditur në listën e veteranëve të rrejshëm.
Gjashtë muaj para Petritit, është lindur Eshref Selim Berisha në fshatin Ruhot të Pejës. Ai feston ditëlindjen më 28 janar 1997. Ka status të njëjtë me Petritin – status të veteranit luftëtar të UÇK-së.
Në vitin e zhvillimeve të mëdha historike – 1997 janë lindur edhe Nexhati e Rrahimi. Që të dy janë në aktakuzën e Prokurorisë për shkak të zotërimit të rrejshëm të privilegjit të veteranit të luftës.
Nexhat Rraim Susuri, është lindur me 7 nëntor 1997 në Zhur, ndërsa Rrahim Pajazit Misini, është lindur më 5 shtator 1997 në Prishtinë.
Në listën e veteranëve të rrejshëm ka të lindur shumë vite para Nexhatit, e Rrahimit. Leotrim Rexhë Osaj nga Deçani është lindur më 26 mars të vitit të largët 1991.
Më 6 mars 1996 është lindur Zenel Avdyl Lufaj, në Strellc të Ulët të Deçanit. Pesë vjet më i moshuar se ai është veterani, Agim Ramo Bushati, nga Lybeniqi i Pejës. Ai është lindur më 20 prill 1991
Naimi e Mahmuti janë veteranët më të rinj të Zonës Operative të Drenicës. Naim Bejtë Gashi, është lindur më 27 prill 1996 në Vojnikë të Skenderajt, derisa Mahmut Beqir Sadikaj është lindur më 15 qershor 1998 në Runikë të kësaj komune.
Të dy që deri sot gëzonin statusin e veteranit luftetarë të UÇK-së dhe merrnin pensione, tash e tutje gjenden në listën e Prokurorisë si veteranë mashtrues.
Barra e përgjegjësisë penale që këta fëmijë të lindur në kohë lufte gëzojnë statusin e veteranit tashmë po bije mbi 12 anëtarët e komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së, në krye me Agim Çekun.
Çeku, së bashku me Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahën, Shkumbin Demalijajn, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Rrustem Berishën, Faik Fazliu, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn e Xhavit Jasharin, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kjo vepër dënohet deri në pesë vjet burgim.
Megjithatë, ish-prokurori Elez Blakaj që e kishte hetuar këtë rast ka deklaruar se mund të ketë gabime në të dhënat personale të njerëzve. Gabime ka thënë se mund të ketë në aktakuzë edhe Prokuroria e Shtetit.
Sidoqoftë, kjo çështje mund të sqarohet në një proces të hapur dhe të drejtë gjyqësor. /Insajderi.com
Videon mund ta shikoni KËTU.