Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë mostrat nga ushqimi që firma "Beni Dona Plast" u shërben ushtarëve të FSK-së në kazermën "Minatori" në Mitrovicë, rret" />

Dyshimet për helmimin e 45 ushtarëve – AUV heton ushqimin e “Beni Donës”, gjen mungesë të higjenës

Ministria e Mbrojtjes nuk e lajmëroi për rreth dy javë ditë rastin e helmimit të 45 ushtarëve të FSK-së, duke pamundësuar marrjen e mostrave të ushqimit që firma "Beni Dona Plast" u shërbeu atyre, ditën e helmimit. Ministria nuk i ka ruajtur mostrat e ushqimit të asaj dite, pasi nuk e kanë parë të nevojshme. Kurse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë inspektimit ka gjetur mungesë të higjienës në kuzhinën brenda kazermës nga ku u servohet ushqimi ushtarëve të FSK-së

Dyshimet për helmimin e 45 ushtarëve – AUV heton ushqimin e “Beni Donës”, gjen mungesë të higjenës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë mostrat nga ushqimi që firma “Beni Dona Plast” u shërben ushtarëve të FSK-së në kazermën “Minatori” në Mitrovicë, rreth dy javë ditë pas ngjarjes ku dyshohet se u helmuan 45 ushtarë nga ushqimi.

45 ushtarë të FSK-së të kazermës “Minatori” në Mitrovicë, u përballën me ethe, temperaturë, barkqitje, dhimbje të trupit e plogështi, pasi drekuan në restorantin e firmës “Beni Dona Plast”, kompani e cila ka marrëveshje për furnizim me ushqim të shtatë kazermave të FSK-së në Kosovë.

Por, Ministria e Mbrojtjes nuk e lajmëroi për rreth dy javë ditë rastin e dyshimtë, duke pamundësuar marrjen e mostrave të ushqimit që firma “Beni Dona Plast” u shërbeu ushtarëve të FSK-së, ditën e helmimit. Ministria e Mbrojtjes nuk i ka ruajtur monstrat e ushqimit të asaj dite.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se për rastin e helmimit të ushtarëve është njoftuar më 4 korrik, dy javë ditë pasi që kishte ndodhur rasti.

“Me datë 04.07.2019 Inspektorati Sanitar i AUV-së ka kryer kontrolle të kuzhinës se kazermës dhe hapësirave ku shërbehet ushqimi”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV, në një përgjigje me shkrim për Insajderin të premten.

AUV ka vërejtur mungesë të higjienës në kuzhinën që ndodhet brenda kazermës “Minatori” në Mitrovicë. Ka rekomanduar Ministrinë e Mbrojtjes që brenda një afati të shkurtër kohor të marrë masa për rregullimin e hapësirave me mungesë higjiene.

Agjencia shtetërore ka marrë mostra të ushqimit që është shërbyer më 4 korrik dhe ka thënë se këto mostra janë duke u analizuar, para se të merren hapa të mëtutjeshëm.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes Inspektoratit Sanitar ka ndërmarrë të gjitha veprimet nga koha e njoftimit për rastin dhe jemi në pritje të rezultatit të analizave për hapat e mëtutjeshëm. Mostrat janë marrë në bashkëpunim me mostruesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, thuhet në përgjigjen e AUV.

Dyshimi – Kompania “Beni Dona” helmon 45 ushtarë të Kosovës

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes vazhdon të insistojë se vetëm tre ushtarë të FSK-së janë helmuar më 21 qershor në Mitrovicë. Ndonëse e konfirmon se tre pjesëtarë të FSK-së kanë marrë ndihmë mjekësore atë ditë, thotë se nuk e ka parë të nevojshme ruajtjen e mostrave të ushqimit.

Mostrat janë zhdukur 48 orë pas shërbimit të ushqimit që dyshohet se helmoi ushtarët e Kosovës, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.

“E ritheksojmë se helmim nuk ka pasur, nuk posedojmë të dhëna se shkaktarë i kësaj ndjesie ka qenë ushqimi në kazermë, siç kanë aluduar disa mediume. Në kuzhinat e FSK-së mostrat e ushqimit ruhen 48 orë për analiza në rast nevoje”, ka thënë Shala.

Tentimi i Ministrisë së Mbrojtjes për fshehjen e skandalit, dështoi para dy javësh kur në media doli një raport i brendshëm i kësaj ministrie që konfirmonte helmimin e 45 ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Raporti – të cilin e publikoi televizioni T7 – thekson se problemet shëndetësore të ushtarëve të FSK-së janë shfaqur pas shërbimit të darkës më 21 qershor.

“Disa pjesëtarë të shërbimit të rojës janë ankuar se kanë probleme shëndetësore, simptomat e sëmundjes kanë qenë ethe, temperaturë, barkqitje, dhimbje të trupit dhe plogështi. Gjithashtu 45 pjesëtarë të K3B kanë pasur të njëjtat simptome, pas ushqimit të darkës, problemet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së nesërme”, thuhet në raportin e brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje në raport thuhet se pjesëtarët janë trajtuar me injeksione dhe barna.

Insajderi ka gjetur se firma “Beni Dona Plast” ka marrëveshje prej më shumë se katër vitesh me Ministrinë e Mbrojtjes, për furnizimin dhe shërbimin e ushqimit “për nevoja të ushtarëve të FSK-së”.

Prej vitit 2015, firma që drejtohet nga biznesmeni kontravers tenderësh në Kosovë, Ragip Mustafa, e furnizon me ushqim Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kompania e Mustafës ka fituar tenderë milionësh nga Ministria e Mbrojtjes.

Në vitin 2015, “Beni Dona Plast” kishte fituar tenderin për “Furnizim dhe përgatitje të ushqimit për nevoja të FSK-së” nga Ministria e Mbrojtjes, në vlerë prej gati 8 milionë eurove.

Në janarin e këtij viti, përmes procedurave urgjente të prokurimit, Ministria e Mbrojtjes ia vazhdoi edhe për gjashtë muaj kontratën kompanisë “Beni Dona Plast”. Vlera e kontratës ishte mbi një milion euro. /Insajderi.com