Ekonomia në Kosovë gjatë koronavirusit do t’i lë 120 mijë punëtorë pa paga

Kriza e shkaktuar nga pandemia koronavirus në Kosovë, do të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë e vendit. Kjo do i lë pa paga e ndoshta edhe papunë një numër të madh punëtorësh.

Ekonomia në Kosovë gjatë koronavirusit do t’i lë 120 mijë punëtorë pa paga

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi ka deklaruar për Gazetën Online Insajderi se sipas të përllogaritjeve të tanishme, rreth 120 mijë punëtorë mund të kenë probleme me pagat. Kjo për arsye se bizneset private kanë pësuar rënie të të hyrave.

“Përllogaritjet tona të tanishme thonë se pritet që 120 mijë persona mund të kenë probleme me paga për shkak se kompanitë kanë pasur rënie të të hyrave ose faktikisht kanë qenë të mbyllura komplet”, ka deklaruar ai.

Rukiqi ka shtuar se as Oda Ekonomike e Kosovës dhe as Banka Qendrore nuk mund ta dijnë saktësisht se sa mund të ketë rënie. Sipas tij, rënia ekonomike në vend pritet të jetë rreth 4% ndërsa dalja nga gjendja e tillë, pas katastrofës së koronavirusit, duhet të bëhet përmes politikave të duhura.

“Vendi pritet pas kësaj të futet në një recesion i cili nëse merren masat e duhura, dhe ka politika të duhura si dhe ka një koncensus politik që duhet ta ndihmojë ekonominë dhe sektorin privat, mund ta kalojë më lehtë dhe shpejt. Gjatë muajit qershor mund ta kemi një pasqyrë më të qartë rreth gjendjes aktuale në ekonominë vendore”, ka shtuar tutje kryetari i Odës Ekonomike.

Deri më tash, janë paraqitur një numër i madh ankesash nga qytetarët dhe bizneset në lidhje me kalkulimin e interesit që sipas Rukiqit, ato janë duke u sqaruar edhe me Bankën Qendrore të Kosovës. Ai ka dhënë edhe një njoftim për konsumatorët.

“Ajo që duhet të jetë e qartë për bizneset është se ato nuk obligohen të paguajnë interes ndëshkues. Bizneset obligohen të paguajnë interesin ndëshkues por jo tani, por kur të kthehen në një gjendje më të mirë, pas rreth tre muajve. Nuk ka asnjë prishje të rejtingut sa i përket vonesave në pagesat e kredive në Bankën Qendrore, çdo dalje jashtë kësaj sigurisht është diçka që duhet trajtuar dhe është jashtë udhëzimeve nga Banka Qendrore e Kosovës.”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës, në krye me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka ndërmarrë një Pako Emergjente që t’iu del në ndihmë një kategorie personash e bizneseve, në tejkalimin e kësaj gjendjeje. Përfitues nga Pakoja Emergjente do të jenë skemat sociale nga shteti, konsumatorët, punëmarrësit, qiramarrësit apo punëdhënësit.

Rukiqi ka sqaruar për Insajderin se në këtë gjendje, çdo euro është i vlefshëm në ngjalljen e ekonomisë vendore por sipas tij, kjo pako nuk është e mjaftueshme.

“Ne kemi kërkuar që kjo pako të jetë një shumë më e madhe”, ka shtuar ai.

Tutje, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një konferencë për medie ditë me parë, ka deklaruar se në kuadër të masave për parandalim të përhapjes së koronavirusit, Kosova po aplikon një shkallë të lartë të mbylljes duke lejuar funksionimin vetëm për ato biznese që ofrojnë shërbime dhe mallra të cilat janë të domosdoshme për qytetarët.

Mehmeti tutje në këtë konferencë kishte shtuar se koronavirus do i sfidojë edhe financat publike, duke ndikuar kështu negativisht në uljen e të hyrave buxhetore.

“Kushtet nëpër të cilat po kalon ekonomia e vendit nuk do të lë pa e sfiduar edhe financat publike, duke ndikuar negativisht në uljen e të hyrave buxhetore përderisa nevoja për rritje të shpenzimeve dhe formë të tranasfereve të ndryshme do të ndikojë negativisht në investimet publike e kapitale që janë shumë të nevojshme”, kishte potencuar Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës./Insajderi.com/