- Fahredin Gashi është vlerësuar prej mjekëve si paaftë që ta përballojë gjykimin.
- Përgjimi telefonik dëshmon se milioneri nga Shtimja nuk ka probleme mendore.
- Neuropsikiatri Fahri Drevinja nuk dëshiron të flas për përgjimin.
Neuropsikiatri Fahri Drevinja ka hedhur nënshkrimin e tij profesional në një espertizë psikiatrike, falë të cilës Fahredin Gashi nuk është duke u gjykuar për përfshirjen në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe atentatin kundër Adem Salihajt.
Për doktor Drevinjën, milioneri nga Shtimja, Fahredin Gashi, nuk është i aftë ta përballojë gjykimin.
Por, ekspertiza e tij profesionale ose është e rrejshme ose Fahredin Gashi ka arritur që me simulimin e sëmundjes ta bind Drevinjën se ka probleme të mëdha mendore.
Gjatë kohës që Gashi është duke u trajtuar për probleme mendore, ai është përgjuar duke komunikuar me anëtarët tjerë të grupit duke folur për pronat, transaksionet milionëshe, bizneset e paligjshme e përpjekjet për të dalë nga burgu.
Fahredin Gashi
Prokuroria ka thënë se provat e marra përmes urdhrit për përgjim që është duke vazhduar, bëjnë të qartë se pjesëtarët e grupit të organizuar kriminal, përfshirë Fahredin Gashin, vazhdojnë të jenë në kontakt me njëri-tjetrin.
Prokurori përmend një rast kur Fahredin Gashi ishte në QKUK, Shaban Syla kishte përdorur numrin fiks të spitalit të Dubravës për të kontaktuar me Gashin nëpërmjet familjes së tij. Gjatë bisedave të përgjuara në lidhje me biznesin e tokës, Hajrullah Berisha është përmendur shpesh, duke treguar se akoma është duke punuar me grupin – në botën e jashtme.
“Së fundi, përgjimi në vazhdim ka treguar se janë në vazhdimësi tentativat për të siguruar lirimin e parakohshëm për Shaban Sylën e Fahredin Gashin nga Burgu i Dubravës”, thotë Prokurori.
“Ky lirim i parakohshëm do të mundësonte vazhdimin e tyre të biznesit me lehtësi më të madhe. Bisedat e përgjuara tregojnë se pjesëtarët e grupit të organizuar kriminal e dinë se diçka është duke ndodhur. Ka gjasa se e dinë se janë nën hetime”.
Këto fakte nuk i ka komentuar neuropsikiatri Fahri Drevinja. Arsyetohet se ekspertizën e ka bërë moti.
“Ekspertizën e parë e kam bërë unë moti. Ajo ka qenë e para, kur Gjykata e Apelit ka qenë tek burgu i Prishtinës”, ka thënë Drevinja, për Insajderin, duke mos e komentuar faktin se Gashi është përgjuar duke komunikuar me të dyshuarit e tjerë për çështje biznesore.
“Unë jam mundu atëherë që mos t’më mashtroj në aspektin e korrektësisë së terapeutit… Ne e kemi parasysh simulimin, ose mashtrimin, gjendjen reale dhe prezantimin e gjendjes reale Gjykatës”, ka deklaruar Drevinja, i cili jep më së shumti ekspertiza për të akuzuar dhe dënuar.
Drevinja thotë se detyra e ekspertit është vetëm përcaktimi i gjendjen e tij mendore, shpirtërore apo psikiatrike.
“Unë këtë ia kam prezantu Gjykatës dhe Gjykata e ka pranu. Nuk kam pas ndonjë problem. Unë tregova se qysh ka qenë qasja”, ka thënë ai duke refuzuar të komentojë përgjimin.
Tahir Rrecaj
Bazuar në këtë ekspertizë dhe tjera më vonë, Tahir Rrecaj ka bërë kërkesë në Gjykatë që të pushohet krejtësisht procedura penale kundër Fahredin Gashit.
“Ka ekspertiza mjekoligjore edhe nga grupi i ekspertëve që Fahredin Gashi nuk mund as të përballet me shqyrtimin gjyqësor sepse vuan nga sëmundje të rënda”, ka thënë Rrecaj.
Rrecaj ka thënë se ekspertiza është bërë me vendim të trupit gjykues në rastin Bllaca 2.
Rrecaj thotë se e kanë habitur përgjimet telefonike të përmendura në dosjen hetimore.
“Edhe për mua ishte e habitshme. Edhe me mua nuk ka komunikuar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Nuk e kam vizituar një kohë shumë të gjatë sepse nuk kisha as çka me bisedu me të. Cila është e vërteta unë nuk mund ta them”, ka thënë Rrecaj.
Fahredin Gashi është i dënuar për vrasjen e Salih Gashit dhe i akuzuar në rastin “Blllaca 2”. Ai ka qenë duke u gjykuar së bashku me Shpresim Ukën dhe të tjerët, por për shkak të këtyre problemeve në shtator të vitit 2012, lënda e tij ishte veçuar. Të tjerët janë dënuar me 54 vjet burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentativë të Adem Salihajt.
Prokuroria nuk ka folur për këtë rast me arsyetimin se rasti është nën hetime. /Insajderi.com