Fatmir Limaj dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për rastin “Kleçka”  

Burime nga Gjykata kanë thënë në kushte anonimiteti se aktgjykimi që Limajn dhe nëntë të tjerët i rishpall të pafajshëm është nxjerr dy muaj më parë, por ende nuk është publikuar. “Ankesa e Prokurorisë është hedhur poshtë dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim tjetër.

Fatmir Limaj dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për rastin “Kleçka”   

Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm deputetin, Fatmir Limaj, ka mësuar Insajderi. Aktgjykimi i jep fund procesit “Kleçka”.

Një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendës, ka hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë – si të pabazuar.

Burime nga Gjykata kanë thënë në kushte anonimiteti se aktgjykimi që Limajn dhe nëntë të tjerët i rishpall të pafajshëm është nxjerr dy muaj më parë, por ende nuk është publikuar.

“Ankesa e Prokurorisë është hedhur poshtë dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim tjetër.

Të njëjtin konfirmim Insajderit ia kanë dhënë edhe dy burime tjera.

Në Gjykatën e Apelit nuk kanë folur për këtë me arsyetimin se ende nuk është publikuar aktgjykimi. Pa u publikuar ky aktgjykim nuk kanë dashur të flasin as në ekipin mbrojtës të Fatmir Limajt.

Apeli i ka dhënë fund këtij procesi të gjatë që ka nisur pesë vjet më parë. Limaj dhe të tjerët janë shpallur dy herë të pafajshëm nga shkalla e parë.

Rasti Kleçka kishte shkuar në Apel me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, pasi për të dytën herë shkalla e parë e kishte shpallur të pafajshëm Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Fatmir Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit duke kërkuar rigjykim apo dënim të të akuzuarve për krime lufte në fashatin Kleçkë.

Ankesa e Prokurorisë ishte shqyrtuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit.

Maurizio-Salustro-kosovo-1

Limaj akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.

Zogaj e kishte ngarkuar deputetin Limaj me barrë të rëndë të krimeve të luftës. Disa muaj para nisjes së gjykimit, Zogaj ishte gjetur i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar nga EULEX-i si dëshmitar i mbrojtur. Pos dëshmive gojore, ai kishte dorëzuar një ditar i cili ishte shpallur si provë e pranueshme nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria kishte thënë në aktakuzë se disa robër të mbajtur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në një burg të kontrolluar në fshatin Kleçkë janë torturuar dhe vrarë. Ekzekutimi i robërve është bërë pa aktgjykim dhe me urdhër të stafit të UCK-së. Janë gjetur trupat e viktimave serbe, ndërsa trupat e viktimave shqiptare të Kosovës nuk janë gjetur.

“Dëshmitari më i rëndësishëm Agim Zogaj ka ardhur vullnetarisht dhe ka rrëfyer tregime të detajuara lidhur me veprat penale që kanë ndodhur në burgun e Kleçkës para se autoritetet hetuese të kenë pasur idenë se çfarë kishte ndodhur atje. Fatkeqësisht Agim Zogaj vdiq para shqyrtimit kryesor, megjithatë ai i kishte dhënë disa deklarata dhe së pjesërisht mbrojtja kishte bërë disa pyetje”, thuhet në ankesën e Prokurorisë kundër aktgjykimit lirues.

Zogaj

Organi i akuzës pretendon se të gjithë të pandehurit kanë qenë anëtarë të UCK-së. Fatmir Limaj thotë se ka mbajtur pozitën më të lartë në UCK dhe ai ishte përgjegjës për burgun e improvizuar të UCK-së në fshatin Kleçkë. Kontrolli mbi burgun sipas Prokurorisë ishte nën Fatmir Limajn i cili në fakt ishte shef i Policisë Ushtarake të UÇK-së për atë zonë.

Pretendohet se Agim Zogaj ka shërbyer në burgun e Kleçkës si mbikëqyrjes i stafit. Prokuroria thotë se Zogaj sinqerisht kishte dëshmuar se Fatmir Limaj ishte përgjegjës për urdhërimin e vrasjes së dy serbëve të cilët ishin vrarë dëshmitari. Të pandehurit e tjerë pretendohet se kanë shërbyer si gardian apo staf mbështetës të burgut.

“Fatmir Limaj kishte përgjegjësi të mbikëqyrjes organizative, prandaj ai kishte arsye të dinte se ishin kryer veprat penale. Të burgosurit nuk kanë mundur të largohen nga burgu pa dijeninë e tij. Gjithashtu ekzekutimi i njëpasnjëshëm i të burgosurve tregon se Fatmir Limaj të paktën kishte dështuar për të marrë masat e arsyeshme dhe të duhura për të shmangur veprat penale dhe për të dënuar kryerësit e veprave penale. Veç kësaj ai e kishte urdhëruar Agim Zogajnt që t’i vrasë dy të burgosurit”, pretendonte Prokuroria./Insajderi.com