Favori i madh i kryetarit Burim Berisha për multimilionerët e “Al Trade”

Njomza Salihi

Favori i madh i kryetarit Burim Berisha për multimilionerët e “Al Trade”

Multimilionerët Sokol e Bajram Gashani do të përfitojnë edhe të tjera para nga Burim Berisha, kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës. Pronarët e kompanisë “Al Trade”, komunës së Fushë-Kosovës do t’ia japin vetëm 15 ari tokë për ndërtimin e një shkolle, ndërsa si kompensim, do të ndërtojë katër objekte banesore në një zonë që tani për tani nuk lejohen ndërtimet e larta.

Burim Berisha, kryetari i Fushë-Kosovës, është vënë në shërbim të vëllezërve Sokol e Bajram Gashani, biznesmenëve multimilionerë, bashkëpronarëve të kompanisë “Al Trade”.

Asambleistët e komunës së udhëhequr nga ai të premten pritet ta marrin një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e biznesmenëve.

Berisha dhe vartësit e tij me shumë gjasë do ta lejojnë “Al Trade”, të ndërtojë katër objekte tetë katëshe, në një zonë ku tani për tani nuk janë të lejuara ndërtimet e larta, shkruan Gazeta Insajderi.

Krejt këtë të mirë komuna e Fushë-Kosovës po ia bën kësaj kompanisë private, vetëm pse kjo e fundit ia ka dhënë 15 ari tokë për ndërtimin e një shkolle.

Për të hapur rrugën drejt shkeljes ligjore është përdorur si pretekst ndërtimin i kësaj shkolle.

Kundër kësaj pike që nesër do të diskutohet në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës, del të jetë asambleisti i Partisë Socialdemokrate, Mehdin Lahu.

“Na jemi shumë afër miratimit të hartës së re zonale, kisha thënë ta presim këtë hartë meqë i kemi kushtet tjera. Është zvogëluar koeficienti i ndërtimit prej 4 sa ka qenë tash do të jetë 3.2 për metër katror”.

“Që një kohë të gjatë më ne nuk flasim për këtë hartë zonale, diku ka hasë. Nuk i di arsyet. Kur erdh faza për ta miratuar atë, tash ne shkojmë nesër në Kuvend me planin ekzistues që koeficienti maksimal është 4”, ka thënë Lahu për Insajderin.

“Me hartën e re janë paraparë ndërtime të larta në atë pjesë, ndërsa me hartën e vjetër nuk është lejuar. E shfrytëzojnë hartën e re për ndërtim, ndërsa koeficientin e përdorin nga harta e vjetër zonale”.

Nëse kjo do të ndodh i bie se “Al Trade” do të përfitojë më shumë metra katror në ndërtimet që parashihet t’i bëjë.

Komuna do t’i merr këto 15 ari tokë për ndërtimin e kësaj shkolle në anën e djathtë të Fushë-Kosovës, në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht afër Uglarit dhe jo diku në qendër të saj, ku qasja është më e lehtë për të gjithë.

Komuna: Ne s’mbesim rob i proceseve

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka thënë se nuk mund të mbesin “rob të proceseve” kur bëhet fjalë për ndonjë projekt emergjent, siç thotë të jetë ndërtimi i kësaj shkolle.

“Ne shpejt e bëjmë hartën zonale, që parashihet të ndërtohet jo vetëm në atë pjesë, por edhe në pjesë të tjerë. Ku është interesi i përgjithshëm i nxënësve ne nuk duhet edhe shumë me mbet rob i do gjërave”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

“Për ato 15 ari që kompania i jep do ta merr në fund bonusin për ndërtim. Kuvendi nesër pritet ta merret me këtë çështje”.

“Ai ka qenë i gatshëm t’i jap 15 ari. Ne po e bëjmë shkollën që nxënësit të mos kalojnë rrugën e rrezikshme. Do t’ia japin 50% nga shumë e përgjithshme pas vlerësimit të tokës”.

“Komuna po bën lojë, po bën dallavere”

Mehdin Lahu i PSD-së thotë se komuna po bën lojë dhe dallavere në krejt këtë proces.

“Po më duket se janë do lojëra që këta politikanët tanë dinë me i bë. Po më duket s’e nuk është bërë zgjidhja adekuate për Fushë-Kosovën. Ka përfitime – komuna s’i ka bërë negociatat qysh duhet. Unë mendoj t’i paraqes nesër vërejtjet e mija dhe nuk do ta votojë. Ka lojëra pas kësaj, kur kemi ndonjë emergjencë, aty bëhen dallaveret më të madha”, tha ai për Insajderin.

“Ata thonë se do ta japin vetëm kompensimin prej 50%, por nëse mendohet të shkojmë me kompensime dhe koeficient ne mundemi me gjet edhe vende të tjera më të mira edhe më në qendër, e jo gati në kufi me Prishtinën”.

“Ndërsa këta të komunës neve na thonë se po respektojnë rregullat e ndërtimit. Nuk janë të sinqertë me deklaratat ndaj nesh”.

Përputhja Berisha-Gashani

Gjithçka në relacionin e rëndësishëm ndërmjet komunës së Fushë-Kosovës dhe “Al Trade” kishte nisur në nëntor.

Krejt kjo pasi kompania private e kishte çuar një kërkesë në drejtim të kryetarit Berisha, përmes së cilës kërkonte që në këmbim të tokës t’i jepej bonusi për ndërtimin e objekteve të planifikuara.

Për shkak të dhënies së hapësirës në fjalë dedikuar ndërtimit të shkollës, investitori kërkon nga komuna e Fushë-Kosovës, t’i drejtohet një kompanie vlerësuese që të bëjë vlerësimin e pronës së ofruar nga investitori me marrëveshje edhe me pronarët e parcelave të ofruara për ndërtimin e shkollës, këtë vlerësim ta bëjë në këmbim të shfrytëzimit të koeficientit (si bonus) në objektet e radhës që investitori palinfikon të ndërtojë në z.k. Fushë-Kosovë”, thuhet në kërkesën e “Al Trade” për komunën e Fushë-Kosovës të bërë më 15 nëntor 2019.

Vetëm 10 ditë pas marrjes së kësaj kërkese, më 26 nëntor 2019, Burim Berisha, kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, ka çuar në drejtim të asamblesitëve një dokument-propozim rreth kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

Në të ai ka shpjeguar se komuna ka nevojë urgjente për ndërtimin e kësaj shkolle.

“Komuna nuk ka pronë komunale për ndërtimin e kësaj shkolle, andaj jemi të detyruar të sigurojmë pronën nga pronari privat Kompania “Al Trade”, përmes kompensimit me bonuese të ndërtimit, me planet ekzistuese në fuqi”, thuhet në dokumentet e siguruara nga Insajderi.

“Për objektin shkollor do të ndahen 15 ari tokë. Për këtë sipërfaqe të pronës do të bëhet kompensimi me ndërtim në etazhitet për kompaninë “Al Trade” në Fushë Kosovë me përqindjet sipas planeve aktuale të ndërtimit”, thuhet më tej në dokument-propozimin e kryetarit.

Komuna pasi ta bëjë vlerësimin e tokës, do të detyrohet sipas marrëveshjes t’ia jap “Al Trade”, 50% të shumës së përgjithshme për ndërtimin katër objekteve banesore me nga tetë kate.

Biznesmeni Sokol Gashani, i kontaktuar nga Gazeta Insajderi ka thënë se ai nuk e di as përafërsisht shumën që do ta merr nga komuna si kompensim për dhënien e tokës.

“Kërkesën që ju ma drejtuat – unë kisha thanë që i takon Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës – asgjë ma shumë. Unë si pronar nuk jam në ngjarje. Nuk e di as përafërsisht vlerën. Kuvendi e di çka mundet me thënë nesër”, ka thënë ai për Insajderin.

Lidhur me këtë çështje Gazeta ka kërkuar nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të dijë nëse Komunës së Fushë Kosovës i lejohet të marrë një vendim të tillë, për favorizimin e këtij biznesi privat.

“Komuna e Fushë-Kosovës sipas Ligjit Për Planifikimin Hapësinor duhet të veprojë sipas destinimeve që janë parapa në dokumentet e planifikimit hapësinor që janë në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Nga Ministria e Ambientit në përgjigjen për Insajderin kanë thënë se do presin vendimin nga komuna për të parë nëse duhen  marrë masa tjera./Insajderi.com