Filozofiku në telashe me konkursin, akuza për pranimin e njerëzve pa profil adekuat

Nuk është hera e parë që kontestohen konkurset në punësim në Universitetin e Prishtinës (UP) për staf akademik. Përgjatë viteve kjo është bërë një praktikë, ku njerëzit ankohen për padrejtësi. Për shkak të dyshimeve të tilla shumë raste janë dërguar edhe në gjykata. Diçka e ngjashme e ka përcjellë UP-në edhe në konkursin e fundit për bashkëpunëtorë të jashtëm.

Filozofiku në telashe me konkursin, akuza për pranimin e njerëzve pa profil adekuat

Universiteti i Prishtinës shpalli konkurs më 20.09.2017 për bashkëpunëtorë të jashtëm me honorar për ligjërata dhe ushtrime. Ndër fakultetet tjera, pozita të tilla u shpallën edhe për Fakultetin Filozofik. Aty ishin 37 pozita të lira që kërkohej të plotësoheshin.

Problem u doli me pozitën 34 të konkursit, në të cilën kërkohej “Një bashkëpunëtor i jashtëm për ushtrime, për lëndët: Sociologji e zhvillimit, Identiteti dhe vlerat sociale, Familja, shkolla dhe socializimi, Migrimet dhe diaspora, Sociologji e migrimeve”.

Për këtë pozitë aplikuan pesë kandidatë. Komisioni vlerësues ia dha bekimin kandidates Arbëresha Maloku.

I pakënaqur nga ky vlerësim doli kandidati Labinot Kunushevci. Ai konsideron se vlerësimi ishte i padrejtë. Sipas tij, kualifikimi i tij është më adekuat sesa i kandidates Maloku e cila u përzgjodh. Pozita e 34-të e konkursit ishte shpallë për Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik.

Kandidatja e pranuar, Arshëresha Maloku studimet themelore (baçelor) i ka në fushën e sociologjisë, kurse ato master i ka përfunduar në Fakultetin për Shkenca Sociale në Universitetin e Tiranës, gjegjësisht në programin ‘Përkatësi gjinore dhe zhvillim’.

Ndërkaq, kandidati Labinot Kunushevci të dy nivelet – baçelor dhe master i ka përfunduar për sociologji, pikërisht në Departamentin e Sociologjinë. Aty prej nga e mori dijen ai provoi të bëhet bashkëpunëtor i jashtëm, por profesorët e tij nuk e vlerësuan.

Duke marrë për bazë studimet e tij pikërisht për sociologji, Kunushevci thotë se profili i tij i përgjigjet kërkesës së konkursit.

Akuza ndaj Komisionit vlerësues për mungesë transparence

Krejt çka Komisioni vlerësues kishte bërë, ishte një copë teksti si vlerësim i përgjithshëm në një talebë EXEL-i për kandidaten e pranuar, Arbëresha Maloku.

“Këshilli i Fakultetit Filozofik ka mbështetur raportin e Komisionit Recenzues për zgjedhjen e kandidates Arbresha Maloku. Komisioni ka konstatuar, se kandidatja e përzgjedhur ka një profil më adekuat të studimeve master për lëndët e kërkuara. Kandidatja i plotëson kriteret e kërkuara me rregulloren për angazhim me honorar. Nota mesatare BA 8.57, MA 8.42 si dhe plotëson kriterin statutar lidhur me moshën”, thuhet në vlerësimin e Komisionit.

Përveç kësaj, Komisioni nuk jep asnjë vlerësim për kandidatët tjerë në këtë pozitë. Komisioni është i obliguar ta bëjë këtë. Kjo kërkohet më Rregulloren e Procedurave Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të miratuar në mbledhjen e Senatit më 07.09.2017.

Mospërfillja e Rregullores ka bërë që kandidatët tjerë të mos jenë në dijeni për mangësitë e tyre karshi kandidates së pranuar. Krejt këtë kandidati Kunushevci e sheh si mungesë të transparencës nga Komisioni i vlerësimit.

“Mostransparenca dhe mospërfillja nga ana e Komisionit Vlerësues vërehet në Raportin Vlerësues, në të cilin nuk është paraqitur asnjë arsyetim dhe asnjë fakt lidhur me kandidatët e refuzuar, përveç emrave të paraqitur si të refuzuar”, ka thënë Kunushevci.

Insajderi ka kontaktuar me kandidaten e pranuar në këtë pozitë, Arbëresha Maloku. Ajo thotë se Komisioni është i thirrur ta bëjë vlerësimin e kandidatëve.

“Se a e kam merituar pozitën dhe nëse profili im studimor është i përshtatshëm për të, mendoj se Komisioni profesional dhe Këshilli i Fakultetit e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Vetë fakti që kam aplikuar për këtë pozitë tregon se pretendoj që jam meritore për pozitën:, ka thënë ndër tjera ajo.

Ajo thotë se “profesorët janë të vetmit të thirrur profesionalisht dhe ligjërisht për të bërë një vlerësim të tillë”, ndonëse shton se do të pajtohej edhe po të mos zgjidhej në atë pozitë.

“Unë personalisht do pajtohesha me vlerësimin e tyre edhe po të mos zgjidhesha në pozitën për të cilën kam aplikuar”, ka shtuar ajo.

Meqë kandidatja Maloku i ka përfunduar studimet master në Tiranë, Insajderi është interesuar të di nëse profili i saj i studimeve përshtatet edhe në fushën e sociologjisë. Ky universiteti nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

Megjithatë, vlen të përmendet se Universiteti i Tiranës, përveç Fakultetit të Shkencave Sociale, aty ku ka diplomuar kandidatja Maloku, aty është edhe Fakulteti i Sociologjisë.

Komisioni thotë se vlerësimi ishte i drejtë dhe i bazuar

Komisioni vlerësues përbëhej prej tre anëtarëve: Anton Berishaj, kryetar; Agim Hyseni, anëtar dhe Shemsi Krasniqi, anëtar.

Gazeta ka kontaktuar me të tre anëtarët, por me marrëveshje mes tyre, ata kanë vendosur që anëtari i tretë, Shemsi Krasniqi të flasë në emër të komisionit.

Krasniqi ka thënë se vlerësimi është bërë në bazë të Rregullores së Procedurave Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të miratuar në mbledhjen e Senatit më 07.09.2017.

“Në rastin kur më shumë se një kandidat për pozitën përkatëse i plotëson kriteret e pikës 2, përkatësisht pikës 3 të këtij neni, përzgjedhja do të bëhet sipas këtij prioriteti:Kandidati me përvojë me të gjatë në fushën përkatëse; Kandidati i gjinisë femërore; Në rastet tjera mbetet në diskrecionin e komisionit vlerësues dhënia e përparësisë së kandidatit të caktuar”, ka thënë profesori Krasniqi duke iu referuar Rregullores.

“Komisioni ka konsideruar se kandidatja Arbëresha  Maloku i plotëson kushtet dhe ka përparësi në krahasim me kandidatin Labinot Kunushevci”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Komisioni e njeh kandidaten Maloku si sociologe, sepse ajo studimet themelore i ka pikërisht për sociologji.

Por atë nuk e pengon fakti që ajo studimet master i ka për Shkenca Sociale, dhe jo për sociologji, sikurse që i ka kandidati Kunushevci.

“Studimet e saj në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin Publik të Tiranës, programi studimor: Master i Shkencave në Përkatësi Gjinore dhe Zhvillim, nuk e tjetërsojnë nga studimet themelore të saj në sociologji”, ka thënë anëtari i Komisionit, Krasniqi.

Sipas tij, ai program studimor është plotësisht kompatibil me programet e lëndëve për të cilat është propozuar.

Shkeljet që i bëri Komisioni vlerësues

Ndonëse Komisioni vlerësues nxori në mënyrë të përgjithshme përparësitë e kandidates së pranuar Arbëresha Maloku, por nuk dha asnjë vlerësim për kandidatët tjerë që ishin pjesë e konkursit.

Komisioni është i obliguar ta bëjë këtë në bazë të Rregullores së Procedurave Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në aspektin juridik, ky obligim për të vlerësuar të gjithë kandidatët dhe për të publikuar ato vlerësime ka për qëllim sigurimin e transparencës, parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike.

“Komisioni vlerësues ka për obligim që në raportin vlerësues t’i prezantojë të gjitha faktet relevante (në mënyrë tabelare) për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs për lëndën përkatëse”, thuhet në nenin 6, pika 12 e Rregullores.

Por anëtari i Komisionit vlerësues, Shemsi Krasniqi, thotë se e kanë kryer punën e tyre për të cilën kanë qenë të obliguar.

“Sa i përket raportit për secilin kandidat, Komisioni ka plotësuar tabelën të cilën e ka pasë obligim ta plotësojë dhe t’ia paraqes Këshillit të Fakultetit, e në të cilën figurojnë të dhënat e kërkuara për secilin kandidat, përfshirë edhe notën mesatare. Kjo na është kërkuar dhe këtë e kemi bërë”, ka thënë ai.

Vlerësimet e tilla nuk mund t’i gjesh askund online, ndonëse Rregullorja i obligon ta publikojnë atë në ueb-faqen e fakultetit.

Fakultetet tjera vepruan ndryshe nga praktika e Filozofikut.

Kur kemi të bëjmë me punën e Komisionit vlerësues për kandidatët e paraqitur në konkurs, fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Prishtinës e respektojnë Statutin dhe Rregulloret në forma të ndryshme. Përderisa Komisioni vlerësues i departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik nuk nxjerr raporte për secilin kandidat, është Fakulteti i Filologjisë që e ka bërë një gjë të tillë.

Këto dy fakultete i ndan vetëm një mur.

Komisionet në Filologjik i kanë bërë vlerësime secilit kandidat që ka aplikuar në konkurs. Ato të dhëna janë të paraqitura edhe në ueb-faqen e tyre. Kurse ato të Filozofikut nuk mund t’i gjesh online. Kjo nuk është praktikuar edhe në Fakultetin Filozofik, gjegjësisht në departamentin e Sociologjisë.

Neni 8, pika 2 e Rregullores kërkon që ”Vendimi i këshillit të fakultetit së bashku me raportin e komisionit vlerësues sipas pikës 12 të nenit 6 të kësaj rregulloreje publikohet në ueb faqen e fakultetit ditën e shqyrtimit në këshill të fakultetit, në kohëzgjatje prej së paku 5 ditëve.”

Një argument tjetër që Komisioni e kishte përdorur, bazuar në Rregullore, ishte edhe përparësia gjinore kur më shumë se një kandidat i plotëson kriteret. Këtë të drejtë e njeh edhe neni 8 i Statutit të UP-së.

“Universiteti siguron dhe mbështetë barazinë gjinore. Në rastet kur kandidatët e gjinisë mashkullore dhe femërore i kanë kualifikimet dhe të arriturat profesionale të barabarta, përparësi do t’i jepet kandidates femër”, thuhet në Statut.

Por Insajderi ka gjetur dy vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në të cilin kishte një ankesë për një rast krejtësisht tjetër, por ku ndër të tjera trajtohej barazia gjinore. Në atë vendim thuhej se barazia gjinore nënkupton aplikimin e njëjtë të standardeve në konkurrim dhe jo përparësi në përzgjedhje.

“Ky parim nuk duhet nënkuptuar në rezultatet e përzgjedhjes së kandidatit, çka nënkupton se parimi si i tillë konsiston në trajtimin e barabartë bazuar në standarde që institucioni aplikon e që duhet të bëhet karshi cilitdo kandidat aplikimi i njëjtë i standardeve të njëjta, sikurse edhe në procesin e emërimit të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka aplikuar standardet e njëjta ndaj të gjithë kandidatëve pavarësisht gjinisë apo etnisë së tyre”, thuhet në aktgjykim.

Më saktë, parimi i prioritetit për shkak të gjinisë, sipas standardeve kushtetuese nuk guxon të jetë në kundërshtim me parimin e barazisë i cili çdo qytetari i garanton “barazinë e mundësive”. Parimi i prioritetit të gjinisë vjen në shprehje në ato raste kur kandidatët në aspektin profesional kanë kualifikime pothuajse 100 përqind të barabarta.

Për më tepër, Komisioni vlerësues nuk e ka marrë për bazë notën më të lartë mesatare të kandidatëve si mënyrë më e lehët për diferencimin apo përzgjedhjen e tyre.

Kandidati Labinot Kunushevci e ka notën në baçelor 9.0 dhe në master 9.19, ndërkaq kandidatja e pranuar Arbëresha Maloku në studimet themelore nota e saj është 8.57, kurse në nivelin master 8.42.

Neni 7 i Rregullores, pika 3.1 thotë se për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm ata duhet “të kenë të përfunduar studimet master ose ekuivalente me të në lëmin përkatës”.

Kunushevci të dy nivelet e studimeve i ka për sociologji. Pozita e konkursit ka qenë për departamentin e sociologjisë. Kurse kandidatja Maloku studimet themelore i ka për sociologji, ndërsa ato master i ka për Shkenca Sociale, gjegjësisht për Përkatësi Gjinore dhe Zhvillim.

Vlen të përmendet se kandidatja Maloku kishte aplikuar edhe në një pozitë tjetër të konkursit. Pozita ishte pikërisht në Departamentin për Punë Sociale, por nuk ishte pranuar.

Anëtari i Komisionit vlerësues, Shemsi Krasniqi, ka thënë se nota mesatare nuk ka qenë kriter për pranim, duke shtuar se nota mbi tetë në të dy nivelet i fut kandidatët në garë të barabartë.

“Sa i përket notës mesatare, Komisioni është bazuar në praktikën akademike dhe  kriterin statutar sipas të cilit kur nota mesatare është më e lartë se  8, kandidatët dalin në pozitë të barabartë dhe mbetet në diskrecionin e Komisionit se cilit kandidat i jep përparësi”, thuhet në përgjigjen e tij dhënë për Insajderin.

Mirëpo, praktika e përzgjedhjes se asistentëve në Universitetin e Prishtinës tregon diçka tjetër.

Në rastin e kandidatit Trim Lajçi, Senati i UP-së në vitin 2015 kishte gjetur shkelje pikërisht për shkak të mosvlerësimit meritor të notës mesatare. Lajçi i cili, ndonëse me notë mesatare 9.7, nuk ishte propozuar për asistent, ndërsa komisioni i fakultetit kishte propozuar një kandidate me notë mesatare 8.8. Senati kishte vendosur që konkursi të anulohej dhe të rishpallej.

Komisioni vlerësues ka thënë se kandidatja Maloku e ka plotësuar edhe kriterin e moshës, por nuk jep detaje nëse kandidatët tjerë nuk e kanë plotësuar këtë kriter./Insajderi.com

Nesër pjesa e dytë e tekstit:

Nesër në pjesën e dytë të tekstit mund të lexoni se përse Rektorati nuk ia pranoi ankesën kandidatit Labinot Kunushevci? Si e filloi punën kandidatja e përzgjedhur përderisa rasti është në kontest? Si ndodhi që kandidati Kunushevci dikur cilësohej si vlerë e jashtëzakonshme për Departamentin e Sociologjisë dhe UP-në në përgjithësi, kurse tash nuk e pranuan të jetë pjesë e profesorëve që dikur ia dhanë një vlerësim të tillë?