Filozofiku nuk e pranon si staf ish-studentin me të cilin krenohej dikur

Departamenti i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik nuk e pranoi si staf ish-studentin e vet, për të cilin profesorët, madje edhe vetë rektori, kishin dhënë vlerësime të mëdha për punën e tij të veçantë. Kandidatja që ishte pranuar përmes konkursit tashmë ka filluar punën, edhe pse rasti është në kontest nga kandidati i pakënaqur. Komisioni vlerësues nuk ia mori parasysh notën mesatare më të lartë, por as punimet e tij të përkthyera në së paku 14 gjuhë, ndonëse një praktikë e tillë ishte ndjekur nga fakultetet e tjera.

Filozofiku nuk e pranon si staf ish-studentin me të cilin krenohej dikur

Pasi nuk e pa emrin e tij në listën e të përzgjedhurve, kandidati Labinot Kunushevci vendosi të ushtrojë ankesë në njësinë akademike. Komisioni i Ankesave e refuzoi atë, duke i dhënë të drejtë Komisionit vlerësues.

Vendimin e Komisionit të ankesave nuk e ka parë kandidati Kunushevci.

Ai kishte aplikuar në konkursin e 20 shtator 2017 ku kërkohej bashkëpunëtorë të jashtëm me honorar për ligjërata dhe ushtrime.

Në pozitën 34 të konkursit, aty ku kishte aplikuar edhe kandidati Kunushevci, kërkohej “Një bashkëpunëtor i jashtëm për ushtrime, për lëndët: Sociologji e zhvillimit, Identiteti dhe vlerat sociale, Familja, shkolla dhe socializimi, Migrimet dhe diaspora, Sociologji e migrimeve”

Procedura e Rregullores kërkon që raporti i Komisionit të Ankesave të shkojë për shqyrtim në Këshillin e Fakultetit përkatës, si instanca më e lartë brenda njësisë akademike.

Këshilli e kishte refuzuar ankesën e kandidatit Kunushevci, duke i dhënë mbështetje Komisionit të Ankesave.

Rregullorja kërkon që vendimi i Këshillit të fakultetit së bashku me raportin e Komisionit vlerësues të publikohet në ueb-faqen e fakultetit. Këtë nuk e kanë bërë, duke e shkelur kështu nenin 8, pika dy të Rregullores në të cilët për disa gjëra janë thirrur organet vlerësuese të Filozofikut.

Përveç kësaj, vendimi i Këshillit të Fakultetit nuk i plotëson kushtet e parapara me ligj. Ai nuk përmban formën e një akti administrativ, por as këshillën juridike.

Kështu e parasheh Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

“…përmban pjesën përmbyllëse, që tregon kohën e hyrjes në fuqi të aktit, informatat për mjetet juridike, përfshirë organin publik apo gjykatën ku paraqitet mjeti juridik administrativ apo gjyqësor, formën e mjetit, afatin përkatës dhe mënyrën e llogaritjes së tij (këshillën juridike)”, precizon ndër tjera Ligji.

Kandidati Kunushevci, pas kësaj përgjigjeje, vendos të ankohet në një instancë më të lartë – në Rektorat, në cilësinë e ‘të zotit të shtëpisë’. Por ankesa nuk iu pranua aty. I thanë se të gjitha kontestet duhet të zgjidhen brenda Fakultetit. Sipas tyre, delegimi i këtyre kompetencave ishte bërë me Rregulloren e brendshme.

“Shqyrtimi i ankesave dhe marrja e vendimit përkatës në këshillin e fakultetit është vendim përfundimtar në nivel të universitetit”, thuhet nenin 9, pika 6 e Rregullores.

Të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe zyrtari i Rektoratit përmes e-mailit, pasi kandidati Kunushevci ishte ankuar për padrejtësi.

“Përkitazi me shqetësimin tuaj dërguar përmes emailit Rektorit Dema konsideroj se Njësia akademike do të veproj në pajtim me Rregulloren përkatëse dhe lidhur me ankesën vendoset në mënyrë meritore”, kishte shkruar Rrustem Qehaja në përgjigjen e tij dhënë kandidatit Kunushevci.

Por, delegimi i këtyre kompetencave po del të jetë në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti më i lartë dhe përfundimtar juridik, në një vendim të lëshuar kohë më parë rreth një çështjeje pikërisht për UP-në, kishte nxjerrë një konstatim, që del të jetë kundër kësaj Rregulloreje.

“Megjithatë, Gjykata vëren se, sipas statutit të UP-së, Fakulteti (…) është njësi akademike dhe organizative e Universitetit dhe se Fakulteti nuk është person juridik”, thuhet në vendimin e datës 9 shkurt të këtij viti që kishte të bënte pikërisht me një kontest brenda UP-së.

Rrjedhimisht del se Fakulteti nuk do të duhej të ishte instanca e fundit që vendos për ankesën e kandidatit Kunushevci.

Përveç këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, këtë çështje e rregullon edhe akti më i lartë juridik i UP-së (Statuti). Neni 14, pika 1 e Statutit, ndër tjera thotë se “Njësitë akademike dhe njësitë organizative të Universitetit nuk janë persona juridik”.

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe neni 51 i po të njëjtit akt juridik, ku thotë se “Njësitë akademike dhe Njësitë organizative nuk kanë subjektivitet juridik”.

Me fjalë të tjera, njësitë akademike nuk kanë subjektivitet juridik çka nënkupton se në rastin konkret kandidatit i është mohuar edhe e drejta për mjete juridike. Sepse në procedura të mëtutjeshme palë në proces do të jetë Universiteti i Prishtinës dhe jo njësia akademike. Për shkak se njësia akademike nuk mund të jetë palë në procedurë.

Kandidatja e përzgjedhur nis punën edhe pse rasti është në kontest

Kandidatja e përzgjedhur në këtë konkurs, Arbëresha Maloku, ka nisur punën në departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik.

Këtë e ka konfirmuar vetë ajo për Gazetën Insajderi, duke thënë se gjithçka po shkon mirë.

“Po, kam filluar punën dhe çdo gjë ecën sipas dinamikës semestrale”, ka thënë Maloku.

Në bazë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ankimimi i aktit administrativ e pezullon zbatimin e tij. Në rastin konkret pezullon efektin juridik të vendimit për zgjedhjen e kandidates Arbëresha Maloku në pozitën e asistentit.

“Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, parashtrimi i një ankese pezullon, sipas fuqisë së ligjit, prodhimin e pasojave juridike të aktit administrativ, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën”, thuhet në pikën 1 të nenit 130 të Ligjit.

“Nëse në aktin administrativ përfshihen dy ose më shumë palë me interesa të njëjta, ankesa e paraqitur nga njëra nga palët, pezullon prodhimin e pasojave juridike të aktit ndaj të gjitha palëve të përfshira “, precizon pika 2 e të njëjtit nen.

Kandidati Kunushevci, duke e parë se Njësia akademike e refuzoi, kurse Rektorati nuk u mor me të, vendosi që të drejtën e vet ta kërkojë edhe në tri instanca tjera jashtë UP-në.

Ai thotë se dorëzoi ankesë në Inspektoratin e Arsimit, në Inspektoratin e Punës, por edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Studenti me të cilin dikur krenohej Universiteti, nuk e pranon si staf

Labinot Kunushevci, gjatë kohës sa ka qenë student, kishte treguar performancë të lartë me të cilin ishte krenuar edhe Universiteti.

Ishte vetë rektori i Universitetit, Marjan Dema, i cili e kishte pritur në takim pas sukseseve që kishte treguar.

“Marjan Dema, rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ takoi sot në zyrën e tij Labinot Kunushevcin, student i programit master në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Rektori Dema e përgëzoi Labinotin për punën dhe përkushtimin e tij, si dhe i premtoi atij mbështetjen për zhvillim tutje dhe përfundimin e suksesshëm të këtij projekti të intervistave”, thuhej në komunikatën e 25 prillit të këtij viti.

Nuk ishte i vetmi rektori Dema që dha vlerësim të lartë për punën e asokohshme të studentit Labinot Kunushevci.

Vlerësim kishte dhënë edhe njëri prej anëtarëve të Komisionit vlerësues, Shemsi Krasniqi. Punën e tij e kishte cilësuar si të jashtëzakonshme.

“Shemsi Krasniqi, ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në UP, e vlerësoi punën e studentit të tij si të veçantë, unike dhe me vlerë të jashtëzakonshme”, kishte thënë profesori Krasniqi.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e një studenti të sociologjisë, por e konsideroj sukses të madh edhe për Departamentin tonë. Nëse një student i masterit ka arritur të komunikojë me ajkën e sociologjisë botërore, t’i intervistojë dhe t’i botojë idetë e tyre në katërmbëdhjetë gjuhë të botës, është sukses edhe për vetë Universitetin e Prishtinës”, kishte vlerësuar profesori Krasniqi studentin e tij më 23 dhjetor të vitit 2016.

Vetë Universiteti dhe profesorët e tij e kishin pranuar suksesin e tij, duke shtuar se puna e tij ishte publikuar në 14 gjuhë të botës, kurse i njëjti person tash del të mos jetë adekuat për departamentin i cili krenohej me punën e tij.

Për më tepër, Gazeta Insajderi në pjesën e parë të tekstit ka shkruar se si Komisioni i vlerësimit kishte shkelur Rregulloren gjatë vlerësimit të kandidatëve. Madje pati akuza edhe për mungesë të transparencës./Insajderi.com