Njomza Salihi
Rrafsh 45 ditë pasi është votuar qeveria, ajo sot pësoi goditjen e parë dhe fortë të rëndë nga vetë udhëheqësi i saj Albin Kurti. Kryeminsitri e ka humbur kontrollin. Ai e dha sinjalin e dorëzimit dhe të prishjes së qeverisë.
Kryeminsitri Albin Kurti në mënyrë të befasishme dhe pa bërë shumë zhurmë e ka shkarkuar minstrin e Punëve të Brendshme nga LDK, Agim Veliun, njërin nga njerëzit më me ndikim në partinë e Isa Mustafës.
“…kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, thuhet në deklaratën e Kurtit, shkruan Insajderi.
Kurti tha se e mori këtë vendim pasi Veliu sipas tij ka shpërndarë mbrëmë panik, teksa ka folur në Klan Kosova për Covid-19.
“Virusi po shpërndahet orë pas ore. Vendi duhet të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme”, ka thënë mbrëmë Veliu, shkruan Insajderi.
Ky i fundit në një bisedë ekskluzive për Insajderin vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit për shkarkimin e tij, ka thënë se ende nuk është njoftur për këtë vendim të Kurtit dhe se Kryeminsitri nuk mund ta merr këtë vendim, pa e marrë edhe pëlqimin e kryetarit të LDK-së, ashtu siç edhe e parasheh marrëveshja e koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e aritur më 2 shkurt, vetëm një ditë para votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i të parit të LDK-së.
“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook, transmeton Insajderi.
“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike”.
Pas shkarkimit të qeverisë, LDK, po planifikon propozimin e një qeverisje gjithëpërfshirëse deri në kapërcimin e gjendjes së krijuar nga Covid-19.
Por si nisi çarja e “koalicionit të shpresës”?
Tandemi Albin Kurti-Isa Mustafa – thuajse asnjëherë nuk janë pajtuar për vendimet e rëndësishme të qeverisë.
Siç ndodhi me taksën.
Ky paralajmërim i tij asnjëherë s’u bë vendim, proces ky për të cilin Kurti edhe kërkoi falje.
Krejt kjo ndodhi pasi Mustafa dhe partia e tij kërkonin heqjen 100% të taksës dhe ajo ashtu siç paralajmëroi Kurti.
Mustafa, madje edhe sot e përsëriti këtë kërkesë.
“Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës”.
I pari i LDK-së në një formë tha se nëse këto dy kërkesa nuk plotësohen – mund edhe të ndodh prishja e koalicionit.
“Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, tha Mustafa në shkrimin e tij, transmeton Insajderi.
“Prishja e koalicionit” jo që nuk ishte paralajmëruar. Ajo shihej edhe tek mendimet krejt të kundërta të të dy partive në raportet SHBA-Kosovë – që kanë nisur të “dëmtohen” pas kokëofortësisë së kryeminsitrit për të mos e hequr taksën, veprim ky që është kundërshtuar krejtësisht nga shteti më i fuqishëm në botë, Amerika.
Si për t’i vënë vulën përçarjes së tyre të madhe, ndodhi e treta e vërteta: Isa Mustafa kërkoi gjendje të jashtëzakonshmë pas përhapjes së Koronavirusit në vend, ndërsa Albin Kurti e kundërshtoi, tha se akoma ka kohë për këtë veprim.
Agim Veliu doli të jetë “kurban” i mosmarrëveshjes së fundit Kurti-Mustafa, mosmarrëveshje kjo që duket se po e çon koalicionin drejt fundit. /Insajderi.com