Rrugëtimi i djeshëm nga zyra deri në banesë kishte qenë i pazakonshëm për shefin e OSHP-së, Blerim Dina. Rrugës ishte ndjekur nga disa veta, të cilët e kishin frikësuar. Nuk e kishin lënë me kaq. Kishin zbuluar edhe numrin e banesës dhe numrin e katit, ku jeton. Njëri prej tyre kishte tentuar ta nxjerr dhunshëm nga banesa për të biseduar për disa çështje. Dina i ka denoncuar në Policinë e Kosovës, meshkujt që e kishin frikësuar pasditen e djeshme.
Shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina, ishte tmerruar pasditen e djeshme nga tre veta. Dy prej tyre i njeh. Po dilte si zakonisht nga zyra e tij, në qendër të Prishtinës. Disa minuta pas orës 16:00 dy veta i shkonin nga pas.
Sipas tij, ishin biznesmeni Nuri Sallahu dhe Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut. “Pasi kalova rrugën kryesore dhe u futa në një rrugicë, dy njerëz më ndaluan dhe më kapen për krahu”, tregon Dina.
“Ata dojshin me zor me më qu me pi kafe me Sami Lushtakun”, shton ai.
Rastesisht kishte takuar një mik të tij. Kishte bërë disa minuta rrugën bashkë me të. Dy burrat që po e ndiqnin ishin larguar përkohësisht. Kur ishte afruar tek banesa e tij tek xhamia “Katër Llulat”, e kishte vërejtur sërish Shabanin dhe një tjetër person. Sallahu nuk ishte më me ta, thotë Dina.
Insajderi ka siguruar xhirimet e kamerave të kompleksit banesor ku jeton Dina. Ai shihet duke hyrë me shpejtësi në ashensor. Disa sekonda shfaqet personi për të cilin Dina thotë se është Shaban Lushtaku dhe një person tjetër, të cilin nuk e njeh.
I paidentifikuar shikon kah pjesa ku janë të vendosura kutitë postare. Aty duket se informohet për numrin e banesës së Dinës. Kthehet dhe del jashtë me telefon në dorë. Më pas futet bashkë me Shabanin, tashmë të informuar për katin dhe numrin e banesës së Dinës.
Ngjiten deri aty. Blerim Dina dëgjon se dikush po i bie ziles. Hap derën dhe e sheh Shabanin me personin për të cilin nuk e di se kush është.
“Më thanë hajde dil se kemi punë pak. E mbylla derën me shpejtësi”, rrëfen Dina. Ai telefonon dy fqinjë të tij dhe i informon për problemin. Ata i ndihmojnë për të marrë fëmijët nga çerdhja. Më pas informon Policinë e Kosovës, përkatësisht njësinë për krime të rënda.
Insajderi intervistoi Dinën para se të jepte deklaratë në polici. Ai ishte i frikësuar nga njerëzit që po e ndiqnin. Tregonte se njerëzit që e kishin ndjekur kanë interesa multimilionëshe.
“Më mirë po e la punën. Nuk po më ofrohet kurrfarë mbrojtje nga shteti”, deklaroi Dina. Thoshte se nuk kishte frikë se do ta rrihnin shumë.
“Jo, nuk do të më kishin dëmtuar shumë. A e di pse? Ju duhet nënshkrimi im për tendera. Frikësohesha që po më fusin në gypek të veturës dhe do të më malltretojnë për të më bërë presion për të vendosur në favor të tyre”, rrëfen shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Shtatshkurtër dhe fizikisht jo i përgatitur, Dina kishte drojën se këtë skenar do ta realizonin meshkujt që po e ndiqnin pasditen e së hënës.
Dy tenderët e dyshimtë
Dina ka dyshimet e tij lidhur me rastin. Thotë se po i bëjnë presion për dy tenderë. Njëri prej tyre është tenderi multimilionësh për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.
Lotin e pestë të tenderit e ka fituar kompania “Sallahu”, pronë e Naim Sallahut. Oferta e kësaj kompanie peshon 21 milionë euro.
Në OSHP janë dorëzuar 13 ankesa të kompanive tjera kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës. Eksperti shqyrtues i ka rekomanduar bordit të OShP-së që të vendosë për anulimin e këtij tenderi.
Paneli i OShP-së ka të drejtën të shpërfillë apo të vendosë bazuar në rekomandimin e ekspertit shqyrtues. Dina dyshon se Sallahu po i bën presion që të hedhë poshtë rekomandimin e ekspertit shqyrtues.
Biznesmeni Sallahu ka hedhur poshtë pretendimet e Dinës. Ka mohuar t’i ketë bërë presion. Ka thënë se Dina është njeri i paguar nga konkurrenca e tij për të njollosur kompaninë “Sallahu”.
Përpos këtij tenderi, është edhe një tjetër që Dina e përmend. Është ai për sigurimin fizik të objekteve të Universitetit të Prishtinës.
Para gati një muaji, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka hedhur poshtë ankesën e “Security Code”, që pretendonte se i plotësonte kriteret për ta përfituar këtë tender.
OShP i ka dhënë të drejtë vendimit të UP-së, i cili shpall fitues një kompani tjetër.
Aksione në këtë kompani kanë familjarë të afërt të Sami Lushtakut, i cili u përfol si njëri prej atyre që ka bërë presion tek Blerim Dina. Lushtaku dje ka folur për Insajderin. Ka mohuar se ka thirrur në telefon Dinën dhe se nëpërmjet dikujt tjetër ka kërkuar që ta takojë.
Dina denoncon në polici personat që po e ndiqnin
Kryetari i Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit i ka denoncuar në polici njerëzit, të cilët e frikësuan pasditen e djeshme.
Mbrëmë, Dina për disa orë rresht u intervistua nga njësia për krime të rënda e Policisë së Kosovës. Aty ka treguar se është frikësuar nga Nuri Sallahu, Shaban Lushtaku dhe Sami Lushtaku.
Denoncimin e tij nuk e ka përfshirë Policia e Kosovës në raportin ditor, të cilin ia dërgon medieve. Insajderi ka pyetur policinë se pse ka ndodhur kjo, por nuk ka marrë përgjigje.
Insajderi ka intervistuar mbrëmë Dinën pas daljes nga stacioni policor. Ai i tha Insajderit mbrëmë rreth orës 22:00 se ishte i pakënaqur se si ishte trajtuar.
“Më thanë se nuk është asgjë kjo. Shko flej e pusho edhe kalon”, tregon Dina.