fbpx

Gjykata fshehu lëndën kundër gjyqtarit, Asllan Krasniqi i akuzuar për vjedhje

Asllan Krasniqi, ka prekur thuajse majat më të larta të karrierës në sistemin gjyqësor të Kosovës. Gjatë kësaj ngjitje, ai ka pasur një procedurë penale për vjedhje të rrymës. Por, kolegët e tij të Gjykatës së Malishevës janë kujdesur që aktakuza kundër tij të parashkruhet. I kontaktuar nga Insajderi, gjyqtari Krasniqi, është bërë sikur nuk e di që ka qenë i akuzuar për vjedhje.

Gjykata fshehu lëndën kundër gjyqtarit, Asllan Krasniqi i akuzuar për vjedhje

Gjyqtari Asllan Krasniqi, nuk ka pasur kohë të hënën të flasë për arsyet që e kishin shtyrë të kryente vjedhje. Është arsyetuar se ka gjykim.

Krasniqi, është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës në Departamentin për çështje ekonomike. Deri vonë ka qenë anëtar i Këshillit Gjyqësor, organ ky menaxhues i sistemit gjyqësor të Kosovës.

Gjatë gjithë kohës sa ka qenë në këtë pozitë, por edhe gjyqtar, mbi të ka rënduar një vepër penale e vjedhjes.

Por, kolegët e tij në degën e Gjykatës Themelore të Malishevës janë kujdesur që aktakuza e tij mos të shqyrtohet kurrë. E kanë lënë të parashkruhet vepra penale dhe të hidhet poshtë.

Insajderi ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, Dega në Malishevë për hedhjen poshtë të aktakuzës. Aty jepen detaje të veprës penale me të cilën ngarkohej ish-anëtari i KGJK-së, dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Hidhet propozim akuza e Prokurorisë Komunale në Prizren e datës 15.02.2008 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurit Asllan Krasniqi, për shkak të veprës penale të vjedhjes nga neni 252 paragafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, pasi që ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës që mbanë datën 24 maj 2013.

Pala e dëmtuar KEK-u Divizioni i rrjetit Distrikti Prizren, ishte udhëzuar që për realizimin e kërkesës pasurore-juridike të bënte padi civile.

Në aktvendimin e nxjerrë nga gjyqtari, Lutfi Shala, tregohen detaje të aktakuzës kundër gjyqtarit, Krasniqi.

Aty thuhet se Prokuroria Komunale në Prizren ka paraqitur propozimin akuzë kundër të pandehurit Asllan Krasniqi, nga fshati Astrazub Komuna e Malishevës për shkak të veprës penale të vjedhjes nga neni 252 par 1 të KPK-së.

“Meqenëse vepra penale është kryer me datën 23.01.2008, ndërsa propozim akuza është paraqitur në gjykatë me datën 19.02.2008 e sipas dispozitave të nenit 252 par 1 të KPK-së, ligjvënësi ka paraparë dënim me gjobë me burgim deri në 3 vjet, gjykata pasi shqyrtoi dhe vlerësoi shkresat e lëndës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, konstatoi se gjatë kësaj periudhe organet e ndjekjes nuk kanë ndërmarr asnjë veprim me qëllim të ndjekjes penale të veprës penale të kryer”, thuhet në aktvendim.
“Andaj në këtë çështje juridiko-penale është shkaktuar parashkrimi relativ dhe ndalesa e ndjekjes penale, ngase sipas dispozitave të nenit 106 par 1 pika 1.5 të KPK-së vepra penale e cila është e dënueshme me burg me më shumë se një vit burg parashkruhet kur të kalojnë tri vite nga data e kryerjes ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më tepër se tri vite”.

Lutfi Shala, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin e Krimeve të Rënda. Në kohën sa ai e kishte lëndën kundër kolegut të tij, ata ishin gjyqtar në të njëjtën Gjykatë, pra në Malishevë.

Asllan Krasniqi, aktualisht është gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Procedura penale kundër Krasniqit, është zhvilluar gjatë kohës sa ka qenë gjyqtar në Malishevë. Në këtë gjykatë ai ishte emëruar gjyqtar në vitin 2004. Aty ka punuar deri në vitin 2012. Me 1 janar 2013 ishte emëruar  Asllan Krasniqi është emëruar gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën ende e mban.

Insajderi, ka kontaktuar me gjyqtarin Krasniqi, i akuzuar për vjedhje të rrymës. Ai ka thënë se për herë të parë po informohet për këtë çështje.

“Nuk e di se për çka e keni fjalën. Jam duke hyrë në gjykim”, ka thënë ai.

Kur i është dërguar aktvendimi, ai nuk ka pranuar të flasë më.

Përgjigje për këtë çështje nuk kanë dhënë as në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. /Insajderi.com