Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka nisur hetime kundër dy prokurorëve, një gjyqtari, një zyrtari policor dhe një ish-drejtori për disa vepra penale. Ata dyshohen se kanë lidhje me një rast të vjedhjes së 17 mijë euro të një biznesmeni gjatë bastisjes së lokalit të tij. Hetimet i ka konfirmuar kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku.
Katër vjet më parë, Afrim Islamit, nga Prishtina i ishte mbushur lokali i Autoshkollës me policë e zyrtarë të Ndërmarrjes Banesore.
Donin ta nxirrnin nga lokali me forcë për shkak të mospagesës së qirasë.
Gjatë këtij aksioni atij i ishin marrë shumë dokumente. Bashkë me to edhe 17 mijë euro para të thata. Këtë shumë parash dyshohet se ia ka vjedhur Policia.
Tash e pesë vjet, Islami nuk është ndalur duke kërkuar hetim dhe drejtësi për dëmin e shkaktuar. Por, askush nuk i kishte dalë në krah. Madje, një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori, ishte hedhur poshtë nga prokurorja, Florie Shamolli.
Shqyrtimi i provave të bashkëngjitura në këtë kallëzim penal, ka rezultuar me gjetjen e elementeve të veprës penale nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.
Mbi këtë bazë kjo Prokurori ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Nexhat Kryeziut, ish-drejtor i Ndërmarrjes Banesore në Prishtinë, Shkelzen Ibrahimit – prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Rexhep Siarinës, ish-drejtor rajonal i Prishtinës në Policinë e Kosovës dhe Florije Shamollit – prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Burime nga Prokuroria e Gjilanit dhe Policia në këtë komunë, i kanë thënë Insajderit se tashmë kanë nisur hetimet kundër këtyre zyrtarëve për veprën penale: shpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim, vetëgjyqësi dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.
Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, ka konfirmuar për Insajderin nisjen e këtyre hetimeve.
“Prokuroria Themelore e Gjilanit është duke kryer hetime kundër këtyre zyrtarëve të sistemit gjyqësor, prokurorial dhe të Policisë së Kosovës”, ka thënë Maloku.
“Hetimi ka të bëjë me shpërdorim të pozitës zyrtare”, ka shtuar ai duke mos përmendur emrat e tyre.
Aty thuhet se lokali i auto shkollës në Rrugën Agim Ramadani në Prishtinë, ishte thyer me forcë në ora 7 të mëngjesit dhe ishin marrë dokumente të auto shkollës, përfshirë 17 mijë euro.
Afrim Islami thotë se pasi i ishte thyer lokali dhe i ishin marrë këto mjete policia e kishte arrestuar atë bashkë me djalin e tij, Avdylin.
“Pra në Polici na kanë ndaluar mua dhe djalin Avdylin, pa vendim të Prokurorit me datën 27.08.2015, prej orës 12:00 deri me datën 28.08.2015, ditën e nesërme në ora 9:00. Avokati im atëherë Ragip Zeneli, ka kërkuar sqarim në Polici, të cilët i kanë deklaruar se këtë e ka kërkuar Prokurori, kur është interesuar në Prokurori i kanë deklaruar se këtë e kanë kërkuar Policia, çfarë anamolije, duke ia hedhur fajin njëri tjetrit, kjo ka ndodhur me faktin se njëra palë nuk kishte baze ligjore për ndalimin tonë dhe tentonin që fajin t’ia hidhnin njëri tjetrit”, tha Islami.
Në kallëzim pretendohet se, Islami ishte kërcënuar seriozisht nga zyrtarët e shtetit.
“Kam pranuar një telefonatë kërcënuese, me përmbajtjen, “se nuk ke vend në atë lokal po as në Prishtinë”. Askush nuk është marrë me kërcënimin ndaj merje edhe pse e kam lajmëruar rastin te komandantin e policisë dhe i dyshuari Rexhep Sijarina, i cili nuk më pranoj të hyjë në zyre për tu sqaruar por vetëm në korridor me tha se unë është në dijeni lidhur me këtë dhe se çdo gje ka ndodhur me urdhërin timin, pra ai vetë e pranoj se kishte kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha Islami.
Pavarësisht këtyre provave të ofruara, prokurorja Florije Shamolli, e kishte mbyllur hetimin.
Ajo e kishte hedhur poshtë kallëzimin penal me numër PPN./I.NR.108/16, me 31 mars, kundër të dyshuarve, Nexhat Kryeziu, Shkelzen Ibrahimi dhe Rexhep Sijarina, pa asnjë bazë ligjore.
“Me këtë veprim secili veç e veç kanë kryer vepra penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, Vetëgjyqësi nga neni 418 dhe Kanosje nga neni 185 të KPRK-së”, thuhet në kallëzimin e ri penal, të cilin Policia e ka dorëzuar në Prokurorinë e Gjilanit.
Afrim Islami thotë se ka zhvilluar një takim me Nexhat Kryeziun, i cili sipas tij, kishte kërkuar të paguhet borxhi ndaj ndërmarrjes dhe t`i kërkohet falje pasi që në lokal nuk mungonte asgjë.
“Kemi punuar ta paguajmë borxhin po jo edhe të kërkoj falje, sepse nuk kisha arsye sepse mua me kishin dëmtuar shumë pa të drejtë”, tha Islami.
Pas kësaj Islami, e kishte njoftuar prokurorin Armend Hamiti lidhur me kërkesat nga Kryeziu. Aty kishte thënë se nuk e pranon lokalin pa pasur procesverbal rreth dëmtimit që ka pasur në lokal.
“Prokurori Armend Hamiti më tha shko kërkoju falje se NPB brenda javës do t’iu kthejnë edhe paratë e dokumentacionin. Nga Prokurori në fjalë, kam shkuar në NPB, ku Juristi i quajtur Ilmi Beqiri, më dha një letër të bardhë dhe më diktoi këtë tekst: Unë Aftim Islami kërkoj falje për sjellje jo korrekte dhe akuzat për vjedhje ndaj shefit të NPB, kjo ka ndodhur me datën 18.09.2015”, tha ai.
Jo gjithçka kishte përfunduar pas kërkim faljes. Islami thotë dy persona të tjerë i kërkuan 5.000 euro, t’ia dhënë incizimet se kush i kishte marrë paratë nga lokali. Kishte kërkuar dy-tri ditë kohë që t`ua siguronte paratë.
“Unë u thash që të vijnë pas dy-tri ditësh tu japë paratë dhe të merrja incizimet. Por prokurori Armend Hamiti më tha nuk guxon tju japësh para askujt”, tha ai.
Pasi kishte paguar shumën prej 35,000 euro, kishte marrë çelësat e lokalit.
Por pasi që kishte hyrë në lokal Islami kishte konstatuar se mungojnë paratë e gatshme prej 17.000 euro të përgatitura për t’ia paguar NPB, dhe pjesë e dokumentacionit të biznesit.
Kujtojmë se Nexhat Kryeziu ka qenë i përfshirë në një skandal të përgjimeve.
Ai bashkë me Liridon Latifi, kanë planifikuar dhe zbatuar një skemë të prishjes së një konkursi për dhënien me qira të lokaleve komunale afër Katedralës.
Të pakënaqur me fituesit e konkursit publik, e kanë anuluar atë për shkak se dy njerëz, ndihmues të Vetëvendosjes nuk kishin fituar. Biseda është bërë në zyrën e Kryeziut në janar të vitit të kaluar. Pak ditë më vonë e kanë anuluar konkursin. Të dy e kishin konfirmuar këtë bisedë, por nuk ishin përgjigjur në pyetjet e Insajderit rreth kësaj afere. /Insajderi.com