Hidrocentrali i vëllait të Shaip Mujës merr mbështetjen e Kaçanikut të PDK-së

Në përpjekje për të përmbushur objektivat e Bashkimit Evropian për prodhim të energjisë alternative, autoritetet kosovare janë mobilizuar në lëshimin e licencave për ndërtim hidrocentralesh. Një prej përfituesve është edhe vëllai i Shaip Mujës, deputetit të PDK-së. Kompania “Afa Energy”, ku është hisedar Fatmir Muja, po përballet me kundërshtimet e banorëve dhe organizatave jo-qeveritare në Kaçanik, që e vlerësojnë si të dëmshëm ndërtimin e hidrocentralit në pellgun e lumit Lepenc.

Hidrocentrali i vëllait të Shaip Mujës merr mbështetjen e Kaçanikut të PDK-së

Përpjekjet e vazhdueshme të dy organizatave jo-qeveritare në Kaçanik, shoqatës së peshkatarëve “Trofta e Lepencit”, dhe organizatës për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi” rezultuan të pasuksesshme përballë kërkesës së vëllait të deputetit të PDK-së, Shaip Mujës.

Komuna e Kaçanikut, e udhëhequr nga Besim Ilazi i PDK-së, vendosi në favor të kërkesës së kompanisë “Afa Energy”, në të cilën është aksionar Fatmir Muja.

Kompania, më 31 mars të këtij viti, mori aprovimin e asamblistëve të Kaçanikut për të ndërtuar hidrocentral me kapacitet prej 4.9 megavatesh në pellgun e lumit Lepenc.

Refuzimin e kërkesës së kësaj kompanie e kishin kërkuar me ngulm dy organizatat jo-qeveritare dhe dhjetëra banorë të fshatit Kotlinë, ku do të ndërtohet hidrocentrali.

Mos refuzimi i kërkesës së kësaj kompanie, në të cilën është hisedar vëllai i deputetit Shaip Muja, do të sjellë dëme zonës përreth hidrocentralit, vlerësojnë drejtues të këtyre organizatave.

Organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, nëpërmjet një reagimi publik, ka pohuar se ndërtimi i këtij hidrocentrali do t’i sjellë dëme ekonomisë lokale, duke rezultuar në mungesë të ujit për të punuar tokat dhe për të mirëmbajtur serrat e ngritura me subvencione qeveritare, të cilat gjenden përreth lumit.

“Në atë zonë mungesa e ujit do të thotë mungesë e florës dhe faunës dhe çdo gjëje tjetër që e karakterizon zonën. E ardhmja duket edhe më e ngrysur kur dihet mungesa e mekanizmave dhe niveli i zbatimit të ligjeve në Kosovë duke e bërë jo të besueshëm informacionin se lumi do të vazhdojë ta mbajë 30% të sasisë ekologjike të tij”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Sipas kësaj organizate, kompania nuk ka marrë përkrahjen e komunitetit për të ndërtuar hidrocentralin në këtë zonë dhe, po ashtu, autoritetet komunale lejuan zmadhimin e kapaciteteve të këtij hidrocentrali. Fillimisht, autoritetet komunale kishin dhënë pëlqimin vetëm për ndërtimin e hidrocentralit me kapacitet prej 2.3 megavatesh, por më vonë ndërruan mendjen, duke u bazuar në kërkesën e kompanisë private.

Muja: Ata që kundërshtojnë kanë interesa personale

Insajderi ka kontaktuar Fatmir Mujën, aksionar në kompaninë që do ta ndërtojë hidrocentralin në pellgun e lumit Lepenc, në Kaçanik. Ai ka thënë se njerëzit që reagojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit të tij, e bëjnë këtë për interesa personale.

“E kemi ndjekë ligjin edhe legjislaturën e cila është në fuqi në Republikën e Kosovës. Kurgja jashtë ligjit nuk kemi vepru”, ka thënë Muja.

Ka shtuar se kompania do ta mbrojë florën dhe faunën përreth zonës, në të cilën do të ndërtohet hidrocentrali.

“Fshatarët kanë interesa personale që kërkojnë me u ba të pasur prej tij (v.j hidrocentralit). Ne nuk mundemi me i plotësu qëllimet e individëve që janë aty nëpër fshat, që sillen. Qikaq”, ka pohuar Muja.

Kompania “Afa Energy”, ku është aksionar Muja figuron se është në regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në shkurt të vitit 2015. Shënohet se ka vetëm dy punëtorë, ndërsa pronarë janë tre. Muja, Azbi Ibrahimi, dhe kompania Olimpia Energy Sh.P.K. Drejtor i kompanisë “Afa Energy” , është Paolo Di Benedetto. I njëjti, Benedetto, është edhe drejtor në “Olimpia Energy”.

Kryetari i Kaçanikut plotësoi kërkesat e kompanisë së Mujës

Përveç kundërshtimeve në mbrojtje të mjedisit, bazuar në dokumentet publike shihet se kompania është përkrahur në vazhdimësi nga pushtetarët e Kaçanikut.

Fillimisht, autoritetet komunale në prill të vitit 2015 kishin dhënë pëlqimin për ndërtimin e hidrocentralit me kapacitet prej vetëm 2.4 megavatesh, në vendin e quajtur “Reka e Kotlinës”.

Kompania ishte pajtuar fillimisht, por më vonë kishte bërë kërkesë për ndryshim të vendimit të marrë në prill të vitit 2015.

Pas gati dy vitesh, në shkurt të vitit 2017, i kishte bërë kërkesë autoriteteve komunale që të jepnin pëlqimin për rritjen e kapaciteteve të hidrocentralit. Dhënia e pëlqimit nga autoritetet komunale është dokument i vlefshëm për të marrë më pas licencën nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, kishte vendosur në favor të kësaj kërkese të kompanisë.Po ashtu, kompania kërkonte nga autoritetet komunale që të shfrytëzojë më shumë hapësirë për ndërtimin e hidrocentralit me kapacitete të rritura.

Kërkonte shfrytëzimin e tri ngastrave, të cilat evidentohen si pasuri shtetërore, në emër të ndërmarrjes shoqërore “Ekonomia e Pyjeve”. Edhe kjo kërkesë ishte përkrahur nga kryetari Ilazi.

“Komuna e Kaçanikut në parcelat e lartshënuara nuk ka paraparë ndonjë ndërtim, por sipas Planit Zhvillimor Komunal kryesisht janë të parapara si “Digjitalizim i Pyjeve”. Duke u bazuar në rëndësinë e prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe në Kosovë si energji e cila në aspektin e ruajtjes së mjedisit nuk ndot ambientin jetësor, dakordohet që kompanisë në fjalë ti lejohet ndërtimi i hidrocentralit bazuar në kushtet të cilat i lejojnë dispozitat ligjore në fuqi “, thuhet në vendimin e marrë nga ekzekutivi komunal.

Ky vendim i është dërguar Kuvendit Komunal për miratim dhe ishte paraparë që të miratohej më 28 shkurt të këtij viti.

Protesta shtyu për një kohë marrjen e vendimit për ndërtimin e hidrocentralit

Kuvendi Komunal i Kaçanikut, më 28 shkurt 2017, vendosi që të shtyjë për një kohë marrjen e vendimit për ndërtimin e hidrocentralit.

Po atë ditë, ishte mbajtur protesta kundër ndërtimit të këtij hidrocentrali. Dhjetëra banorë kërkonin nga autoritetet komunale që të vendosnin për mbrojtjen e lumit Lepenc, e jo shkatërrimit të tij nëpërmjet ndërtimit të hidrocentralit të kompania “Afa Energy”.

“Ky prolongim është bërë deri në marrjen e pëlqimit nga komuniteti i fshatit Kotlinë, për shfrytëzimin e ngastrave të ekonomisë pyjore”, thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal.

Kompania përfilli këtë kërkesë.Më 7 mars 2017 dorëzoi tek autoritetet komunale një marrëveshje të nënshkruar mes kompanisë dhe Latif Lokut, i emëruar si administrator i fshatit Kotlinë.

Bazuar në këtë marrëveshje, banorët e Kotlines janë pajtuar për ndërtimin e hidrocentralit. Megjithatë, përveç emrit të  Lokut në marrëveshje nuk figuron asnjë nënshkrim i ndonjë banori tjetër.

Kjo marrëveshje e dorëzuar në komunë përmban shtatë pika. Thuhet se banorët kanë kërkuar si kompensim nga kompania që të investojë në zgjerim të rrugëve, të shfrytëzojë ujin sipas ligjeve në fuqi, të investojë në infrastrukturë sportive si dhe të punësojë minimumi 5 deri në 10 veta.

Lidhur me këtë marrëveshje, Sami Stagova zyrtar në organizatën për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, i tha Insajderit se ajo nuk është nënshkruar nga shumë banorë të fshatit.

Ai hedh dyshime për përmbajtjen e kësaj marrëveshje. Sipas tij, është i dyshimtë fakti që në marrëveshje përmendet numri i të punësuarve, por nuk saktësohet se nga cili vend do të vijnë ata punëtorë.

“Marrëveshjen në fjalë e ka nënshkruar vetëm Administratori i fshatit dhe jo një numër i caktuar i banorëve”, ka thënë ai. Në këtë pikë, Stagova kundërshtohet nga Muja, i cili thotë se kundër hidrocentralit janë një numër i vogël i njerëzve, ndërsa shumica e përkrahin.

Ndërkohë, një pjesë e këtij hidrocentrali do të shtrihet në territorin e komunës së Hanit të Elezit. Autoritetet komunale atje i kanë dhënë pëlqimin kompanisë ”Afa Energy”, më 26 janar të këtij viti./INSADJERI.COM

Tekst i kontibuoi edhe Liridona Hyseni