Histori dështimi – Kurti e Mustafa kaluan gjashtë muaj të jetës së tyre duke negociuar për poste

Histori dështimi – Kurti e Mustafa kaluan gjashtë muaj të jetës së tyre duke negociuar për poste

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte premtuar se do të ketë festë pas arritjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por nuk e kishte menduar se në historinë e tij jetësore do t’i shënojë gjashtë muaj dështim, së bashku me Isa Mustafën, duke negociuar për poste.

Mustafa dhe Kurti, tash e gjashtë muaj takohen për tu dakorduar që të takohen sërish. Çdo takim i tyre ka përfunduar i dështuar dhe pa marrëveshje. Sipas rezultateve të takimeve të fundit, po del të jetë punë pazaresh për poste ministrore në mes të LDK-së dhe VV-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjatë ditës së djeshme Kurti kishte shkuar në takim me Mustafën me një ofertë finale. Burime të Gazetës Insajderi, kishin thënë se Vetëvendosje në ofertën e saj ka vendosur që LDK-ja t’i ketë gjashtë ministri dhe presidentin.

E, nga LDK-ja, kanë thënë në kushte anonime se nuk do ta pranojnë këtë ofertë. Ata kanë kërkuar shtatë ministri dhe presidentin.

Ndonëse pas përfundimit të takimit të djeshëm, zyrtarë të LDK-së thanë se ka përafrime me VV-në, sonte ata u larguan edhe më shumë nga njëri – tjetrin.

Por si nisi rrugëtimi i historisë së ‘dështuar’, Kurti – Mustafa ?

Në gusht të vitit 2019, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte thënë se arritja e një koalicioni në mes të LDK-së dhe VV-së, zgjedhjet do t’i shndërronte në festë.

Sipas Kurtit koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, do ta nxjerrë nga kriza Kosovën.

“Kemi dallime nga e kaluara me LDK-në , kemi probleme, por ne duhet të përqendrohemi tek e ardhmja. Bisedimet po shkojnë mbarë. Ekziston një atmosferë konstruktive, do të përpilohet një platformë qeverisëse që do ta nxjerrë vendin nga kriza”, kishte thënë Kurti.

E takimet në mes të dy liderëve kishin filluar që nga 13 gushti.

Vend takimi i tyre fillimisht kishte qenë njëri nga hotelet e Prishtinës. Por edhe këto takime parazgjedhore kishin qenë të pasuksesshme. Ata nuk kishin arritur marrëveshje që në zgjedhje të shkojnë si koalicion.

Më 27 gusht Vetëvendosja konfirmoi se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor në mes të VV-së dhe LDK-së.

“Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinëzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor”, kishin thënë nga Vetëvendosje.

Kështu që nga fundi i gushtit të 2019-së, e deri në nëntor të këtij viti, nuk ka pasur takim të këtyre dy liderëve.

Tri ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, u takua vetëm me Vjosa Osmanin në një hotel në Prishtinë. Pas këtij takimi ata u dakorduan që të krijojnë grupe punuese të të dyja partive për ta përafruar programin qeverisës.

Edhe këto grupe u formuan dhe pas kësaj nisën takimet maratonë të Albin Kurtit e Isa Mustafës.

Takimi i parë ndodhi më 22 nëntor të vitit që sapo lëmë pas. Në këtë takim u morrin vesh që të nënshkruajnë marrëveshjen bashkë qeverisës pas certifikimit të zgjedhjeve.

Takimi i dytë pas zgjedhor kishte ndodhur më 28 nëntor. Kurti kishte dal para gazetarëve duke thënë se u dakorduam të takohemi

“U dakorduam të takohemi intensivisht ne dy krerët e dy subjekteve sepse doemos do ta bëjëm marrëveshjen”, kishte thënë Kurti.

2 dhjetor, sërish Kurti ishte takuar me Mustafën. Ata prapë ishin dakoruduar të takohen siç kishte thënë Kurti për të biseduar për formimin e qeverisë së re.

“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për formimin e Qeverisë së re”, kishte thënë Kurti.

E disa ditë më vonë më 11 dhjetor, kishte qenë radha e zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa për të treguar pranë gazetarëve se dy liderët Kurti dhe Mustafa u takuan dhe u dakorduan që bisedimet t’i vazhdojnë.

“Të dy liderët, z.Mustafa dhe z.Kurt, janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim, deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, kishte thënë Mustafa.

Ndërsa më 13 dhjetor, anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, kishte dal në një pronocim për media pas takimit Kurti Mustafa dhe kishte treguar se ekipet e VV-LDK, u dakorduan që të vazhdojnë takimet në baza ditore.

“Jemi dakorduar që të vazhdojnë takimet në baza ditore”, kishte thënë Hoti. E në të njëjtën ditë, edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, kishte thënë se “u pajtuam që takimet tona të jenë më të shpeshta në të ardhmen”.

E dhjetori kishte shënuar edhe dy takime tjera më 18 dhe 26, e kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kishte dal në një konferencë për media ku kishte treguar se do t’i përgjigjen ftesës së Vetëvendosje për tu takuar.

“Ne jemi në kontakt të rregullt, me siguri do të kemi komunikim, bashkëpunim dhe takim”, kishte thënë Kurti.

Viti 2020, kishte filluar sërish me takime për Kurtin dhe Mustafën. Takimi i tyre i parë për këtë vit kishte qenë më 6 janar. Ai kishte qenë i pasukseshëm. Prapë më 7 janar ata kishin lënë takim që të takohen por sërish dështim.

E më 8 janar kur të dy partitë dolën dhe treguan se ka përafrime me njëra – tjetrën, sot më 9 janar ata u distancuan edhe më shumë me njëri – tjetrin.

Kësaj, here edhe iu ikën medieve me shpejtësi. Isa Mustafa, doli nga një dalje emergjente, ndërsa Kurti, u kujdes që të hipte menjëherë në makinë, që mos të ketë kontakt me gazetarët.

Pas kësaj, forma e vetme për të treguar se sërish kanë dështuar, është rrjeti social Facebook, të cilin e përdorin anëtarët e të dy partive për t’i ‘demantuar’ mediat./Insajderi.com