Historia e klinikës së krimit

Rasti më i madh i hetuar dhe gjykuar nga ndërkombëtarët, është prishur nga gjyqtarë vendorë të Gjykatës Supreme. Krimi i vërtetuar nga dy shkallë të gjykatës në të cilin përmenden si të përfshirë në disa forma edhe njerëz të fuqishëm të shtetit të Kosovës, është kthyer në pikën zero. Mes të pëfshirve në këtë rast janë edhe Shaip Muja, Alush Gashi, Shkelzen Syla, Nuhi Uka, etj.  

Historia e klinikës së krimit

Klinika e urologut Lutfi Dervishi, “Medicus”, është mbyllur shtatë vjet më parë, por historia kriminale e saj vazhdon ende. Emri i kësaj klinike që kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty do të vazhdojë të jetë e pranishme në publik edhe më tutje.

Atë e rihapi Gjykata Supreme e Kosovës duke prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë dhe duke e kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale të ligjit.

Kësisoj, të dënuarit me 20 vjet burgim, Lutfi Dervishi, Arban Dervishi dhe Sokol Hajdinin, dhe të tjerët do të rigjykohen për këtë krim me përmasa ndërkombëtare. Ata, kishin qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikantëve të udhëhequr nga mjeku turk, Yosuf Somnez dhe izraelitit Moshe Harel – të dy në arrati.

Ky grup mjekësh dhe trafikantësh tjerë, kishin masakruar djem dhe vajza të reja nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani, Ukraina, Rusia, Moldavia, Izraeli. Blerësit ishin shumica nga Izraeli. Kishte edhe nga Ukraina, Turqia, Polonia, Kanadaja, Gjermania.

Veshkat që ua kishin hequr viktimave, ua kishin shitur pasanikëve të ndryshëm që kishin gjetur mundësinë për të jetuar edhe më tej në këmbim të shumave që arrinin deri në 100 mijë euro.

Mes viktimave të këtij krimi të kryer në pak kilometra nga qendra e kryeqytetit, kishin qenë edhe Anna Russalenko, e Vera Shevdko nga Rusia. Ato, kishin ardhur personalisht në Prishtinë, në klinikën e Lutfi Dervishit. Aty u ishin hequr veshkat, për t’u vendosur në trupat e blerësve në tregun e zi.

Zbulimi i krimit

Krimi me gjasë do të vazhdonte ende, sikur 24 vjeçari turk, Yilmaz Altun mos të rrëzohej në Aeroportin e Prishtinës. Ai, është mes shtatë viktimave të identifikuara të këtij krimi. Vetëm për ta, përfitimi kriminal llogaritet se ishte 551 mijë eurosh dhe 208 mijë dollarë.

Yilmaz Altun, ishte paguar 15 mijë euro nga Lutfi e Arban Dervishi, i cili këtë veprimtari kriminale e kishin kryer në bashkëpunim me izraelitin Moshe Harel dhe turkun Yosuf Somnez.

Sonmez ishte kryesori që kërkohet edhe për disa vepra kriminale në vende të tjera, përpos Kosovës, përfshirë Turqinë, siç është trafikimi i qenieve njerëzor dhe organeve.

Një nga pesë kosovarët, kirurgu Lutfi Dervishi ka qenë udhëheqës i grupit kriminal, së bashku me Sonmez dhe Harel.

Njohja e Dervishit me Sonmezin

Urologu Lutfi Dervishi kishte marrë pjesë në një konferencë në Stamboll në vitin 2006. Gjashtë muaj më vonë Dervishi ishte kontaktuar nga Jusuf Sonmez për të filluar më vonë kryerjen e operacioneve në klinikën private “Medicus” në Prishtinë, e cila atëkohë menaxhohej nga djali i tij, Arbani.

Policia e kishte zbuluar rastësisht këtë veprimtari kur kishte ndalur në aeroport një shtetas turk i quajtur Ylmanz Altun teksa po kthehej për në Turqi, katër ditë pas dhurimit të një veshke.

Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, ai kishte thënë se më 4 gusht është takuar me një person të quajtur Ismajl, shtetas turk i cili kishte ndërmjetësuar për shitblerje të veshkave në Stamboll.

Pazari ishte kryer tre muaj para udhëtimit në Kosovë. Më të kishte biseduar për dhënien e veshkës në Kosovë në shkëmbim të 20 mijë dollarëve. Pagesa e parave të gatshme ishte bërë në aeroportin e Stambollit.

Më 29 tetor Altun kishte arritur në Prishtinë. Kur ishte ndalur në aeroport kishte thënë se kishte ardhur për trajtim mjekësor lidhur me problemet për veshka duke prezantuar edhe një letër – thirrje nga klinika “Medicus”. Në aeroport ai ishte marrë nga Arban Dervishin për t’u dërguar në klinikë.

Më 30 tetor 2008, turku i ishte nënshtruar operacionit. Pesë ditë më vonë më 4 nëntor ishte transportuar për në Aeroportin e Prishtinës.

Kur ishte ndalur nga policia, kishte deklaruar se në Prishtinë kishte ardhur për të dhuruar veshkën. Pas kontrolleve mjekësore ishte konstatuar se kishte hequr veshka e majtë.

Përfituesi nga Izraeli

Bezalel Shafran – shtetas izraelit kishte pranuar veshkën e turkut Ylmanz Altun. Më 11 tetor 2008 ai kishte dhënë deklaratë në Policinë e UNMIK-ut. Kishte pohuar se në Kosovë kishte ardhur për të pranuar një veshkë.

Pasi ishte këshilluar nga disa njerëz në Stamboll, ai kishte ardhur në Kosovë. Më 30 tetor Shafran kishte bërë operacionin. Ai kishte nënshkruar një deklaratë bashkë me dhuruesin turk se qëllimi i transplantimit ishte vetëm me qëllime humane pa pagesë. Operacionin e kishte kryer doktori turk Yusuf Somnez, Lutfi Dervishi dhe Kenan Dermirkol shtetas turk.

Më 18 nëntor ai ishte kthyer në Izrael.

Një shtetas tjetër izraelit i quajtur Raul Fain, tashmë i vdekur, kishte kryer transplantim në Medicus. Më 24 korrik 2008 ai e ka pranuar se kishte deponuar 87 mijë euro në llogarinë bankare të një shtetasi izraelit të quajtur Moshe Harel i cili ndodhej në Izrael. Dhjetë ditë më vonë ai kishte udhëtuar në Stamboll së bashku me bashkëshorten e tij. Pas disa testeve mjekësore në Stamboll nga doktor Yusuf Sonmez ai kishte udhëtuar për në Kosovë për të bërë transplantim të veshkës së bashku me Ëalter Jungman një shtetas gjerman i cili kishte bërë aranzhimet të ngjashme me Harel për transplantimin e veshkës në Kosovë. Edhe shtetasi gjerman, Jungmann kishte deponuar 81, 892. 72 euro në llogarinë bankare të Harelit në Izrael më 23 korrik.

Më 25 korrik të tre kishin udhëtuar për në Prishtinë dhe dy femra Anna Rusalenko dhe Vera Shevdko. Ata kishin mbërritur në “Medicus” ku ishin pritur nga doktor Somnez. Më 26 korrik Somnezi dhe ekipi mjekësor i “Medicus” u kishin hequr dy veshka nga këto dy ferma dhe i transplantuan tek shtetasi izraelit dhe ai turk. Në “Medicus” Raul Fan kishte takuar edhe një shtetase të Polonisë.

Lidhjet me njerëzit e fuqishëm të Qeverisë

Në dosjen e Prokurorisë kishin qenë të përfshirë edhe njerëz tjerë të fuqishëm. Ata kishin takuar edhe mjekun turk, Yousuf Somnez në dasmën e djalit të Lutfi Dervishit.

Në këtë dasmë kishte të ftuar zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Mysafiri special ishte Yosuf Somnezin

Sonmezin, Dervishi ua kishte prezantuar miqve të tij, Shaip Muja e Shkelzen Syla. Muja atë kohë ishte këshilltar për shëndetësi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Shkelzen Syla, kushëri i afërt i Azem Sylës, ishte sekretar i përhershëm i Ministrisë së FSK-së.

Në këtë dasmë ishte edhe avokati nga Prishtina, Flamur Bogaj.

Muja, Syla e Bogaj janë të përfshirë në dosjen e Prokurorisë së bashku me ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, mjekun turk Kenan Dermirkol dhe djalin e Yosuf Somnezit, Ercen Somnez. Mes njerëzve të përmendur këtu është edhe Alush Gashi, ish-ministër i Shëndetësisë nga LDK.

Kësisoj, lidhjet e njerëzve të afërt të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, me drejtuesit e “Medicusit” ishin të shumta.

Pos, tjerash Shkelzen Syla është vëllai i gruas së Lutfi Dervishit.

Syla ishte pjesë e një të ashtuquajturi Komision etik në “Medicus” në përbërje të tij, Flamur Bogajt dhe Arban Dervishit.

Avokati Bogaj është djali i ish-gjyqtarit Selman Bogiqi i cili më 4 nëntor 2008 kur ishte bastisur “Medicusi” ishte gjyqtar kujdestar, por që në dëshminë e tij pati thënë se nuk ka qenë i informuar fare për atë që ka ndodhur.

Nuhi Uka, kishte vërtetuar rreth 100 garancione për pacientë dhe shoqërues të tyre që vinin në “Medicus”.

Familjarët e pacientëve përfitues të veshkave që vinin në “Medicus”, vendoseshin në hotelin “Victory”, pronë e Bedri Selmanit, ish-këshilltar i kryeministrit Thaçi dhe ish-deputet i PDK-së.

Prokuroria: Shaip Muja – njëri i fuqishëm

Prokuroria e kishte cilësuar Mujën si njeri të fuqishëm, që kishte mbështetur “Medicusin” në shumë forma.

Ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi, sipas Prokurorisë kishte bërë presion të madh mbi Ilir Rrecajt, ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë për ta shtyrë përpara çështjen e licencës së “Medicusit” për urologji për çka nuk kishte licencë.

“Ilir Rrecaj ka qenë në një presion të madh nga ish-ministri Alush Gashi, dhe këshilltari i kryeministrit Shaip Muja në njërën anë dhe nga ‘Medicusi’ nga ana tjetër”, kishte thënë prokurori i Rastit, Jonathan Ratel.

Presion të madh sipas tij kishte bërë edhe Shaip Muja.

“Në mars 2008 Shaip Muja dhe ministri i Shëndetësisë Alush Gashi kishin pasur një drekë pune në restorantin ‘De Rada’. Ata i kishin telefonuar Lutfi Dervishit dhe i kishin thënë se ‘në qoftë se ai i plotëson standardet, mund të marrë edhe një licencë për shërbime urologjike’”, kishte shkruar prokurori në dosjen përmbyllëse të argumenteve në “Medicus”.

“Me aq sa kam kuptuar në vitin 2008 kur unë fola me ministrin ne kemi konstatuar se ai nuk ka licencë për shërbime urologjike por ai kishte paraqitur një kërkesë”, kishte thënë Muja në Gjykatë në cilësinë e dëshmitarit. Muja nuk e kishte mohuar se kishte pasur kontakte edhe me Ilir Rrecajn për këtë punë.

Disa ditë më vonë në ndërtesën e Qeverisë, Shaip Muja e kishte pyetur Alush Gashin se çfarë po ndodhte me kërkesën e “Medicusit”. Gashi kishte thënë se kërkesa ishte në procedurë dhe se do t’i përgjigjeshin Dervishit brenda afatit ligjor dhe rrethanave të mundshme.

Licenca duhej të nënshkruhej nga ana e Ministrit Alush Gashi.

Gashi kishte nënshkruar edhe licencën e mjekut Yosuf Somnez. Ai ishte licencuar si mjek në Kosovë, ani se në Turqi e kishte të ndaluar të punonte si mjek.

Korrespodencat

Shkelzen Syla ishte përmendur edhe nga Yosuf Somnez gjatë një korrespodence me Lutfi Dervishin.

Në e-mailin e datës 4 mars 2008 Yosuf Somnez kishte shkruar: “I nderuari Lutfi, më në fund do të vijmë këtë të premte. Do të informojmë për detajet tjera më vonë. Por sikurse të kam thënë më përpara, unë qëndroj në spital dhe tekniku Kenan (Demirkol v.j.) gjithashtu. Ndoshta edhe dr. Kenani do të vijë. Ju lutëm sikurse ju kam thënë më përpara, neve na nevojitet i ashtuquajturi komisioni i etikës i cili përbëhet nga së paku 3 persona: një avokat, një nga spitali (mund të jetë Arbani dhe të fundit sinqerisht e kisha preferuar Shkelzenin”.

“Të kam treguar arsyet më herët. Por unë megjithatë të respektojë si shef të spitalit, kështu që ju keni dhe ju duhet ta keni fjalën e fundit. Ju lutem mos harroni ta ndizni nxehjen në katin e dytë dhe për njësitin e kujdesit intensiv, ndoshta që nga dita e mërkurë. Nuk dëshiroj që pacientet të marrin ftohjen e zakonshme”.

Ky e-mail sipas Prokurorisë sugjeronte se Somnez njihte Shkelzen Sylën, dhe ishte i përfshirë deri diku në atë që po ndodhte në Medicus.

Prokurori në dosje kishte thënë se dokumentet e dhëna pacientëve në ‘Medicus’ përfshirë ato të Komisionit të Etikës ishin kërkuar dhe shfrytëzuar nga disa pranues izraelit të veshkave për t’i paraqitur deklaratat e sigurimit shëndetësor për pagesat e bëra për transplantimin e veshkave në Medicus.

“Ky komision nuk ka ekzistuar por këto dokumente ishin përdorur si dokumente mashtruese”.

Pavarësisht përmasave të krimit, rasti tashmë është kthyer në pikën zero me vendim të dy gjyqtarëve kosovarë të Gjykatës Supreme. Ata, kanë shembur këtë hetim dhe gjykim duke e kthyer rastin në rigjykim./Insajderi.com

Prishet aktgjykimi në rastin Medicus, Lutfi e Arban Dervishi mund të kthehen në Kosovë