Historia e negociatave VV-LDK – Si rrodhën ngjarjet pas 6 tetorit

Lidhja Demokratike e Kosova dhe Lëvizja Vetëvendosje sot e kanë arritur marrëveshjen për koalicionin qeverisës. Të dy partitë, pas një procesi të gjatë negociues, arritën t’i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe t’i shuajnë mospajtimet për poste qeverisëse dhe ndarje të kompetencave, shkruan Insajderi.

Ujdia mes VV-së dhe LDK-së erdhi pas afro 4 muaj diskutime, shtyerje, kundërshti e ftohje raportesh.

Zgjedhjet e 6 tetorit e bënë Lëvizjen Vetëvendosje subjektin fitues të zgjedhjeve, me 26% ndërsa pasuese ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, me 24%.

Menjëherë pas procesit maratonik të numërimit e rinumërimit të votave, të dy partitë, filluan negociatat për arritjen e marrëveshjes dhe harmonizimin e qëndrimin.

26 dhjetori, data kur u konstitua Kuvendi, ishte datë kur edhe kishin lindur ftohjet mes dy subjekteve. VV e kishte zgjedhur Glauk Konjufcën si kandidat për Kryeparlamentar dhe më pas, i mori votat e nevojshme. Pas këtij veprimi, LDK-së iu rrit mosbesimi ndaj partnerit të mundshëm të koalicionit, dhe diskutimet u ndalën.

Lëvizja Vetëvendosje si zgjidhje të mundshme alternative e pa përçimin e mesazheve politike përmes letrave. Lideri i VV-së, Albin Kurti, i bëri thirrje Isa Mustafës të heqë dorë nga largimi i Glauk Konjufces nga kreu i Kuvendit dhe e ftoi të rikthehet në tryezën e bisedimeve për marrëveshje për qeverinë e përbashkët.

Këtë letër, Mustafa e injoroi duke e quajtur ese ideologjike, ndërsa tha se janë të interesuar për ta përmbyllur këtë proces.

“Është një letër me cilësime, të cilat nuk janë shumë zyrtare. Ne jemi te interesuar ta përmbyllim këtë proces”, kishte thënë Mustafa para mediave, shkruan Insajderi.

Liderët e partive, Mustafa e Kurti, i shfrytëzuan edhe hapësirat private për të diskutuar rreth marrëveshjes. Ky i fundit, kishte raportuar Gazeta Insajderi, se i kishte shkuar në shtëpi Mustafës, në Prapashticë, apo në “rançin e Mustafës”, siç e quante dikur.

Burime të Gazetës Insajderit brenda procesit kishin treguar se negociatat kishin qenë të vështira dhe nuk ishte arritur as aty marrëveshje.

Zyrtarët e të dy partive u morën vesh që të takoheshin përsëri, dhe përsëri. Pas çdo takimi që zgjaste me orë, ata u dakorduan që përsëri të takoheshin. Tutje, ambasadorët e QUINT-it, u mblodhën dhe i bënë bashkë dy partitë kandidate për të qeverisur, ta arrinin marrëveshjen. As kjo, nuk pati ndonjë efekt.

Gazeta Insajderi kishte raportuar më parë se Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeparlamentarit për të lëshuar rrugë në marrëveshjen e koalicionit. Insajderi tutje ka mësuar se të dy partitë, janë marrë vesh që postin e Presidentit ta diskutojnë pas një viti, respektivisht pas përfundimit të mandatit të Presidentit Hashim Thaçi.

Ndërkohë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa sot para medieve njoftuan për arritjen e marrëveshjes.

Të hënën do të mbahet seanca e Kuvendit, ku pritet të votohet Albin Kurti, si kryeministër i vendit dhe kabineti i tij qeveritar./Insajderi.com/