Shteti ka shënuar fitore në betejën me uzurpatorin e hotelit “Victory”. Ka arritur ta kthej nën administrimin e AKP-së këtë objekt që është mbajtur i uzurpuar që 17 vjet nga ish-zyrtari i lartë i PDK-së. Prona fillimisht ishte marrë nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që udhëhiqej nga Azem Syla. Pas shpërbërjes së QPK-së, objekti “ushtarak” ishte kthyer në objekt hotelerie në të cilin ishin mbajtur aktivitetet e PDK-ja. E, pikërisht nga oborri i këtij objekti ishte nisur skuadra e vrasësve të Ibush Kllokoqit. Arma me të cilën ishte vrarë ai, i ishte dhënë Fahredin Gashit nga një person që ndodhej në veturë me Azem Sylën. Insajderi sjell historinë e këtij hoteli.
Objekti në të cilin Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur thuajse të gjitha aktivitetet, i është kthyer shtetit.
Ish-zyrtari i lartë i kësaj partie, uzurpatori Bedri Selmani, është dëbuar nga hoteli Victory gati dy dekada nga fillimi i veprimtarisë biznesore në pronën e shtetit.
Policia ia ka vënë shiritat hotelit dhe ia ka kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit, e cila ndërmarrjen Auto Prishtina, pjesë e të cilës është hoteli Victory e ka nxjerr në shitje me anë të likuidimit.
Selmani ishte vendosur në këtë objekt me bekimin e Azem Sylës në vitin 1999, sa ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi. Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes Auto Prishtina ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.
Syla aktualisht është në paraburgim si i dyshuar për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, pikërisht me prona të shtetit. Ndërkaq, Selmanit i janë marrë të gjitha pronat përfshirë 30 pompa të benzinës që i mbante të uzurpuara prej vitit 1999.
Veprimtaria kriminale në pronën e shtetit
Veprimtaria kriminale e Azem Sylës në këtë hotel përmendet edhe në aktgjykimin kundër grupit të Azem Sylës. Aktgjykimi i formës së prerë thotë se arma Scorpion me të cilën ishte vrarë Ibush Kllokoqi verën e vitit 1999, i ishte dhënë Fahredin Gashit nga një person që ndodhej në veturën në të cilën ndodhej edhe Azem Syla.
Shumë vjet më vonë, shteti po pretendon që nga kjo pronë të fitojë para, fillimisht duke e dhënë me qira e më vonë duke e shitur.
Dëbimi është bërë pasi uzurpatori Bedri Selmani ka humbur të gjitha betejat për ta mbajtur të pushtuar edhe më tej hotelin “Victory”.
Uzurpatori Selmani ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministër dhe këshilltar i Hashim Thaçit, aktualisht president i Kosovës.
Objekti që ka adaptuar për hotel është nxjerrë në shitje nëpërmjet procesit të likuidimit.
Ndërmarrja shoqërore “Auto Prishtina”, pjesë e të cilës është hoteli “Victory” do të shitet në njësi. Selmani është i përjashtuar nga e drejta për blerjen e hotelit për shkak të mbajtjes në mënyrë të paligjshme të pronës shoqërore që nga viti 1999.
Likuidimi ka filluar më 21 korrik të vitit 2014 bazuar në vendimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të datës 27 qershor 2014.
Pavarësisht uzurpimit dhe mbajtjes në mënyrë të paligjshme të pronës, Selmani kishte kërkuar nga AKP-ja që ti kompensoheshin investimet në hotel. Këto pretendime janë hedhur poshtë.
Në AKP kanë thënë se Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje shoqërore ka komunikuar me shkrim me ndërtuesin e Hotelit të cilit ia ka bërë të qartë se prona është shoqërore dhe se Agjencia do ta trajtojë atë konform Ligjit dhe Rregulloreve të aplikueshme të AKP-së, pas formimit të Bordit të Drejtorëve.
“Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje e ka shqyrtuar dhe e ka refuzuar kërkesën e parashtruesit, i cili pretendonte të drejta pronësore mbi asetet e NSh-së, duke kërkuar kompensimin e investimeve të pretenduara”, ka thënë AKP-ja.
Ish-këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, në Qeverinë e Përkohshme të pasluftës, e kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e ka kthyer në hotel. Ai nuk është bindur që ta lëshojë pronën, pavarësisht vendimeve të Gjykatës. Të gjitha pretendimet e tij janë hedhur poshtë edhe Gjykata Kushtetuese të Kosovës.
Kuvendi Zgjedhor i PDK-së i mbajtur në hotelin “Victory”
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese e cila ishte refuzuar, Selmani kishte kërkuar “të drejtat e tij pronësore mbi fondet” që pretendon se i kishte investuar” për renovimin e “Autoservisit” në vlerë 1,356,882.00 euro, të drejtat e tij pronësore mbi fondet e investuara në hotelin dhe restorantin “Victory”, në shumën e përgjithshme 1,527,832.00, të drejtën e përdorimit të parcelës së tokës urbane në të cilën “Autoservisi” dhe hoteli e restoranti “Victory” janë ndërtuar.
Ai kishte kërkuar edhe të drejtën e parablerjes së tokës shoqërore ku janë ndërtuar objektet e “Autoservisit” dhe hotelit e restorantit “Victory” me rastin e privatizimit.
Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar të papranueshme lëndën e Selmanit.
“Gjykata Kushtetuese thekson se nuk është gjykatë e shkallës së katërt kur shqyrton vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është detyrë e gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale”, kishte thënë në aktvendim Gjykata Kushtetuese.
Njëri prej uzurpatorëve më të mëdhenj në Kosovë, i lidhur me pushtetin, ka fituar miliona euro falë pushtimit të pronave shoqërore përfshirë mbi 30 pompa të benzinës të INA-s së Zagrebit.
Ai ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duke kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, të 30 marsit 2009 dhe Aktgjykimit të Kolegjit për Ankesa të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, të 13 tetorit 2011.
Të dy vendimet konstatonin se ai është uzurpator i pronës së “NSH Auto Prishtina” që nga viti 1999.
“Sipas Certifikatës mbi të drejtat e pronësisë së paluajtshme të datës 15.05.2007 me numër të Certifikatës: UL-71914059-09949 të Zonës Kadastrale Prishtinë, sipërfaqja totale e Auto Prishtinës është 1 ha 71 ari 61 m2.
Një pjesë e pronës së “Auto Prishtinës” është dhënë me qira nga ndërmarrja shoqërore. Dikur aty mirëmbaheshin disa lloje veturash përfshirë “Opel” si servil i autorizuar.
Selmani pretendonte se është themelues, pronar dhe drejtor i kompanisë private “Autokosova”. Pretendon se më 5 prill 2000, kishte lidhur marrëveshje me Ndërmarrjen Shoqërore “Auto Prishtina”. Marrëveshja parashihte që Selmani të ndante 19 mijë euro në muaj për punëtorët e ndërmarrjes shoqërore.
Më 10 nëntor 2000, Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina” kishte ndërprerë bashkëpunimin me parashtruesin e kërkesës. Selmani pretendonte se ndonëse marrëveshja ishte ndërprerë, punëtorët e ndërmarrjes kishin punuar për të deri në tetor 2003 kur kishin filluar të operonin si të pavarur.
Ndërmarrja Shoqërore është trashëgimtare e ndërmarrjes Organizata Punuese Auto Salloni “Boshko Cakiç” e themeluar në dhjetor 1989. Selmani pretendonte se sipas marrëveshjes, kishte bërë “renovimin dhe rehabilitimin” e një ndërtese në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina”.
Sipas tij, marrëveshja për partneritet u regjistrua në Regjistrin Afarist te UNMIK-ut me 15 dhjetor 2000.
Padia e Bedri Selmanit
Në vitin 2007 Bedri Selmani nëpërmjet një padie ka kërkuar që shuma prej 1,21946.22 t’i paguhet “Auto Prishtinës”- “Auto Kosovës” në mënyrë që t’i njihet e drejta e pronësisë në fondet e investuara në objektin shoqëror “Autoservis”.
Ai kishte kërkuar që 1,036,994.32 t’i paguhet hotelit dhe restorantit “Victory” në mënyrë që t’i njihet e drejta e pronësisë në fondet e investuara në ndërtimin e objektit të hotelit privat; njohjen e së drejtës së Autoprishtines-Autokosova në përdorimin e tokës ku gjendet “Autoservisi”; njohjen e se drejtës se hotelit dhe restorantit “Victory” në përdorimin e tokës ku gjendet hoteli “Victory”; shpallja e se drejtës së prioritetit të Autoprishtines-Autokosoves për blerjen e objektit në pronësi shoqërore dhe tokës ku gjendet “Autoservisi” dhe deklaratën e se drejtës se prioritetit të hotelit dhe restorantit “Victory” për të blerë tokën në pronësi shoqërore ku gjendet hoteli “Victory”.
Ndërkohë Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kishte ushtruar mbrojtje dhe kundërpadi në emrin e vet dhe në emër të Ndërmarrjes Shoqërore. Dhoma e Posaçme më 30 mars 2009 ka refuzuar padinë kundër Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina” si të pabazuar të ushtruar nga Selmai si dhe kërkesën për vendim-ndalim të përkohshëm kundër AKM-se.
Kishte refuzuar po ashtu edhe kundërpadinë e AKM-së si të papranueshme.
Më 15 maj 2009, Selmani kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të trupit gjykues, të 30 marsit 2009. Më 13 tetor 2011, Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme refuzoi ankesën si të pabazuar dhe vendosi të vërtetojë Aktgjykimin e Trupit Gjykues të 30 marsit 2009 dhe e ndryshoi aktgjykimin e Trupit Gjykues duke shtuar fjalinë vijuese: “padia e hotelit dhe restorantit ‘Victory’ është refuzuar si e pabazuar”.
Më 30 janar 2012, parashtruesi paraqiti kërkesë Prokurorit te Shtetit për mbrojtjen e ligjshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit për Ankesa.
Më 2 shkurt 2012, Prokurori i Shtetit ka shkruar se “nuk ka gjetur asnjë bazë ligjore për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë”./Insajderi.com