Ish-deputetja Aurora Bakalli specializon në mënyrë të dyshimtë

Ish-deputetja Aurora Bakalli specializon në mënyrë të dyshimtë

Aurora Bakalli, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, në muajin korrik e ka kryer provimin e shkollimit Specialistik në Kardiologji. Bakalli në të njëjtën kohë ka qenë edhe kryetare e Komitetit Specialistik në Kardiologji. Sipas kompetencave që i jep udhëzimi administrativ komitetit të specializimit, i bie që Bakalli gjatë kohës sa ka qenë duke e ndjekur shkollimin specialistik e ka mbikëqyrur vetën nga cilësia e kryetares së Komitetit.

Ish-deputetja e Kosovës nga Lëvizja për Bashkim, Aurora Bakalli e ka kryer së fundmi provimin e specializimit në Kardiologji, në të njëjtën kohë ajo ka qenë edhe kryetare e Komitetit Specialistik në Kardiologji.

Bakalli provimin e specializimit e kreu me 20 korrik të këtij viti, shkruan Insajderi.

Ajo gjatë kohës sa ka qenë duke ndjekur shkollimin specialistik, ka qenë e zënë edhe me një përgjegjësi më të lartë, që sipas legjislacionit i bie të hartoj dhe mbikëqyrë plan-programin për shkollim dhe të caktojë komisionin për provimin vlerësues.

Pasi që pozitën e kryetares së Komitetit Specialistik të Kardiologjisë e mbanë që nga muaji tetor i vitit 2016, shkruan Insajderi.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ për Shkollimin Specialistik, organizimi i shkollimit specialistik bëhet nga bordi, komiteti dhe mentori klinik sipas kompetencave të përcaktuara nga udhëzimi.

Specifikisht hartimi dhe mbikëqyrja e plan-programit për shkollim specialistik bëhet nga komiteti. Ndër të tjera në neni 8 të këtij udhëzimi thuhet se në kompetencë të komitetit janë edhe organizimi dhe mbikëqyrja e shkollimin teorik e praktik të specializantit, vlerësimi teorik e praktik i specializantëve, ndër të tjera propozon edhe komisionin vlerësues për provimin specialistik.

Bazuar në hierarki bordi për shkollim specialistik emërohet nga Ministri, mandej kompetencë e tij është rekomandimi i komitetit specialistik, pas rekomandimit ministri emëron anëtarët e komitetit që mund të jetën 5 deri në 7 anëtar.

Ndërsa kriteret për emërimin e kryetarit të komitetit janë: 1. Të jetë specialist në lëminë përkatëse më shumë se dhjetë vite dhe 2. Të ketë thirrje arsimore të profesorit ose në mungesë thirrje më të ulët arsimore ose shkencore.

Pyetjeve të gazetës rreth kësaj cështje nuk i është përgjigjur Aurora Bakalli, ani pse gazeta ka pritu më shumë se dy javë për një sqarim.

As Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet shtesë të gazetës, ndonëse fillimisht tha se Bakalli kishte përfunduar specializimin në Interno në vitin 2004, duke bashkangjitur në përgjigje edhe biografinë e saj që figuron në Ëikipedia.

Ministria nuk tregoi se cila kriteri i plotësoi Bakalli për tu bërë kryetare e Komitetit Specialistik as pse u lejua që të jetë edhe kryetare e komitetit edhe specializante në të njëjtën kohë.

Aurora Bakalli u punësua në mënyrë të dyshimtë edhe në Fakultetin e Mjekësisë 

Gazeta Insajderi në janar të vitit të kaluar, ka raportuar se si Aurora Bakalli ishte punësuar në mënyrë të dyshimtë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, para disa vitesh.

Bakalli, që atëkohë ishte deputete e Lëvizjes për Bashkim, kishte kaluar barriera ligjërisht të pakapërcyeshme për t’u punësuar në universitet.

Tejkalimi i tyre bie ndesh me statutin e Universitetit të Prishtinës. Ishte kriteri i moshës dhe dorëzimi i diplomës së doktoraturës tek komisioni vlerësues pas mbylljes së konkursit.

Tek kriteri i moshës, Universiteti i Prishtinës ndonëse konkursin e kishte hapur bazuar në statutin e vjetër, shpalljen e fituesit e kishte bërë bazuar në rregullat e statutit të ri.

Kurse te kriteri i shkollimit, Insajderi pati zbuluar se ish-deputetja Aurora Bakalli në kohën e aplikimit e kishte vetëm gradën e Magjistrës së shkencave. Ishte në proces të doktoraturës në universitetin “Sv. Kiril i Metodij” në Shkup të Maqedonisë.

Nëpërmjet konkursit kërkohej grada e doktorit të shkencës. Bakalli e kishte dorëzuar diplomën e doktoraturës pas mbylljes së konkursit.

Konkursi ishte mbyllur më 18 korrik 2012, ndërsa Bakalli pas tre muajsh  e kishte dorëzuar në UP diplomën e doktoratës, të cilën e kishte fituar në Shkup më 19 tetor 2012.

Komisioni recensues nxjerrë raportin e vlerësimin i cili mban datën 31 tetor 2012, rreth 10 ditë pasi e kishte sjellë Aurora Bakalli diplomën e doktoratës nga Shkupi dhe ia kishte bashkëngjitur dosjes në konkurs. /Insajderi.com