Betim Reqica, sekretar në Ministrinë për Infrastrukturë e Ambient, e ka denoncuar sot në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi.
Përveç denoncimit në polici, Reqica për këtë veprim të shokut të shefit të tij, ministrit Lumir Abdixhiku, e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
“Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhet në letrën që Reqica ia ka dërguar kryeministrit Albin Kurti, ministrës së drejtësisë Albulena Haxhiut dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt.
Sipas letrës së Reqicës, të cilën e ka siguruar Insajderit, zyrtarët e kësaj ministrie kishin pasur edhe më herët problemet të ngjashme.
“Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thuhet në këtë shkresë zyrtare.
Reqica ka njoftuar të tretë Kurtin, Haxhiun dhe Qalajn se e ka denoncuar edhe zyrtarisht në Policinë e Kosovës rastin e kërcënimit nga Ademi.
“Kërkoj nga të gjitha organet për luftimin e krimit dhe zbatimin e ligjshmërisë kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për të ofruar ambient të qetë në zbatimin e detyrave zyrtare”, thuhet në shkresën e sekretarit Reqica.
Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin është përfshirë biznesmeni Ademi.
Ai pati bërë jehonë në publik me një kërcënim ndaj një zyrtari tjetër publik, edhe para tri viteve e gjysmë. Kishte kaluar 48 orë në burg për kanosje.
Më 20 korrik të vitit 2016 ishte denoncuar nga Besim Tahiri, atëkohë zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Tahiri kishte pohuar se është kërcënuar nga Ademi për shkak të një tenderi të zgjerimit të rrugëve. Aty ishte shpallur fitues kompania “Al Trade”, dhe kishte dalë humbëse kompania “Alko Impex”, pronë e kërcënuesit Valon Ademi.
Ky rast ende nuk ka epilog përfundimtar gjyqësor. Ende është në zhvillim e sipër në Gjykatën Themelore të Prishtinës. /Insajderi.com