Këngët e Nexhmije Pagarushës ende në pronësi të Serbisë– Institucionet e Kosovës nuk merren me këtë çështje

Trashëgimia kulturore e ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushës mbahet edhe sot e kësaj dite nga shteti serb. Këngët e saj, janë zyrtarisht në pronësi të studios serbe PGP, ndërkohë që Institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk u morën seriozisht me këtë çështje.

Këngët e Nexhmije Pagarushës ende në pronësi të Serbisë– Institucionet e Kosovës nuk merren me këtë çështje

Janë shtatëmbëdhjetë krijime artistike të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës, në pronësinë e studios serbe PGP. Ndonëse është artistja më e madhe shqiptare, institucionet e Kosovës nuk e posedojnë veprimtarinë e saj artistike.

Kryevepra e saj “Baresha”,  këngët “Ani mori nuse”, “Kur me shkon si zog në hava”, “Mora testin”, “Mori sylarushe”, dhe 13-të  të tjera, vazhdojnë të mbesin nën pronësinë e studios serbe PGP.

Arsyeja pse janë pronë e kësaj studio, është se në ish-Jugosllavi ku edhe Kosova ka qenë pjesë e këtij sistemi, incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB(Radio Televizioni i Beogradit)  e cila tash mbanë emrin PGP RTS (Radio Televizioni i Serbisë), me seli në Beograd.

Ndërkohë që institucionet e Kosovës, nuk kanë bërë as më të voglin hap për rikthimin e pronësisë së tyre.

Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në adresë të studios PGP RTS, për të ditur më shumë rreth këtyre materialeve dhe rreth asaj se a i janë kërkuar ndonjëherë nga shtetit i Kosovës.

Ndonëse premtuan se do të përgjigjen, nuk e bënë një gjë të tillë.

Se këto materiale janë në pronësi të kësaj studio që është e Serbisë,  u bë e ditur, nga kompozitori i njohur kosovar Florent Boshnjaku. Ai shumë kohë më parë pati lajmëruar për një gjë të tillë, teksa ka bërë kërkesa për rikthimin e këtyre materialeve.

Ai pas vdekjes së Pagarushës, me shumë kujtim dhe respekt për të, në rrjetin social Facebook, Boshnjaku paraqiti ndër të tjera edhe këtë problem tejet të madh sa i përket pronësisë së këtij materiali.

Në pronësi të kësaj studio rezultojnë edhe shumë këngë të tjetra të këngëtarëve kosovarë. Po ashtu, është shumë lehtë që të gjenden. Ato janë të publikuara në një faqe në internet të quajtur “Discogs”, faqe kjo që gjithashtu mundëson shitjen e tyre. Në këtë faqe, me një kërkim të lehtë tek ‘search’ mund të gjesh pronësinë e këngëve të këngëtarëve të njohur.

“Me vite prej momentit që kam filluar të punoj për të drejtën e autorit në Kosovë e kam marrë si shembull dhe rastin e znj.Nexhmije Pagarusha . I gjithë materiali i incizuar (ose një pjesë e madhe e atij materiali) nuk është në pronësi të shtetit të Kosovës . Ai material është në adresa tjera: Beograd si dhe në Zagreb (sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve Kosovar përfshirë Qamilin e Vogël etj)”, kishte theksuar Boshnjaku në shkrimin e tij.

“Pavarësisht të drejtës së autorit -kompozitorit apo të drejtës së interpretimit -këngëtarit kompanitë në fjalë janë pronare te materialit të incizuar, pra këngëve origjinale dhe ata munden të publikojnë sa herë të duan ato materiale pa e pyetur askënd dhe të përfitojnë nga artistët tanë të cilët kanë vepruar në ato periudha”, kishte shkruar tutje Boshnjaku.

Ai po ashtu kishte treguar se përkundër bisedave që i ka pasur me institucionet, nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi e kulturore dhe shpirtërore e Kosovës.

E seriozisht nga institucionet nuk u morën as pyetjet e Gazetës Insajderi.

Ka dy javë që Gazeta Insajderi, i ka shkruar pyetje zyrës së kryeministrit në lidhje me këtë çështje, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje pavarësisht insistimit.

Ndërsa nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, i kanë thënë Gazetës Insajderi, se nuk posedojnë asnjë dokument fizik apo vizual për Pagarushën.

“Ju njoftojmë se Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka regjistrin e materialeve arkivore të dokumenteve arkivore qe janë mare nga regjimi i Beogradit lëndë arkivore nga Arkivi i Kosovës e sjellë në Arkivat e Serbisë, Regjistër i cili që në vitin 2004/05 – është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”.

“Andaj, ju njoftojmë se Agjencia nuk ka në posedim dokumente fizike apo vizuale për znj.Pagarusha”, ka thënë Ruzhdi Panxha, drejtor i departamentit për Veprimtari Arkivore.

Drejtori i Zyrës për të Drejtën e Autorit, Valon Kashtanjeva, i ka thënë Gazetës Insajderi, se kjo çështje nuk bie në kompetencë të drejtpërdrejtë në kuadër të punëve dhe detyrave të parapara me ligj për Zyrën për të Drejtën e Autorit.

“Neve mund vetëm të japim kontributin tonë në aspekt të një veprimeve që mund të ndërmerren nga institucionet kompetente. Një çështje që duhet shqyrtuar në lidhje me këto materiale nga aspekti i të drejtave të autorit, janë të drejtat pronësore apo ekonomike lidhur me këto materiale, se kush ka të drejtat ekonomike cilat janë ato kompani apo subjekte dhe të shikohen mundësitë se si mund të kthehen më pas në vendin tonë”, ka thënë për Insajderin, Kashtanjeva.

Gazeta Insajderi, ka provuar ta marr një përgjigje edhe nga vet ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ajo nuk i është përgjigjur thirrjes telefonike./ Insajderi.com