Kërcënime me plotë dhunë dhe tentim vetëvrasja – rrëfimi i 24-vjeçares që denoncoi ish-kandidatit për asamble

Ky është rrëfimi i një qytetareje kosovare e cila është kërcënuar e dhunuar nga personit që ka qenë edhe kandidat për asamble në komunën e Vitisë. Dhuna e kërcënimet që nuk i trajtoi seriozisht Policia e Gjykata e quan atë deri tek tentim-vetëvrasja.

Kërcënime me plotë dhunë dhe tentim vetëvrasja – rrëfimi i 24-vjeçares që denoncoi ish-kandidatit për asamble

“Çdo takim me të pas 26 shtatorit të 2014-s ka qenë i sforcuar prej anës së tij, për shkak të mosbindjes ndaj kërkesave të tij që kishin për qëllim: frikën, dhunimin dhe poshtërimin ndaj meje”, thotë 24-vjeçarja nga Komuna e Vitisë, V.M., teksa nis rrëfimin për marrëdhënien e komplikuar të saj me ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadat Dragobuzhdën.

V. M. (inicialet e vërteta janë të njohura për redaksinë) thotë se ish-asamblistin, nga i cili tashmë është distancuar edhe partia, e kishte njohur për herë të parë kur ajo ishte 14 vjeçe – më 2008. Gjashtë vite para se të niste një periudhë shantazhesh, kërcënimesh e të dhunës fizike që do përjetonte nga Sadati.

Ana e errët e marrëdhënies së V.M. me Sadat Dragobuzhdën filloi një pasdite të 26 shtatorit në një fshat afër qytetit të Vitisë: në Pozheran. Kur ajo u kthye nga Prishtina në fshat, Sadati doli ta priste atë para një stacioni autobusësh. E bindi të hipte në veturën e tij. Aty, thotë 24-vjeçarja, u kërcënua dhe dhunua fizikisht nga Sadati, por nuk i tregoi askujt nga frika e problemeve të mundshme që do t’i sillte ky rast familjes së saj.

Ndonëse nuk e denoncoi në Polici, V.M. rrëfen se 28-vjeçari vazhdonte t’i ndërhynte në jetën e saj.

Në vitin 2016, V.M fillon një lidhje tjetër dhe vendos të fejohet me një tjetër person. Sadat Dragobuzhda mllefoset prej këtij veprimi të saj, që do të mund ta shkëpuste abuzimin me të përgjithmonë, dhe fillon të thërras në telefon fillimisht familjen e saj e pastaj edhe të djalit me të cilin ajo donte të fejohej.

“Ai e ka njohur shumë mirë psikologjinë time”, rrëfen viktima 24-vjeçare për Insajderin.
“E ka ditur që vdisja e nuk i tregoja askujt, sepse veç të tjerash, në kohën kur kontaktoja me të ai bënte gjithçka për të më bindur që nuk vlej. Ai më thoshte se ‘jeta jote është shkatërru, ty askush nuk ka me të dashtë”.

Ajo ndryshoi numrin e telefonit, ndërkohë që nëna dhe vëllai i saj u takuan me të dhe i kërkuan që të mos takohej me vajzën. Mirëpo ai pas një kohe të shkurtër e gjeti numrin dhe gjithçka dukej sikur nisi nga fillimi.

“Familjarët kanë bisedu më shumë se një orë me të në telefon; i kanë tregu që nuk duan asnjë lidhje me të dhe se gjithashtu që unë nuk dua të kem asnjë lloj kontakti me të. Ai u ndal për dy javë, por pastaj filloi prapë. Më kërcënonte që ka me më vrarë mu e pastaj edhe veten”, shprehet V.M..

Në janarin e vitit 2017, V.M u shtrua në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ai filloi t’i këkonte të takoheshin edhe në gjendje të tillë. Madje, kërkonte nga ajo që t’i dërgonte foto nudo.

“Më 2017 unë jam shtrirë në spital për shkak të problemeve shëndetësore”, rrëfen ajo, teksa thotë që Sadatit nuk i interesonte gjendja e rëndë shëndetësore e saj.

“Ajo që i interesonte atij [Sadat Dragobuzhdës, v.j]ishte realizimi i fantazive të tij prej nimfomaniaku duke më kërkuar foto që nuk i dërgohen askujt. Aty kam shpërthyer unë duke i thënë që është nimfomaniak se provat i kam në dorë dhe ato prova kan me ra në duar të familjarve”, rrëfen 24-vjeçarja.

“Atëherë ai ka thanë që nuk ka me lanë spital që nuk ka me e kontrollu; që ka me më gjet’ edhe ka me ma heq oksigjenin. Por ka thanë se fillimisht ka me më torturu aq sa do i lutem që me më vra”.

Pasi doli nga spitali, V.M. thotë se sërish u dhunua fizikisht nga Sadati. Sërish, thotë ajo, që u dhunua në veturën e politikanit nga Vitia. Nga goditjet, që ajo thotë se i pranoi, u alivanos.

“Ai më la në rrugë në gjendje të tillë”, thotë ajo, teksa tregon se pas kësaj dhune të suhtruar ndaj saj kishin filluar t’i shfaqeshin simptomat e sëmundjes “Vertigo” – për shkak të së cilës filloi edhe terapinë, gjatë gjithë kohës pa dijeninë e familjes.

Por, në shtatorin e vitit të kaluar – pak para se të mbaheshin zgjedhjet lokale në vend – rrëfimi i 24-vjeçares nga Komuna e Vitisë implikon edhe politikën.

“Kërcënimet u shtuan kur ai më lajmëroi se ishte anëtarësuar në Vetëvendosje. Prej asaj dite më tha se nëse unë veç flas as që do merrem parasysh sepse do përdor pretekstin se po kanos një partiak, me qellim me më dëmtu”, rrëfen ajo për Insajderin.

V.M. thotë se për problemet me Sadat Dragobuzhdën kishte kërkuar ndihmë edhe tek Dega e Lëvizjes Vetëvendosjes. I ishte drejtuar Salih Salihut, ish-kandidat për kryetar të Vitisë nga LVV-ja; i kishte kërkuar që ta largonte Dragobuzhdën nga lista e kandidatëve për asamblistë.

“Kur unë kontaktova Salih Salihuni duke ju lutur që ta largonte [Sadat Dragobuzhdën, v.j] ose të ndërmerrte diçka që të paktën ai të mos e kishte mbështetjen e partisë, ai vetëm më shikoi dhe asnjëherë nuk u përgjigj”, thotë ajo.

“Përgjigjen e mora prej Sadat Dragobuzhës, i cili më tha të shkruaja një letër me nënshkrim se gjithçka kam thënë janë shpifje, po ashtu të incizoj me telefon duke pohuar se janë shpifje ose jeta ime kish me mbaru, në  kushte presioni dhe kërcënimi për jetë unë pranova, por kjo nuk mjaftoi. Anëtari i LVV-dega ne Viti, Arsim Haziri, më kontaktoi dhe më tha që VV nuk guxon të përmendet në këso lloj rastesh”.

Dënimi skandaloz i Gjykatës – me kusht dhe vetëm 300 euro gjobë

Në janarin e këtij viti prapë fillojnë telefonatat e Sadatit në drejtim të V.M.-së. Por kësaj radhe ajo vendos ta denoncojë Draobuzhdën.

Ish-asamblisti i Vetëvendosjes arrestohet më 20 shkurt dhe i caktohet fillimisht masa e paraburgimit prej 24 orëve.

Ai e pranon fajin për kanosje ndaj viktimës 24-vjeçare por në procesin gjyqësor që u mbajt kundër tij në Gjykatën Themelore të Gjilanit – dega në Viti, nuk u njoftua as V.M. e as avokati i saj. Më 9 mars të këtij viti, ai u dënua me 300 euro gjobë.

Ndaj këtij aktgjykimi të shkallës së parë së Gjykatës, mbrojtja e viktimës u ankua në Gjykatën e Apelit.

Për këtë rast, Insajderi i ka kërkuar sqarime Gjykatës së Apelit. Zyra për media nga ky institucion i kanë thënë gazetës se Apeli e ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë së Gjykatës.

“Kjo lëndë është vendosur nga ana e Gjykatës së Apelit më 29.06.2018. Është refuzuar si e pabazuar ankesa e përfaqësuesit të të dëmtuarës, av. Ymer Huruglica, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Viti,  P.nr.69/18, datë 09.03.2018, është vërtetuar”, thuhet në përgjigjen e Apelit.

 Përjashtimi nga Lëvizja Vetëvendosje, tre muaj pas dënimit

Më shumë se 3 muaj pasi u dënua me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Gjilanit për kërcënimet ndaj 24-vjeçares, Sadat Dragobuzhda u largua nga Lëvizja Vetëvendosje. U urdhërua largimi i tij nga partia.

Në maj të vitit 2018, Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje njoftoi për përjashtimin e anëtarit të saj nga Komuna e Vitisë.

Në këtë njoftim thuhej se vendimi është marrë pas analizës së bërë nga komisioni, dhe është bazuar në vendimin e gjykatës së Qarkut në Viti.

Kërkesës së Insajderit për të dhënë deklaratë nuk i janë përgjigjur as Sadat Dragobuzhda e as Lëvizja Vetvendosje me qendër në Viti.

“Raste të tilla janë të patolerueshme për vlerat shoqërore të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të çojë përpara”, deklaronte Vetëvendosje. /Insajderi.com